Connect with us

Politike

Zgjedhja është shumë e thjeshtë,mjafton të kujtohesh sepse janë po ata

Pse duhet që ne ta marrim një mandat të tretë, është një pyetje që shumëkush na e bën, shumëkush mund ta bëjë dhe besoj që ky vend ku jemi mbledhur sot, i jep përgjigje kujtdo që dëshiron ta dijë përgjigjen, kujdo që i ka sytë e dëshiron të shikojë, i ka veshët e dëshiron të dëgjojë, e ka mendjen dhe dëshiron të kuptojë.

Jemi këtu, në këtë vend ku deri para pak kohësh ishte një plagë e hapur mjedisore që e kishte bërë Durrësin të turpërohej dhe që e kishte bërë dhe Shqipërinë të turpërohej si rezultat edhe i reportazheve ndërkombëtare të bëra mu këtu, në Porto Romano, ku male të tërë me plehra kalbeshin mbi dhe, ndikonin në ajrin e në shëndetin e njerëzve, duke ndikuar po ashtu dhe në imazhin e një qyteti që i ka të gjitha potencialet për të qenë një qytet ndër më të vizituarit e ndër më të shfrytëzuarit nga ana turistike.

Sot, këtu po ndodh një transformim i jashtëzakonshëm. Jo thjesht është mbyllur plaga, sepse nuk ka më plehra që mblidhen këtu, por ajo situatë e tmerrshme po ia lë vendin, ditë pas dite, një situate tjetër dhe ajo pamje e tmerrshme po ia lë vendin, ditë pas dite, një pamje tjetër. Shumë shpejt, ne do të mblidhemi përsëri dhe uroj dhe shpresoj që nuk do të jetë më nevoja të refuzojmë shumëkënd që dëshiron të na bashkohet për shkak të pamundësisë për të pasur numra të jashtëzakonshëm njerëzish, për të parë nga afër e për t’i hapur qytetit dhe qytetarëve të Durrësit, por jo vetëm, qytetarëve të të gjitha moshave, rrugën e një parku të madh, të një ekoparku atraksionesh që do të jetë një mushkëri e re e qytetit të Durrësit. Një ekoparku që do të jetë një pikë referimi për fundjavat dhe një ekoparku që do të jetë një zonë çlodhjeje për gjyshër, nipër e mbesa. Një ekoparku që do të jetë një mundësi më tepër për djem e vajza, një ekoparku që do të jetë shëmbëlltyra e vizionit, e ambicies dhe e punës sonë.

Parafytyroni për një moment që puna të ndërpritet këtu. Parafytyroni për një moment që në vend të mandatit të tretë për Partinë Socialiste, të zgjedhësh të kthesh në krye të punëve të vendit ata të cilët jo vetëm që janë të paaftë që të bëjnë këto transformime, por janë dhe krejtësisht të pashqetësuar. Përkundrazi, nuk u bën asnjë përshtypje pisllëku. Nuk u bën asnjë përshtypje plehrat, nuk u bën asnjë përshtypje rrëmuja dhe kaosi dhe madje, në më shumë se një herë e kanë thënë se sa krenarë janë për ndërtimet pa leje, se sa krenarë janë për zonat ku me vite e me vite të tëra kanë mundur të marrin vota e për vite e vite të tëra kanë lënë aty vetëm hijen e harresës pas çdo votimi.

Po njësoj si këtu e njësoj si për këtë projekt që është një projekt transformues për Durrësin, që i jep fund një historie shumë të gjatë zvarritjeje në aspektin mjedisor të qytetit, që bën të mundur që, më në fund, të gjithë qytetarët e Durrësit, edhe psikologjikisht të çlirohen nga ideja se bashkëjetojnë në të njëjtin vend me një vargmal plehrash që kalben mbi dhe, por dhe për çdo projekt tjetër, në çdo sektor tjetër mund të thuhet e njëjta gjë.

