Connect with us

Bota

LAJM I FUNDIT/ Shkarkohet nga detyra Suella Braverman

Suella Braverman është shkarkuar nga posti i sekretares së Brendshme. Ky lajm bëhet i ditur nga mediat britanike. ‘Skynews‘ raporton se javën e kaluar ajo shkroi një artikull në gazetë që kritikoi trajtimin e Policisë Metropolitane të një marshimi të diskutueshëm pro-palestinez për Ditën e Armëpushimit.  Kryeministri Rishi Sunak u vu nën presion për të vepruar pasi Braverman u akuzua për minimin e pavarësisë operacionale dhe besimit të publikut te policia. Kritikët, si nga partitë e opozitës ashtu edhe nga deputetët e tjerë konservatorë, i quajtën komentet e Braverman “fyese” dhe “inflamatore”. Në një artikull për The Times, Braverman akuzoi policinë se “luan me favoritë” me mënyrën se si i trajton protestat e diskutueshme duke treguar një qëndrim më të butë ndaj protestuesve të krahut të majtë sesa homologët e tyre të krahut të djathtë. Ajo shtoi sulmet e saj ndaj atyre që merrnin pjesë në demonstratat pro-palestineze – duke i krahasuar ato me marshimet protestante në Irlandën e Veriut – komente që u etiketuan “tërësisht fyese” dhe “injorante” nga një ish-ministër i kabinetit konservator.

U shkarkua nga Sunak, dalin e fotot e para të Suella Braverman teksa largohet nga shtëpia në Londër

Sekretarja britanike për Punët e Brendshme, Suella Braverman, është shkarkuar sot nga posti, pas kritikave që bëri për protesta pro-palestineze, për të cilat tha se janë shqetësuese. Por Braverman, pak kohë më parë ishte kthyer në protagoniste edhe për shqiptarët, pikërisht për komentet raciste ndaj emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe.

Barverman, vajza e dy emigrantëve nga Kenya dhe ishujt Mauritius, u shpalli ‘luftë’ emigrantëve shqiptarë, të cilët kalojnë kanalin e La Manche, në kërkim të një jetese më të mirë përtej brigjeve kontinentale.

Rreth një vit më parë, Suella Braverman tha se vendi përballet me një “pushtim” nga emigrantët shqiptarë që përshkojnë me varka kanalin e La Manshit, si dhe si pjesëtar të grupeve kriminale.

Në përgjigje të një komenti nga deputeti konservator Craig Mackinlay, i cili tha se “asnjë shqiptar i vetëm nuk duhet të pranohet si refugjat”, Braverman tha se ai ka të drejtë.

“Shqipëria nuk është një vend i shkatërruar nga lufta dhe është shumë e vështirë të argumentohet se kërkesat për azil janë legjitime”, tha ajo.

Në deklaratat e saj, Suella Braverman tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale. Ndaj kësaj deklarate është përgjigjur edhe kryeministri, Edi Rama i cili i konsideroi deklaratat e saj si “britmë në çmendinë”, duke shtuar se ishte përgjegjësi e Britanisë që të bashkëpunonte për të menaxhuar situatën me emigrantët e paligjshëm shqiptarë që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.

Shkarkimin e Suella Braverman e kërkuan edhe shumë emigrantë shqiptarë që jetonin në Britaninë e Madhe pikërisht për gjuhën e saj raciste, pasi zhvilluan një protestë në Londër.

 

 

Advertisement