Kosova
KFOR-i katërfishon prezencën në veri, Ulutas: NATO e palëkundur për stabilitetin në rajon
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas thotë se kanë katërfishuar numrin e trupave në veri pas agresionit serb të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Në intervistën për KosovaPress, Ulutash e vlerëson të qetë situatën në veri të vendit, porse thekson se e njëjta vazhdon të jetë e brishtë.
Ai vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, derisa thotë se KFOR-i vazhdon të operojë si reaguesi i tretë i sigurisë.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide, duke e përshtatur qëndrimin tonë sipas nevojës, dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thotë ai në intervistën me shkrim për KosovaPress.
Intervista e plotë me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas:
KP: Çfarë mund të na thoni për situatën në Kosovë pas agresionit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit?
Ulutas: Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por e brishtë. Ne po ndjekim nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë. Pas një rritjeje të tensioneve në muajt e fundit, NATO ka vendosur 1000 trupa shtesë dhe mjete më të rënda. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Këto janë hapa të matur për të siguruar që misioni i KFOR-it të ketë burimet e nevojshme.
Ne kemi një qëndrim të shkathët dhe fleksibil në të gjithë Kosovën që na lejon t’i përgjigjemi çdo skenari, duke respektuar plotësisht mandatin tonë të OKB-së. KFOR-i është i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KP: A është i gatshëm KFOR-i t’i përgjigjet çfarëdo kërcënimi nga jashtë?
Ulutas: NATO ka dislokuar forca shtesë rezervë me kapacitete shtesë në Kosovë, pas tensioneve të fundit, në mënyrë që të përmbushë mandatin e saj të OKB-së dhe të pengojë çdo veprim të mëtejshëm. Fuqia e misionit tonë është aktualisht prej rreth 5,000 trupash, me kontribute nga 27 vende, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Mandati i KFOR-it është i qartë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999; të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes.
KFOR-i vazhdon të operojë si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët ne bashkëpunojmë ngushtë.
KP: Së fundmi krerët e shteteve kanë paralajmëruar se “Serbia po përgatitet për sulme të reja”. Të tilla paralajmërime ka bërë edhe deputetja britanike, Alicia Kearns, për armatosjen e serbëve në Kosovë përmes manastireve. A ka raste të tjera? A keni një informacion të tillë? Si e shihni dislokimin e trupave shtesë të Serbisë pranë kufirit me Kosovën?
Ulutas: Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide, duke e përshtatur qëndrimin tonë sipas nevojës, dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Fokusi ynë kryesor është në zbatimin e mandatit tonë të OKB-së për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KP: A mund të na thoni më shumë për bashkëpunimin me FSK-në?
Ulutas: KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare dhe vendore, dhe vlerëson vazhdimisht situatën e sigurisë në Kosovë.
Jemi në kontakt të ngushtë me institucionet në Kosovë dhe me organizatat e sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e mbrojtjes serbe. Kjo është e rëndësishme për të shmangur keqkuptimet, veçanërisht në kohë krize dhe kur tensionet janë të larta.
Siç u tha qartë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, “çdo vendosje e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin e KFOR-it”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu theksoi se
“Ne presim konsultime në kohë për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”. Unë mbështetem në të gjithë homologët e mi për të vazhduar bashkëpunimin tonë të rregullt për këto çështje të rëndësishme.
KP: NATO po shqyrton rritjen afatgjatë të kontingjentit paqeruajtës në Kosovë. Çfarë mund të na thoni për këtë, sa kohë do të zgjasë?
Ulutas: Për më shumë se dy dekada KFOR-i ka ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Angazhimi i NATO-s ndaj KFOR-it mbetet i fortë edhe sot.
Kjo u ripohua me zë të lartë dhe qartë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë udhëtimit të tij të fundit në muajin nëntor në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, dhe Maqedoninë e Veriut. Ai udhëtim ishte në fakt një tjetër demonstrim konkret i përkushtimit të palëkundur të NATO-s për stabilitetin në rajon.
KFOR-i ka dëshmuar vazhdimisht se është në gjendje t’u përshtatet sfidave dhe ndryshimeve të ndryshme në mjedisin tonë operacional, falë një qëndrimi fleksibil, të shkathët dhe të dukshëm në mbarë Kosovën. Misioni ynë ka qenë gjithmonë i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga planet, që do të thotë se çdo ndryshim në aspektin e numrit të personelit ose qëndrimit të KFOR-it do të bazohet në një vlerësim të kushteve në terren i ndjekur nga një vendim nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi vendimmarrës i NATO-s.