Sikur puna të ndërpritet këtu, jo vetëm në këtë kantier, por në të gjitha kantieret, besoj që mjafton eksperienca e të shkuarës, për të kuptuar menjëherë që nuk ka shans që ata mijëra e mijëra qytetarë që presin nga ne t’i kthejmë në shtëpitë e tyre, t’i kthejmë në apartamentet e tyre në Durrës dhe në gjithë zonën e prekur nga tërmeti, të mund të kthehen aq shpejt dhe me aq shumë garanci, sa po ndodh e do ndodhë deri në fund për sa kohë jemi ne në krye të detyrës. Ajo që është e mira e të keqes së madhe që ky vend vuan nga mungesa e një opozite reale, një opozite ambicioze, nga vizioni, nga aftësia, nga përgjegjshmëria e vet, e mira është që zgjedhja është shumë e thjesht për të gjithë.

Zgjedhja është shumë e thjeshtë, sepse nuk ka nevojë të mundosh veten me si mund të jenë këta të tjerët nëse vijnë në pushtet. Mjafton të kujtohesh sepse janë po ata. E kur them që me 1000% nuk ka asnjë shans që kush do të marrë shtëpinë e re në muajt që vijnë në zonat rurale, apo apartamentin e ri gjatë vitit që vjen në zonat urbane, të mund të marrë atë që i takon në kohë dhe me cilësi, nëse kjo punë ndërpritet këtu e nëse atyre u jepet mundësia që të marrin stafetën.

Po ju jap një shembull; një numër shumë herë më i vogël se numri i të prekurve nga tërmeti, një shumë, shumë e shumë herë më e vogël sesa shuma që duhet vënë në dispozicion për të adresuar të gjitha dëmet e tërmetit, një përmbytje jo e vogël në Shkodër që la disa mijëra familje në një situatë shumë të vështirë dhe për të cilat, ata u angazhuan se do të jepnin dëmshpërblimin dhe një histori pafund që u mbyll me dhënien e dëmshpërblimit për ta, nga ne kur ne morëm detyrën.

Sikur ne të mos e kishim marrë detyrën, ata njerëz atje nuk do i kishin marrë kurrë paratë e dëmshpërblimit. Ashtu skundër, sikur ne mos kishim marrë detyrën, invalidët dhe personat me aftësi të kufizuar nuk do kishin marrë kurrë, po kurrë, 40 milionë dollarë që shteti u kishte borxh, në kohën kur në detyrë ishin ata që duan të kthehen sot përsëri. U desh të vinim ne në detyrë dhe ata t’i merrnin paratë e munguara dhe që të vazhdonin të merrnin e të marrin atë që shtetit u detyrohet.

Parafytyrojeni sikur për një moment t’ju mbetet atyre të përfundojnë shkollat, ndërkohë që sot dhe kjo është reale, nuk është një ekzagjerim, ata nuk mund të na tregojnë dot një shkollë, ku të duan në gjithë Shqipërinë, vetëm të na e tregojnë një shkollë që kanë bërë me standarde europiane. Apo qoftë dhe një kopsht. Le të na tregojnë një çerdhe që kanë ndërtuar kur kanë pasur punët në dorë, që mund t’i afrohet sado pak, se krejtësisht nuk i afrohet dot, shkollave, kopshteve, çerdheve që kemi ndërtuar ne.

Ne sot ishim bashkë me kryetaren e bashkisë, me ministrin e Rindërtimit, me ministren e Arsimit, për t’i uruar rikthimin në shkollë fëmijëve e mësuesëve të parë që u rikthyen aty ku u detyruan të largohen mëngjesin e 27 nëntorit të shkuar. Realisht nuk ka të krahasuar dot, me asnjë lloj dashamirësie, shkolla e re me shkollën që ishte, por nuk ka dot të krahasuar asnjë nga shkollat e reja që ne po ndërtojmë hap pas hapi, nuk ka të krahasuar asnjë nga pallatet e reja që ne do të ndërtojmë, nuk ka të krahasuar asnjë nga lagjet e reja që do ndërtohen rishtaz nga e para, siç është dhe lagja e re që do të ndërtohet këtu pranë, me çka ata mund të na tregojnë nga koha kur ishin në krye të detyrës.

Janë mbajtur me të madhe e kanë bërë propagandë të madhe për sa shumë rrugë kanë bërë. Le të na tregojnë një. Të dalin e të thonë cilën rrugë në 28 mijë kilometër katror të Republikës së Shqipërisë, ata e kanë ndërtuar nga fillimi në fund me standarde europiane. Të na tregojnë një.

