Kosova
‘Fundi pa nder i Aleksandër Vuçiç po afrohet’
Revista prestigjoze amerikane “Foreign Affairs” botoi një analizë të gjerë për rolin e Rusisë në Ballkan, si dhe “kontributin e rrezikshëm të Serbisë në nxitjen e krizës”. Sipas revistës, në fund të shtatorit, “Serbia vendosi armë të avancuara në kufirin e saj me Kosovën, që shënoi një nga grumbullimet më të mëdha të forcave ushtarake serbe që nga përfundimi i luftës në Kosovë pothuajse një çerek shekulli më parë”.
Në Shtetet e Bashkuara, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare e quajti atë “një shfaqje të paprecedentë të artilerisë së avancuar serbe, tankeve dhe këmbësorisë së mekanizuar”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i telefonoi presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, duke kërkuar “deeskalim urgjent” – sipas gazetës.
“Por ka shumë indikacione se këto incidente po shkojnë përtej tensioneve të zakonshme të viteve të fundit. Këto incidente, siç shkruan Foreign Affairs, tregojnë edhe për kërcënimin në rritje që Rusia, partneri i Serbisë, paraqet për rajonin.
Moska – e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – shpesh here ka ndezur flakët, duke përdorur operacione informacioni për të nxitur mosbesimin midis palëve serbe dhe kosovare dhe për të përhapur mesazhe “skifter” që polarizojnë rajonin përgjatë vijave etnike dhe fetare.
Një pjesë e arsyes se pse Rusia është e lumtur të ngjallë konfliktin historik midis Kosovës dhe Serbisë është se ajo kërkon të minojë fuqinë e NATO-s dhe SHBA-së në Evropë.
Revista shkruan se Vuçiç nuk ka nevojë të udhëheqë një fushatë të plotë ushtarake në Kosovë për të çuar përpara projektin e tij të destabilizimit të vendit dhe poshtërimit të NATO-s, por ashtu si dhe presidenti rus Vladimir Putin, Vuçiç ai përdor grupe paraushtarake për të arritur qëllimet e tij.
“Kriza në Kosovë, po e ndihmon Vuçiçin të largojë vëmendjen nga çështjet e tij politike të brendshme dhe të shuajë protestat antiqeveritare. Ai gjithashtu rriti ndikimin e tij ndërkombëtar, dhe duke përshkallëzuar dhe de-përshkallëzuar krizën në Kosovë, u pozicionua si aktori që përcakton stabilitetin e rajonit” – shkruan revista amerikane, duke shtuar se “Një pazar i tillë është vetëm një nga mënyrat se si Vuçiç mashtroi SHBA-në dhe Evropën. Liderët evropianë, përfshirë kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, thonë se e duan Serbinë në bllokun e tyre dhe Vuçiç teorikisht ka pranuar të bashkohet. Por ai e bën këtë thjesht sepse merr ndihma financiare nga Unioni porn nga ana tjetër, nuk I vendos sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës”