Politike
Shehi: Me dhe pa Berishën opozita do ta bëjë punën e saj
Ditën e sotme Gjykata do të marrë vendim nëse do të pranojë kërkesën e SPAK-ut për të ndryshuar masën e sigurisë në arrest shtëpie në Sali Berishën.
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi u pyet për atë që do ndodhë më pas. Ai u shpreh se se Berisha nuk është problemi i opozitës.
“Arrestim nuk ka këtu. Edhe arrest shtëpie them që nuk ka për të ndodhur. Së pari do të uroja që Berisha të shkojë të paraqitet si të gjithë qytetarët e tjerë. Të kthehet në një histori normale. Normale nuk është por që kanë ndodhur në politikën shqiptare. Nuk po ndodh hataja, fundi i botës. Opozita shqiptare me Berishë pa Berishë do ta bëjë punën e vet.
Berisha nuk e ka statusin moral dhe politik për të drejtuar. Thonë ka 500 mijë vota. Por nuk i ka të gjitha Berisha, por janë ata që nuk duan Edi Ramën. Ne na duhet një zgjidhje tjetër. Opozita nuk mund të jetojë me lavdinë e shkuar dhe anti-komunizmin bosh. Prandaj nuk do ta dramatizoja këtë që po ndodh. Uroj mos të përfundojë me arrestime dhe këto” tha ai.
Por a ndërpritet nesër karriera politike e Berishës nëse ndaj tij caktohet masë sigurie arrest shtëpie?
“Berisha aty do jetë përsëri nëse nuk ka dëshirë me u largu vetë. Unë gjykoj se çfarë është në favor të Berishës. Secili mban kryqin e vetë në historinë personale. Ne do vijmë pas një viti e gjysmë kemi zgjedhje. Kemi humbur dy vite e gjysmë me këtë histori boshe. Unë e kam fjalën nëse do gjejmë shteg tjetër. S’mund të jetojmë gjithnjë me këtë ide që ai ka bërë këtë e atë”, u shpreh Shehi.