As edhe një rrugë! As edhe atë rrugën e Kombit që është e vetmja vepër që pjesërisht ngjan me një infrastrukturë europiane, nuk e bënë deri në fund e nuk e bënë me standarde europiane, e lanë rrugëve. Sot, pas vitesh pune, ajo vepër po shkon drejt përfundimit, e jo vetëm po përfundon, por dhe po mirëmbahet e nuk është më burim rreziku, aksidentesh, plagosjesh nga rrëshqitjet e dheut, nga rrëshqitjet në zona të aksit ku nuk kishte asnjë siguri e me radhë.

Le të thonë, çfarë kanë bërë? Në cilin sektor? Në shëndetësi? Së shpejti, – javën tjetër – do hapet Pediatria e re e Durrësit. Një problem shumë i madh, ju e dini shumë mirë. Jeni qytetarë këtu dhe e dini shumë mirë se çfarë problemi ishte për të gjithë prindërit durrsakë, kur duhej të çonin fëmijët për t’u vizituar e për të marrë kujdes shëndetësor në Pediatrinë e vjetër, apo kur u shkonte nëpër mend se po të vinte një nevojë e tillë duhet të shkonin tek ajo pediatri e vjetër.

Problemi me ta nuk është thjesht që nuk I bënë, por që nuk ju bën përshtypje. Shikojeni sot se çfarë thotë Lulzim Basha. Ndaloni thotë punën që keni nisur për ta sistemuar më në fund Shqipërinë në aspektin mjedisor, duke I dhënë më në fund drejtim një historie skandaloze që na bëri gazin e botës, turpin e rajonit, na bëri shëmbëlltyrën e papërgjegjshmërisë ndaj gjeneratave të tjera, me malet e akumuluara me plera, sepse paratë thotë duhen për COVID-in. Por pak ditë ndodhi, në kohën kur e mbyllëm këtë pikën, për të filluar punë dhe për t’i dhënë fund derdhjes së vazhdueshëm të qelbit të kësaj plage, që plehrat nuk u grumbulluan dot ashtu si duhej, dhe i gjithë Durrësi u ngrit, me të drejtë, në një revoltë që mund të kishte precipituar në situatë shumë të rënda, me shumë komunitete që ishin të alarmuara nga ideja se do u vijnë plehrat tek dera. Ndërkohë që ishte thjesht një çështje koordinimi.

Si t’ia bëjmë ne që të ndërpresim këto punë, që të ndërpresim atë mrekulli që po bëhet në Sharrë, që ishte një plagë simotër e kësaj plage këtu, e që ndotte gjithë zonën e Kombinatit dhe turpëronte një kryeqytet të tërë. Apo Elbasanin, që përvec gangrenës së trashëguar nga ndotja e Kombinatit, kishte dhe gangrenën e re të maleve me plehra dhe të themi nuk ka problem. le të kthehen siç ishin plehrat se ne kemi COVID-in, ndërkohë që COVID-it nuk po i lëmë asgjë mangut, për hir të vërtetës, në përpjekjen tonë.

Kjo për ne është shumë e qartë. Ne thjesht do bëjmë atë që duhet. Sepse këta, ne nuk I kemi përballë, I kemi mbrapa. Këta janë mbrapa duke u përpjekur të na kapin që të na tërheqin mbrapsht, por nuk na arrijnë dot. Problem është me ata të cilët ende iu besojnë këtyre, me ata të cilët ende iu shkojnë mbrapa, me ata të cilët presin ende prej tyre që t’iu zgjidhin hallet që ne nuk ua kemi zgjidhur dot akoma.

Ne nuk kemi bërë çdo gjë në mënyrë perfekte, ne kemi bërë edhe gabime, patjetër. Ne jemi larg së qënit të përsosur, kemi të metat tona, patjetër. Por një gjë është e sigurtë. Në këtë fushë veprimi, këta as nuk mund t’iu ofrojnë njerëzve as një të njëmijëtën e asaj që u ofrojmë ne, në shërbim të tyre.

Dëgjojini çfarë thonë dhe shikoni sesi janë të bashkuar në pisllëk. Janë të bashkuar për plehrat dhe duan me çdo kusht të përdorin plehrat për të ndotur imazhin tonë dhe sikur të mos mjaftonte njëra palë, është dhe ajo pala tjetër. Po nuk është rastësi. Nuk është as diçka mekanike apo pragmatike arsyeja pse jam këtu, sot dhe është edhe Lefteri.

