Connect with us

Aktualitet

Arrestohet i dyshuari për sulmin ndaj Gjergj Zefit/ Pse SPAK nuk ndërhyn për të goditur grupin kriminal në Elbasan?

Renato Bodurri dyshohet se është pjesë e grupit që është paguar nga një grup kriminal në Elbasan, për të sulmuar fizikisht gazetarin Gjergj Zefi.

Është arrestuar më në fund me urdhër të Prokurorisë, Renato Bodurri, i dyshuar si një nga pjesëmarrësit në sulmin burracak dhe kriminal ndaj gazetarit Gjergj Zefi, pasditen e 3 tetorit 2023, në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë.

Urdhri për arrestimin e Bodurrit është firmosur nga prokurori Saimir Hysi. Pavarësisht reagimeve të forta mediatike deri tek Presidenti i Republikës, u deshën dy muaj që i dyshuari të arrestohej.

Prova që e lidh Renato Bodurrin në sulmin fizik ndaj Gjergj Zefit është një targë makine, me të cilën 5 personat, menjëherë pas dhunës ndaj gazetarit, janë larguar. Kjo targë ka qenë e fiksuar në një automjet tip “Volsvagen”.

Renato Bodurri dyshohet se është pjesë e grupit që është paguar nga një grup kriminal në Elbasan, për të sulmuar fizikisht gazetarin Gjergj Zefi, për shkak të denoncimeve të portalit Pamfleti.

Sulmi ndaj gazetarit Gjergj Zefi besohet se është sponsorizuar dhe urdhëruar nga një ose dy figura të krimit dhe korrupsionit. Më pas sulmi besohet se është marrë përsipër nga një grup kriminal në Elbasan.

Renato Bodurri është i besuar dhe menaxher i grupit kriminal në Elbasan, Çopja, me aktivitet në trafikun e drogës, shkatërrim prone, krime kundër personit etj., por që çuditërisht ende SPAK nuk i ka marrë në dorë, siç po operon me grupet e tjera, kapot e të cilëve do t’a kalojnë pjesën tjetër të jetës në burg.

Renato Bodurri është menaxher në lokalin e famshëm Living në Elbasan, në pronësi të grupit Çopja. Për lokalin Livin si pjesë e perandorisë kriminale dhe të investimit të parave të drogës, kanë shkruar gjerësisht mediat britanike.

Ky grup kriminal ka lidhje të forta me dhëndrin e Qazim Sejdinit, me Suel Çelën, disa politikanë, oligarkë si dhe grupe të tjera kriminale. Nga ana e strukturave ligjzbatuese është parë një mungesë vullneti për të vepruar dhe zbardhur ngjarjen, për të vënë para përgjegjësisë ligjore urdhëruesit dhe zbatuesit e sulmit, të cilët rrezikojnë deri në 5 vite burg. Prapaskena ka raportuar më herët interesimin e një koke krimi me sekserë për të bllokuar dhe sabotuar hetimet./Pamfleti

Advertisement