Connect with us

Aktualitet

Pas vizave, ja kush është hapi i radhës i BE-së/ Thijs Reuten lëshon thirrjen

Deputeti nga radhët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, Thijs Reuten, beson se hapi i radhës i Bashkimit Evropian në raport me Kosovën pas liberalizimit të vizave do të jetë procesi i aplikimit të anëtarësimit të Kosovës në Unionin Europian.

“Pas vonesave krejtësisht të panevojshme për udhëtimin pa viza në BE për të gjithë qytetarët e Kosovës, hapi i radhës do jetë procesimi i aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit në Evropë” –  ka shkruar Reuten në platformën sociale, X.

Me fundin e vitit 2023, Spanja përmbyll kryesimin e Bashkimit Evropian duke ia dorëzua kështu mandatin Belgjikës për gjashtë muajt e pare të vitit 2024.

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar Kosova dorëzoi zyrtarisht dokumentet e nevojshme për aplikim për anëtarësim në Union. Që nga ajo kohë e deri më sot dokumentacioni i Kosovës nuk është shqyrtuar, edhe pse kur kryesimin e BE-së e pati Suedia, pati përpjekje që Këshilli i BE-së të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe eventualisht t’i japë mandat Komisionit Evropian për të përpiluar mendimin rreth këtij aplikimi.

Por, as Suedia nuk arriti të sigurojë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare për një gjë të tillë, teksa Spanja ishte ndër vendet që më së shumti e kundërshtoi atë. Tani kur Belgjika merr kryesimin e radhës nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund të vitit 2022 kur kryesimin e kishte Çekia.

“Kjo është edhe çështje ligjore, pasi pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur të gjitha vendet anëtare dhe për zgjerimin vendoset me consensus” – janë shprehur nga Brukseli.

Advertisement