Me Lefterin kemi punuar bashkarisht për këto projekte kur ishim në aleancë me LSI-në dhe në vend se ata, të ciëlt në atë kohë i kanë votuar ato projekte, nëse nuk duan të thonë një fjalë të mirë, të paktën të mos bëhen qesharakë në sytë e njerezve, duke thënë fjalë të këqija. Të jenë të distancuar nga kjo situatë absurd, por jo, hidhen përpjetë. Dhe nuk e thonë se si zgjidhet ndryshe kjo punë, sepse ata nuk duan t’ia dinë sesi zgjidhen gjërat, sepse ata nuk dinë t’i zgjidhin gjërat. Ata dinë vetëm të nxisin sherr, të akuzojnë sa të munden, të shpifin sa të munden, të çorodisin sa të munden, të mund të përfitojnë sa të munden nga njerëzit e mërzitur, nga njerëzit e shqetësuar, nga njerëzit e lodhur, e pastaj, nëse ju vjen në dorë puna, do bëjnë ekzakt të njejtën gjë që kanë bërë gjithmonë. Nëse LSI-ja ka bërë një punë të mirë, ka qenë pikërisht të mbështesë Partinë Socialiste në punën që Partia Socialiste mori përsipër të bënte dhe mbështetja e LSI-së ka qenë thjesht që të mos na dali përpara dhe të na pengojë.

Ndërkohë që sot janë bërë bashkë, për të pënguar me çdo kusht këtë rrugë ku ne kemi hyrë dhe për ta kthyer me  çdo kusht, edhe njëherë, Shqipërinë mbrapa, aty ku janë ata. Por kjo nuk ka për të ndodhur.

Ne, këtu sot, në promovimin e platformës Për deputetin që duam, nuk jemi nga halli. Nuk jemi as nga ndonjë tronditje aritmetike. Nuk na sjell këtu as ideja se përndryshe, ne nuk i mundim dot ata. Ata janë të mundur, janë të humbur. Ata janë të destinuar të degradojnë siç kanë filluar të degradojnë thellë e më thellë, sepse shumica e shqiptarëve kurrë, asnjëherë nuk mund t’i mbështesë ata. Ne jemi këtu sepse jemi të vetëdijshëm që ne vetë kemi nevojë të përmirësohemi, kemi nevojë të rrisim kapacitetët, të rrisim aftësitë tona.

Ne vetë kemi nevojë të shohim përtej boshllëqeve tona, ne vetë kemi nevojë të krijojmë më shumë hapësirë për të rinj, të reja, jo thjesht në moshë, por në ide, në energji. Prandaj ne sot, si në ditë të tjera më parë dhe më ditë të tjera më pas, jemi këtu për t’iu thënë të gjithë vajzave dhe djemve, burrave dhe grave që mund të jenë pjesë e partisë sonë, mund të jenë thjeshtë simpatizanë të partisë sonë, mund të mos jenë marrë kurrë me politikë, por që sot ndjejnë se kanë diçka për të dhënë, ndjejnë se e kanë kurajon, pasionin, vendosmërinë që duhet për t’u marrë me këtë punë se nuk është një punë e lehtë, është një punë e vështirë. Ejani dhe na thoni që doni të jeni pjesë e skuadrës sonë 2021 dhe pse, çfarë ju shtyn dhe ne me siguri, me të gjithë ekipet përbërëse të skuadrës sonë kombëtare të 2021, do të përfshijmë njerëz që vijnë nga kjo rrugë. Sikundër do të përfshijmë ata të cilët vijnë nga rruga e kontributit dhe eksperiencës si deputetë dhe si deputete. Dhe sikundër patjetër nuk do të shohim mbrapsht askënd, por do të mundohemi të jemi sa më përfaqësues të sa më shumë njerëzve dhe sa më shumë profileve të larmishme të jetë e mundur.

Nuk është vetëm skuadra e deputetëve, por është e gjithë skuadra jonë qeverisëse që, për mandatin e trete, do të ketë nevojë në të gjitha nivelet për fuqi të reja, për energji të reja, për njerëz të rinj, të cilët janë domosdoshmëri njësoj si e nesërmja, si drita që lind të nesërmen, për të shkuar përpara drjet së nesërmes.

