Connect with us

Politike

Rakipi debat me Klosin: Ç’është ky kryeministër që thotë më hëngrën dardhat prapa shpine

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ku ka debatuar me Ylli Rakipin, lidhur me faktin që disa eksponentë të kësaj partie po shkojnë prapa hekurave, ndërsa njerëzit e kupolës po shpëtohen, ndërkohë që kryeministri thotë se nuk di asgjë për korrupsionin që ka ndodhur dhe “i kanë ngrënë dardha prapa shpine”.

Blendi Klosi: Ai është kongresi ynë i brendshëm. Një kongres që ishte një ekspoze e atyre që kemi bërë. Të gjithë folësit e kishin fjalën e tyre të strukturuar, do të flisnin për çfarë ka ndodhur dhe çfarë do t’i ofrojmë Shqipërisë deri në 2030. Nëse shqiptarët ndihen mirë me atë që është bërë, e tregon vota. Nuk votohet nëpër studio televizive. Shumica e gjërave që kemi bërë janë pozitive për njerëzit dhe e treguan zgjedhjet. PS ka prodhuar dhjetëra, mbase mbi 100 ministra, ka prodhuar nja 180 kryetarë bashkie. Disa kanë ngjarje dhe po hetohen. Ky nuk është as një numër maksimal dhe as një numër shumë shumë i madh. Ajo që ndryshon dhe u tha në Kongres, është se askush nga këta nuk ka marrë mbrojtjen e PS dhe PS nuk është bërë barrikadë. Nuk jemi si Berisha, që mbronte ministrat, shante prokurorët.

Ylli Rakipi: Nëse Kryeministri i vendit del sot dhe thotë, nuk kam faj unë për atë që hanë “dardha” prapa krahëve të mi. Pastaj del nesër dhe thotë nuk kam faj unë për atë që hanë “limonë”, etj, etj. Atëherë kjo zotëri, ky kryeministër ç’punë bën? Pse duhet të jetë në këtë detyrë? Se ky qenka i paaftë. Nëse ky nuk e kupton, që pjesa dërrmuese e ministrave të tij, që janë prapa hekurave sot…

Blendi Klosi: Jo pra, sapo e thashë. Nga 100 ministra që ka prodhuar kjo mazhorancë, 3-4 prej tyre po gjykohen.

Ylli Rakipi: Po them edhe nivelet e tjera. Vetëm pardje ke 15 fletë-arreste vetëm për inceneratorin e Tiranës dhe talleni me popullin shqiptar në mënyrën më të tmerrshme në botë. Është si të kem unë një problem me emisionin dhe ju të kapni operatorin.

Blendi Klosi: Po nëse problemi është shkaktuar nga operatori, po.

Ylli Rakipi: Gjoja keni bërë drejtësi të re dhe vini dhe kapni punonjësit dhe drejtorët. Ore Erion Veliaj nuk gjykohet në këtë histori?

Blendi Klosi: Po pse çfarë ka Erion Veliaj?

Ylli Rakipi: Janë prishur 100 e ca milionë euro dhe kaq? Doni të na bëni për budallenj fare? Si ka mundësi?

Blendi Klosi: Ju prisni që ne të kemi debat në PS për kënaqësinë tuaj. Pse nuk ka Kongresi sherr?

Neritan Sejamini: Zoti Klosi thotë ne kemi harmoni, ju pse jeni xhelozë për harmoninë tonë….

Blendi Klosi: Ka probleme me procedurën, ato po gjykohen. Nuk ka probleme me praktikën. Do të gjykohet procedura.

Ylli Rakipi: Ju jeni më dele se Partia Demokratike. Shiko sa dele jeni ju… Jo ti, se ti vjen edhe në emision sepse nuk je hajdut.

Blendi Klosi: Ne jemi familje politike, secili mban përgjegjësi.

Ylli Rakipi: Familje që nuk lë gjë pa vjedhur. Ju i bini Arben Ahmetajt tani, e bëni copa-copa, se nuk e do kryeministri. Erion Veliun dhe këtë tjetrin Beqajn, i hiqni. Nuk është në aferë ministri, por janë ata poshtë. Nuk është në aferë Erion, por janë drejtorët, përfshirë edhe kushëririn e gruas së Erion Velisë. Na bëni tani copa budallenjsh dhe thoni na dëgjoni ne.

Blendi Klosi: Mbase në Kongres në tetë orë, dy orë u fol për këtë. Ne nuk jemi drejtësia. Ja kemi dalë të realizojmë këtë fakt. PS e ngriti, PS e votoi, PS dha kontributin e saj, për të krijuar nëj institucion që është drejtësia. Nuk gjykojmë dot as pozitivisht as negativisht, ato që drejtësia deklaron. Në rastet që përmendët, janë vendime të gjyqësorit.

Advertisement