Kronike
41-vjeçarja vrau veten pasi u bullizua në Tik-Tok, dëshmia e bashkëshortit: Ishte në stres
Është zbardhur dëshmia e bashkëshortit të 41-vjeçares, Bedri Loka që vrau veten duke konsumuar fostoksinë, më 2 janar. Ai ka thënë se ajo ishte tepër e shqetësuar për profilin që i kishin hapur, ku e fyenin dhe ofendonin.
“27 dhjetor kam mbërritur në Shqipëri. Gruaja ka pasur stres dhe ankth kohët e fundit, mund të ketë kryer këtë veprim si pasojë, pasi rreth një vit më parë persona të paidentifikuar i kanë hapur një adresë në Tik Tok në emrin e saj, dhe për këtë ka bërë kallëzim penal… natën para ngjarjes, gruaja ka qenë në rregull dhe nuk ka pasur shqetësime dhe kemi festuar natën e Vitit të Ri. Por prej kohësh ajo kishte shfaqur ide se nuk përballonte dot foton që i kishin publikuar në Tik Tok. Kur u ngrita në mëngjes e pashë të shtrirë te dhoma e ndjenjës, në mes të shtëpisë. E çova në spitalin e Durrësit dhe aty më thanë se ka pirë fostoksinë dhe e nisën në Tiranë”, ka deklaruar.
Dyshohet se kolegët e punës, ku 41-vjeçarja punonte në një fasoneri, i kanë hapur llogari denigruese në TikTok. Por kjo ngjarje e rëndë është e paralajmëruar më para dhe mund të evitohej, nëse policia do të kishte bërë punën e saj.
Kjo pasi Loka një vit më parë kishte bërë denoncim në polici, për hapjen e llogarisë në këtë rrjet social. Por mesa duket, policia zgjodhi që të heshtte dhe mos të merrte asnjë veprim për denoncimin e 41-vjeçares. Por tashmë edhe pse shumë vonë, policia ka nisur hetimet dhe po merr në pyetje të gjithë personelin e fasonerisë me qëllim për të zbuluar personin apo personat që kanë hapur adresën false.