Prandaj unë dua të inkurajoj të gjithë ta hedhin këtë hap, pa pasur asnjë dyshim se ne nuk do ta shohim secilin dhe secilën me të gjithë respektin që meriton thjesht dhe vetëm për faktin që na beson, thjesht dhe vetëm për faktin se është gati të vërë në dispozicion emrin, fytyrën, diturinë e vet, intelektin e vet të kësaj skuadrës sonë dhe që nuk do t’i ndodhi siç i atyre që gabimisht besuan që mund të hynin në një proces merite, mund të hynin në një proces seleksionimi normal në Partinë Demokratike.

A kishit dëgjuar ndonjëherë votim për atë që nuk do? Unë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë. Të marrësh pjesë në një proces për të përzgjedhur skuadrën e deputetëve dhe rregulli për anëtarësinë të jetë, voto atë që nuk do, unë këtë nuk e kisha dëgjuar asnjëherë. Pa hyrë pastaj në të gjithë elementët e tjerë që janë të pashmangshëm kur procesi është i gënjeshtërt, kur procesi është një farsë, kur procesi është sa për sy e faqe. Siç janë sa për sy e faqe edhe ato daljet e Lulit rrugëve ku takon gjoja hallexhinj. Shkon takon taksixhinjtë 20 metra nga dera e Partisë Demokratike dhe ngaqë është akoma në gjumë, i pyet, “si mendoni tia bëjmë me taksat” dhe taksixhiu tek dera e PD-së i thotë nuk kemi taksa ne, na i kanë hequr taksat, por kemi halle të tjera. Vjen këtu në Durrës, në mos gabohem dje ose pardje, shkon me drejtuesit e PD-së në një zonë apo në një tjetër që bëjnë si viktima.  Njëri thotë që nuk më kanë ardhur fare dhe nuk më kanë dhënë asnjë lek. Tjetri thotë i kam refuzuar, nuk i dua unë lekët e këtyre dhe lekët janë në emrat e tyre në bankë, në conton e tyre. Pra, Luli është në një fazë ku përton të fshehë gjurmët. Jo thjesht kur përpiqet të mos shkojë në rrugë të gabuar, por përton të fshehë dhe gjurmët e të shkuarit në rrugë të gabuar.

E pastaj vjen Monika. Kam parë që papritur është apasionuar me Durrësin, bashkë me Ilirin. E kanë kthyer Durrësin në një stacion të një hakmarrjeje imagjinare që do bëjnë këtu në Durrës dhe do përmbysin botën këtu dhe flasin përçart sa njëri, sa tjetri. Çfarë mund t’i bëjë Monika Durrësit? Po Iliri, çfarë do sjellë në Durrës, për durrsakët? Europën?

Po nuk është problem Monika dhe Iliri. Problem është si të ndihmojmë votuesit demokratë. Në Durrës ka votues demokratë, siç ka në të gjithë Shqipërinë, të cilëve Luli u thotë votoni PD-në dhe të cilët do të votojnë PD-në dhe do të kenë Monikën, bashkë me Ilirin peshqesh. Atyre u duhet shpjeguar pse duhet ta refuzojnë këtë ofertë. Sepse është një ofertë katastrofike për vetë Partinë Demokratike e lëre më për Shqipërinë. Por Shqipëria, në këtë rast, nuk është e kërcënuar sepse ata nuk do fitojnë kurrë. Partia Demokratike po, është shumë e kërcënuar nga kjo ofertë.

Ne ndërkohë, nuk jemi në asnjë ankth për të mundur ata. Ankthi ynë është të mundim ata që kemi përballë, se këta i kemi mbrapa. Dhe përballë nesh janë këto malet me plehra që duhen rrafshuar, siç po rrafshohen këtu në Porto Romano, në të gjithë sektorët dhe që ne kemi nisur t’i rrafshojmë në të gjithë sektorët.

Pse, nuk ishin male me plehra, malet e librave që ju shiteshin prindërve për fëmijët e tyre dhe që nuk kishin asnjë lidhje me standartet europiane të mësimnxënies? Lënë nga 20-30 alternativa, domethënë, 20-30 autorë të mbledhur në gjirin e Partisë Demokratike që kopjonin gabim tekse të huaja, të cilat pastaj u shiteshin fëmijëve. 600-700 tituj që ne i rrafshuam njësoj siç po rrafshojmë këtu malet e turpit që ishin mbledhur për vite e vite të tëra, sepse asnjëherë qeveria në Tiranë nuk mendoi për Durrësin, asnjëherë qeveria në Tiranë nuk ju gjend Durrësit në krah, për ta mbështetur siç e kemi mbështetur ne Durrësin, gjithë këto vite.

