Rajon
Kosova, opozita në Serbi, njëjtë si Vuçiç
Alternativa Kombëtare Demokratike e Serbisë – koalicion politik nën udhëheqjen e Partisë së Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizjes për Rivendosjen e Mbretërisë së Serbisë – ka njoftuar se është pro zgjerimit të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian (BE), por se nuk është pro anëtarësimit në BE nëse kusht është njohja e Kosovës.
Millosh Jovanoviç, një nga liderët e koalicionit dhe kryetar i NDSS-së, ka thënë se mbron bashkëpunimin me BE-në, sepse sipas tij, ajo përfaqëson një partner të rëndësishëm për Serbinë, por se njohja e pavarësisë së Kosovës është kusht i papranueshëm për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në strukturën evropiane.
“Megjithatë, çështja e anëtarësimit të Serbisë nuk mund të shtrohet sot, si për shkak të kushtit që i është vënë Serbisë për të njohur shkëputjen e provincës së saj jugore të Kosovës, që natyrisht është e papranueshme për ne, por edhe për faktin se vetë BE-ja nuk do të zgjerohet në një të ardhme të parashikueshme”, ka thënë ndër të tjera Jovanoviç.
BE-ja ka theksuar se shtylla e parë drejt integrimeve evropiane është shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe pluralizmi mediatik, ndërsa shtylla e dytë në këtë proces është në mënyrë të pashmangshme edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – pjesë e pandashme e paketës së integrimeve.
E perspektiva e Serbisë drejt BE-së është ende e pasigurt, nuk është e qartë. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore. Serbia ka qëndrim negativ ndaj BE-së, duke favorizuar Rusinë dhe Kinën.