Connect with us

Rajon

Jeremiç: Serbia s’do hynte në BE edhe sikur ta njihte Kosovën

Kryetari i Partisë Popullore serbe, Vuk Jeremiç, ka thënë se anëtarësimi i Serbisë në Zonën Ekonomike Evropiane (ZEE) “është e vetmja që mund të arrihet në të ardhmen”, si dhe, sipas tij, është “e vetmja gjë që i ofrohet në realitet”, teksa ka shtuar se edhe nëse Serbia do ta njihte Kosovën, ajo nuk do të anëtarësohej në Bashkimin Europian.

“Serbisë, megjithatë, në këtë moment po i kërkohet të vazhdojë edhe për një fare kohe të kultivojë iluzionin se po shkon drejt anëtarësimit në Union.  Pra se ne dhe Evropa pretendojmë të shkojmë drejt anëtarësimit dhe se çmimi për këtë është që Serbia të njoh Kosovën si shtet të pavarur. Prandaj është e nevojshme të refuzohet plani ‘franko-gjerman’ për pavarësinë e Kosovës” –  ka thënë Jeremiç në një intervistë për “SputnikSerbija”.

“Oferta e BE-së do të ishte e papranueshme edhe nëse do të na ofronin vërtet anëtarësim, e lëre më këtë pretendim. Është e nevojshme t’u thuhet partnerëve evropianë se oferta e tyre është e papranueshme dhe se bashkëpunimi duhet të vazhdojë para së gjithash në fushën e ekonomisë, si dhe se Serbia është e gatshme të vazhdojë me reformat e brendshme, sipas shembullit të vendeve moderne evropiane” – shtoi politikani serb.

Sipas tij, Serbia duhet të ripërcaktojë marrëdhëniet e saj me BE-në, “në mënyrë që ajo fillojë zyrtarisht përpjekjet për anëtarësim në ZEE, e cila përfshin gjithçka që përfshin anëtarësimi në BE, përveç respektimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Unionit, që do të thotë se Serbia duhet të vendosë sanksione Rusisë” – deklaroi Jeremiç, duke theksuar se “kusht i qëndrueshëm për Serbinë është që ajo të mos bëjë më kompromise në dëm të saj në politikën e jashtme”.

Advertisement

TRENDING