Kemi filluar ta nxjerrim në dritë dhe akoma më në dritë do ta nxjerrim padiskutim.

Po pse, nuk ishin male si këto me plera që pengonin rrugën e të nësërmes, malet me borxhe në sistemin e shëndetësisë, që kompanitë e importit të ilaceve nuk i jepnin më ilaçe spitaleve, sepse ndërkohë sistemi shëndetësor shqiptar nuk i paguante më dhe u detyruam ne të paguanim çdo gjë. Ishte ajo koha kur nëpër spitale, njerëzit rrinin nëpër kangjella e tundnin përpara kameras recetat që merrnin nga mjekët e u thonin shko e merri në farmaci se këtu nuk ka as aspirina. Apo ishte koha kur në spital shkoje me çarçafë apo me batanije me vete.

Sot, natyrisht nuk janë të gjitha spitalet si shumë prej spitaleve që ne kemi ndërtuar nga e para, që i kemi ndërtuar rrënjësisht. Nuk janë të gjitha spitalet siç është Pediatria e Durrësit. Ka akoma plot për të bërë, por nëse ndalon këtu, edhe këto që janë bërë, shumë shpejt do të kthehen si ato që duhen bërë në të gjitha fushat, nuk ka asnjë diskutim.

Prandaj kjo zgjedhje eshtë shumë e qartë. Por ndërkohë që kjo zgjedhje është shumë e qartë, ne duhet të jemi gati për t’i thënë njerëzve jo se jemi më të mirët, por për t’i dhënë njerëzve ofertën më të mirë në të gjitha aspektet, në të gjitha nivelet.

Më ankoheshin nëpër postimet që kam bërë për Durrësin, njerëz nga Durrësi për ujin. E di që nuk ka mbaruar, jam i vetëdijshëm që nuk ka mbaruar puna, por,  nëse bëjmë një krahasim me sa ujë kishte Durrësi përpara se ne të vinim në detyrë dhe sa ka sot, është e pamundur të bëhet krahasimi. Nëse bëjmë krahasimin mes plazhit të Durrësit, kur në rërë gjeje në çdo hap shkurret jeshile që mbinin sepse nën rërë s’kishte kanalizime, por kishte jashtënxjerrje që grumbulloheshin e ktheheshin në pleh dhe e bënin rërën pjellore, sot, në plazhin e Durrësit kanë mbaruar kanalizimet dhe në zonën e plazhit, uji nuk është siç ishte, është shumë herë më shumë seç ishte.

Pikërisht se nuk ka mbaruar, 60 milionë euro nga kontributi i Francës për rindërtimin, ne i kemi vënë në dispozicion të ujësjellës-kanalizime të Bashksië së Durrësit, për ta mbyllur komplet gjithë projektin dhe për ta bërë të mundur që uji 24 orë të jetë jo vetëm në disa zona, por në të gjithë Durrësin, për ta çuar ujin 24 orë deri në zonën e Durresit të ri. Shkruante njëri nga Këneta, na gënjeu se 8 vjet nuk keni vënë dorën në Kënetë. Për fat të mirë, unë nuk fle gjumë si Lull dhe i rri çdo pune mbi kokë dhe e di shumë mirë se çfarë është bërë në Kënetë dhe çfarë nuk është bërë akoma. Por nuk ka të pavërtetë më të madhe se të thuash nuk keni bërë asgjë në Kënetë dhe nuk janë 8 vjet, janë 7 të numëruara, sepse kemi filluar punën në fund të shtatorit 2013, por kjo nuk ka rëndësi, është një element që mund edhe ta lëmë mënjanë për një moment.

