Connect with us

Bota

Mamdani e kërcënoi, por Trump ‘jep besën’: Netanyahu nuk do të arrestohet në Amerikë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet gjatë qëndrimit të tij në territorin amerikan, duke reaguar ndaj deklaratave të fundit të kryebashkiakut të Nju Jorkut, Zohran Mamdani.

“Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet, në asnjë formë, ndërsa ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social, duke vlerësuar gjithashtu rolin e Netanyahut gjatë luftës me Iranin.

Deklarata e presidentit amerikan vjen dy ditë pasi Mamdani, në një intervistë për New York Times, tha se po zhvillohen diskutime për mundësinë ligjore të arrestimit të Netanyahut nëse ai merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.

“Besoj se vendi i kryeministrit Netanyahu është në Hagë. Ai është një kriminel lufte ndaj të cilit Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër arresti”, tha Mamdani.

Megjithatë, ai pranoi se nuk është e qartë nëse autoritetet lokale kanë kompetencë për të vepruar ndaj një udhëheqësi të huaj, duke shtuar se “po zhvillohen diskutime aktive” me autoritetet e Nju Jorkut për këtë çështje.

Komentet e kryebashkiakut u dënuan nga zyrtarët izraelitë. Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, deklaroi se ato “nuk do të ndryshojnë asgjë” dhe se Netanyahu do të udhëtojë gjithsesi në Nju Jork.

“Zoti Mamdani duhet të merret me problemet që politikat e tij po shkaktojnë në Nju Jork”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit izraelit.

Gjykata Penale Ndërkombëtare me seli në Hagë lëshoi në vitin 2024 urdhër-arrest ndaj Benjamin Netanyahut për akuza që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës, në kuadër të ofensivës izraelite pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Kryebashkiaku i New Yorkut, Zohran Mamdani, ka lëshuar një deklaratë të ashpër kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke e cilësuar atë si “kriminel lufte” dhe duke kërkuar që qeveria federale amerikane të zbatojë urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

“Benjamin Netanyahu është një kriminel lufte, arkitekti i një gjenocidi të tmerrshëm kundër popullit palestinez”, deklaroi Mamdani.

Sipas tij, Netanyahu mban përgjegjësi për vrasjen e më shumë se 73 mijë palestinezëve, gjymtimin e dhjetëra mijëra fëmijëve, sulmet ndaj spitaleve, qendrave të kujdesit për nënat dhe të porsalindurit, si dhe pengimin e ushqimeve dhe ndihmave humanitare që duhej të mbërrinin në Gaza.

Mamdani përmendi gjithashtu vrasjen e qindra punonjësve humanitarë dhe gazetarëve, ndërsa theksoi se një pjesë e armatimeve të përdorura nga Izraeli financohen nga taksapaguesit amerikanë.

“Ekziston një arsye pse Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër për arrestimin e tij. Ka krime kaq të rënda saqë konsiderohen si një fyerje ndaj gjithë njerëzimit. Çdokush që ka sy, zemër dhe ndërgjegje duhet ta kuptojë shkatërrimin që ai ka shkaktuar dhe se vendi i tij është përpara një gjykate”, u shpreh ai.

Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi në vitin 2024 një urdhër-arrest ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për akuza që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Autoritetet izraelite i kanë kundërshtuar akuzat.

Mamdani bëri të ditur se administrata e tij kishte shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore për të përcaktuar nëse autoritetet e New Yorkut mund ta zbatonin urdhër-arrestin në rast se Netanyahu do të vizitonte qytetin.

Megjithatë, sipas tij, Bashkia e New Yorkut nuk ka autoritet të pavarur ligjor për ta arrestuar kryeministrin izraelit.

“Është e qartë se ne nuk e kemi autoritetin e pavarur ligjor për ta zbatuar këtë urdhër. Qeveria federale, megjithatë, e ka këtë autoritet dhe unë i bëj thirrje që t’i bashkohet Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe ta ekzekutojë urdhrin”, deklaroi kryebashkiaku.

Në përfundim, Mamdani dha një mesazh të prerë:

“Dua të jem krejtësisht i qartë: Benjamin Netanyahu nuk është i mirëpritur në New York, ashtu siç nuk është i mirëpritur asnjë kriminel tjetër lufte në arrati. Ne nuk mund ta ndalim të vetëm gjenocidin, por mund të vendosim nëse heshtja jonë do të shndërrohet në një armë tjetër.”

Advertisement