Connect with us

Aktualitet

Dhanë metadon pa recetë në këmbim të lekëve, në pranga mjeku dhe infermieri

Morën nga 2000 lekë ryshfet, për t’i dhënë Metadon, një shtetasi, në kundërshtim me ligjin/rregullat për tregtimin e këtij medikamenti, vihen në pranga 2 shtetas (një mjek në spitalin e Fierit dhe një infermier në njësinë vendore për kujdesin shëndetësor).

Menjëherë pas transmetimit në emisionin investigativ “Stop”, të 2 rasteve të dhënies së medikamentit Metadon, në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat për përdorimin e tij, nga 2 punonjës të institucioneve spitalore në qark, me qëllim përfitimin e shumave të parave (2000 lekë secili), specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale këta shtetas.

Në përfundim të këtyre veprimeve, u vunë në pranga, për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit:

-L. B., 64 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek toksikolog, në spitalin rajonal të Fierit;
-E. M., 36 vjeç, banues në Fier, me profesion infermier në njësinë vendore për kujdesin shëndetësor.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon gazetarët e emisionit investigativ “Stop”, mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërive dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast të tillë, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

Advertisement