Ajo që nuk duhet lënë mënjanë dhe duhet përsëritur është që, nëse ndërpritet këtu, hedhim në plehra, jo ne, por hedhin në plehra ata që kanë detyrën të marrin vendimin, shqiptarët, gjithë këtë punë të bërë dhe me një të rënë të lapsit i kthen mbrapsht të gjitha. Dhe të jeni të sigurt, që këtu prapë kthehet vargmali I plehrave. Të jeni të sigurtë që në Sharrë fillon prapë tymi, të jeni të sigurt që kthehen prapë librat e mëparshëm dhe jo më falas, siç japim ne, sot, librat e Oxford, Cambridge dhe Pearson. Vetëm 3 alternativa ka sot, vetëm këto të treja, si të gjithë fëmijët në Europë dhe janë falas. Të kthehen librat e Fahri Balliut. E bën Fariu lekë. Ashtu sikundër patjetër kthehet koha e spitaleve kur çdo gjë merret nga shtëpia.

Kjo nuk është propagandë, por është e thjeshtë. Sepse janë të njejtët njerëz dhe jo vetëm janë të njejtët njerëz, por a keni dëgjuar ndonjëherë të thonë se çfarë bënë gabim këta? Jo! Këta mendojnë se i vetmi gabim është në anën  e popullit që na dhanë ne votën në 2013-ën, apo i vetmi gabim që mund të gjejnë është gabimi që i gjen Monika, Ilirit; Që u bë partner me ne. Ndërkohë që për ilir Metën është koha më e lavdërueshme e karrierës së tij.

Ndërkohë, pyetja mbetet, çfarë do Ilir Meta? Çfarë do në Durrës, Ilir Meta? Për çfarë vjen në Durrës? Çfarë do t’i bëjnë durrsakët Ilir Metës akoma? Se durrsakët, bashkë me të gjithë shqiptarët, Ilir Metës i kanë bërë atë që nuk ia kanë bërë asnjë politikani në historinë e shtetit shqiptar, që nga Ismail Qemali e deri më sot. Askënd tjetër, përveç Ilir Metës, shqiptarët nuk e kanë bërë edhe kryeministër 30 vjeç, edhe kryetar parlamenti 40 vjeç, edhe president 50 vjeç. Çfarë kërkon tani, Ilir Meta, për 60 vjetor nga Durrësi? Mos do vilën e Zogut, që ta ketë dhe një vilë në majë të kodrës pas asaj që ka buzë detit? Çfarë do Ilir Meta nga Durrësi Dhe cfarë do nga e gjithë Shqipëria, xhanëm, çfarë mund të kërkojë më? Ndërkohë që e ka bërë institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë destinacionin më qesharak të arsyes njerëzorë, që të vjen zor kur e dëgjon. Të vjen zor e të vjen keq sa s’ka kur e dëgjon. Se as armikut nuk i urohet ajo katandisje në atë gjendje, jo më dikujt që është armiqësuar me gjithë dynjanë, por armik nuk e kemi. Siç nuk kemi armik askënd që flet shqip dhe është shqiptar. Kundërshtar po, patjetër. Deri në fund. Ta dinë të gjithë ata që vazhdon i gënjen mendja se votojnë LSI-në dhe kapin PS-në. Mund të kapin Lulin, po. Të kapin Lulin e ta mbajnë aty në krye të vendit për dhëndër, për opozitë për 4 vite të tjera, por PS-në nuk e kapin.

Nuk ka më kthim mbrapa.

Ne do të shkojmë përpara me njerëzit dhe për njerëzit si forca më e madhe dhe si forca e vetme qeverisëse e këtij vendi. Në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë.

Shumë faleminderit të gjithëve! Shumë respekt për të gjithë vajzat e djemtë, burra e gra që janë përfshirë në këtë proces! Përgëzime edhe vajzës që foli, megjithëse kishte shumë emocione, gjë që është shumë e natyrshme. Aq shumë fjalë sa ke dëgjuar për mua, kur më sheh për herë të parë përballë, mirë u mbajte madje.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Politike

Vizitorët nga Britania hapin sezonin e kroçierave në Durrës, Rama ndan pamjet: Shqipëria po vizitohet në të gjitha format

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë ditën e sotme në rrjetet sociale disa pamje ku shfaqen turistë nga Britania që kanë zbarkuar në Shqipëri me kroçierë.

