Connect with us

OPINION

‘Shqipëria, ndaloi luftën Izrael-Hamas’, Dervishi: Edi Rama, magjistar i paqes

Nga Lutfi Dervishi

Në një lëvizje që kapi në befasi Fuqitë e Mëdha,  Kombet e Bashkaura, BE-në, NATO-n dhe G20, Shqipëria arriti të ndalojë luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

Konflikti 70 vjeçar dhe lufta e përgjakshme mes Izraelit dhe Hamasit që rinisi më 7 tetor të këtij viti, do të mbeten kujtim i një të shkuare të hidhur.

Armëpushimi katër ditor është vetëm preludi i fundit të konfliktit të përgjakshëm.

Kryeministri i Shqipërisë, dje, në dy takime të veçanta, një me ambasdorët e Ligës Arabe dhe tjetrin me ambasadoren e Izraelit parashtroi vizionin e tij për të ardhmen: “Një Gaza pa Hamasin dhe Izraelin”

5 fjalë më të fuqishme se fuqia çdo lutje fetare që njeh rruzulli- janë magjia që ktheu luftën në paqe dhe konfliktin e përgjakshëm në bashkëjetesë paqësore

Dega e ullirit e ofruar nga Kryeministri shqiptar- është pranuar nga të dy palët dhe Tirana nga një kryeqytet i Sportit dhe Rinisë, befas kthehet në Qendrën Universale të Paqes!

Ndërkohë që Komiteti i çmimit Nobel për paqen dhe revista Time Magazine ndihen të lehtësuar sepse e kanë që sot njeriun e vitit 2024, Uashingtoni, Brukseli, Pekini dhe Moska ndihen të lehtësuar,  por edhe të frustuar nga ky sukses diplomatik i nivelit Kisinger.

“Jemi të lehtësuar dhe të shokuar”- tha një zëdhënës i NATOs për suksesin e befasishëm të kryeministrit shqiptar.

“Kam bërë gabim që kam shkuar në Gaza dhe që kam thirrur disa herë Këshillin e Sigurimit për të ndalur luftën. Duhet të kisha shkuar në Tiranë dhe t’i lutesha kryeministrit Rama”- tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

Shqipëria e armatosur vetëm me sharmin e Kryeministrit arriti të bëj atë që nuk e ka bërë deri më sot as Presidenti i shtetit më të fuqishëm të Globit dhe as Papa i Romës: paqe në Lindjen e Mesme.

Ndonëse lajmi është pritur me hare si në botën arabe ashtu edhe në Perëndim, nuk mungojnë as teoritë konspirative. Në rrjetet sociale, po shkruhet se Kryeministri i Shqipërisë posedon aftësi magjike me të cilat i kthen armiqtë e betuar në miq për kokë dhe anasjelltas.

Për të mbështetur teorinë e tyre, konspiracionistët thonë se dy njerëz miq për kokë në Shqipëri (Sali Berishën dhe Lulzim Bashën) i ka kthyer në armiq të betuar…

Por mbështetësit e Kryeministrit Rama e hedhin poshtë këtë konstatim pasi, theksojnë ata, Kryeministri, siç e bëri të qartë edhe në Forumin e Paqes në Paris, është shumë i zënë me çështje rajonale si konflikti gjysëm i ngrirë Kosovë- Serbi, luftën në Ukrainë, varfërinë në Jemen dhe ngrohjen globale.

I pyetur për mundësinë e ringjalljes së shpejtë të  konfliktit në Ballkan, një zëdhënës i qeverisë shqiptare tha: “E pamundur. Nuk ka asnjë shans. Axhenda e Kryeministrit është e zënë me probleme në rajone të tjera të globit”.

Advertisement