Sipas kreut të qeverisë ky është një ogur i mirë dhe tregon se vendi po vizitohet në të gjitha format.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Këtë të diel mirëpritëm vizitorët e parë të cilët zyrtarizojnë edhe nisjen e këtij sezoni turistik me kroçiera, ku 50 turistë britanikë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm me kroçierën “Monet” për të vizituar Durrësin dhe sitet turistike të Tiranës, Krujës e zonave përreth, si ogur i mirë për këtë vit turistik ku Shqipëria po vizitohet nga të gjitha anët e në të gjitha format

Rreth 20 mijë turistë britanikë kemi mirëpritur në tre muajt e parë të këtij viti, duke u bërë një prej tregjeve me rritjen më të shpejtë të flukseve turistike për Shqipërinë”, u shpreh  Rama.

Continue Reading

Politike

5 Maji, Rama homazhe te “Varrezat e Dëshmorëve”, ja kush e shoqëron

Sot më 5 Maj përkujtohen të rënët e Shqipërisë. Kryeministri i vendit, Edi Rama bashkë me figura të tjera të politikës në vend kanë qenë të pranishëm në kryerjen e homazheve te “Varrezat e Dëshmorëve”, mes tyre kryeparlamentaren Lindita Nikolla. Po ashtu në ceremoni merrte pjesë dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Te monumenti “Nënë Shqipëri” u vendosën buqeta me lule.

Kujtojmë se kjo ditë përkujtimore zanafillën e ka te vrasja e Qemal Stafës në 5 Maj të 1942, e në nderim të kontributit të tij të madh në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare u caktua Dita e Dëshmorëve. Në këtë datë kujtohen dhe nderohen të gjithë trimat që luftuan për Shqipërinë e lirë.

Continue Reading

Politike

Meta homazhe të Varrezat e Dëshmorëve: PL duhet t’i dalë për zot vendit

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mbajti sot homazhe te Varrezat e Dëshmoreve, ku në shenjë nderimi për të rëndët në luftë, vendosi kurora me lule.

Ai pas homazheve u ndal në një prononcim për mediat, ndërsa nënvizoi faktin se sa me rëndësi është atdheu.

“Për lirinë duhet të sakrifikosh, madje duhet të punosh që ta ruash atë. Ishte kënaqësi që të vendosja kurorë me lule bashkë me Silva Cakën. Apo dhe Petrit Vasilin. Jemi këtu sepse besojmë te shenjtëria e gjakut të dëshmorëve. Besoj shumë te atdheu, dhe ai na duhet të jetojmë të lirë. Themeluesit e kësaj force politike 20 vite më parë, krijuan një forcë të re politike. Kjo forcë politike duhet t’i dalë zot vendit dhe mbi të gjitha atdheut. Ndaj kemi në fokus 5 prioritete kryesore për 4 milionë shqiptarë.”, tha Meta.

Continue Reading

Politike

Presidenti Begaj i uron Pashkët besimtarëve ortodoksë:

 Bashkë me urimin për Pashkë të bekuara e të gëzuara kreu i shtetit përcolli mesazhin e bashkimit dhe mbështetjes së njëri-tjetrit në nevojë, duke shpërndarë besim dhe optimizëm në shoqërinë shqiptare.

Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës për Pashkët:

“Gëzuar Pashkën, ditën e besimit dhe të shpresës për të gjithë besimtarët ortofoksë shqiptarë!

Kjo festë e shenjtë përbashkon sot kudo te gjithe besimtaret ortodoksë.
Pashkët na ftojnë të kemi besim e të jemi shpresëplotë për jetën.
Të mbështesim vëllazërinë, miqësinë e shoqërinë në të mirë e në të keq.
Pashkët simbolizojnë dritën e jetës, ngadhnjimin e jetës mbi vdekjen.
Qirinjtë që besimtarët ortodoksë marrin nga flaka e kandilit në kishë dhe e çojnë në shtëpitë e tyre sonte kanë marre me vete shpresën, besimin dhe optimizmin për një jetesë të paqtë, të gëzuar e plot shëndet.
Ringjallja e këtyre tre elementeve është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë.
Pashkë të bekuara e të gëzuara për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë kudo po i festojnë!

Continue Reading

Politike

Sot Pashkët ortodokse, ja urimi i kryeministrit Rama

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me një urim për besimtarët ortodoksë, të cilët festojnë Pashkët. Përmes një mesazhi, kreu i qeverisë ka publikuar një foto nga ceremonia e festimit të Pashkëve.

“MIRËMËNGJES
Gëzuar Pashkët Ortodokse ”, shkruan Rama.

Kujtojmë se Pashkët festohen në mbarë botën nga besimtarët ortodoksë.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING