Connect with us

Bota

Mbajti sekret shtrimin në spital, Presidenti Biden nuk ka në plan të shkarkojë Sekretarin e Mbrojtjes Austin

Presidenti Joe Biden nuk ka në plan të shkarkojë Sekretarin e Mbrotjes Lloyd Austin për shkak të mbajtjes sekret të shtrimit të tij në spital, tha të hënën Shtëpia e Bardhë, në një kohë që drejtues të lartë republikanë po bëjnë thirrje për largimin e tij nga detyra.

Zoti Austin, i cili për nga hirearkia, është pas Presidentit Biden, në zinxhirin komandues të ushtrisë amerikane, e mbajti sekret për ditë të tëra si për Presidentin edhe për publikun, faktin që u vu nën kujdes mjekësor në 1 janar.

“Nuk ka asnjë plan tjetër, përveç se Sekretari Austin të vazhdojë të jetë në këtë detyrë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby.

Po të hënën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, tha se Presidenti Biden vazhdon të ketë “besim të plotë” tek zoti Austin mes pikëpyetjeve të ngritura nga ligjvënësit mbi mbajtjen të fshehtë nga shefi i Pentagonit të faktit se ishte shtruar në spital.

“Presidenti ka besim të plotë, vazhdon të ketë besim te Sekretari Austin,” u tha zëdhënësja Jean-Pierre gazetarëve ndërsa Presidenti Biden udhëtonte për në Karolinën e Jugut. Ajo tha se Presidenti Biden bisedoi me zotin Austin të shtunën dhe e vlerësoi faktin që ai mori “përgjegjësinë e plotë” mbi mosinformimin e Shtëpisë së Bardhë për shtrimin e tij në spital.

Të dielën, Pentagoni dha detaje të reja në lidhje shtrimin e zotit Austin, duke thënë se ai iu nënshtrua një trajtimi mjekësor më 22 dhjetor dhe u kthye në shtëpi një ditë më pas. Sipas Pentagonit, Sekretari Austin u vu nën kujdesin intensiv më 1 janar për shkak të dhimbjeve të forta. Ai vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve dhe një ditë më parë, Pentangoni njoftoi se nuk kishte një datë të saktë se kur ai mund të dalë nga spitali.

Pentagoni bëri publik këto informacione, në një kohë që anëtarët e të dy partive në Kongres shprehën shqetësime të forta për mbajtjen të fshehtët të shtrimit të tij dhe faktit që presidenti dhe udhëheqës të tjerë të lartë nuk u vunë në dijeni për një gjë të tillë, ditë të tëra.

Deklarata e lëshuar nga gjeneralmajori i Forcave Ajrore Pat Ryder, megjithatë, nuk jepte ndonjë detaj në lidhje me ndërhyrjen mjekësore apo se çfarë ndodhi realisht të hënën e shkuar, që detyroi vënien në kujdes intensiv të Sekretarit Austin, në Spitalin ushtarak Walter Reed në Meriland.

Mos informimi mbi shtrimin e tij në spital, i Presidentit Biden, Këshillit të Sigurisë Kombëtare apo drejtues të tjerë të lartë të Pentagonit, për ditë me radhë, pasqyron një mungesë të pazakontë të transparencës rreth sëmundjes së tij, seriozitetit të gjendjes së tij shëndetësore dhe datës së daljes së tij nga spitali. Kjo mungesë transparence në një kohë kur Shtetet e Bashkuara përballen me një sërë krizash të sigurisë kombëtare bie ndesh me praktikat normale të presidentit, zyrtarëve të tjerë të lartë dhe anëtarëve të kabinetit amerikan.

Zëdhënësi i Pentagonit tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Nënsekretarja e Departamentit të Mbrojtjes Kathleen u njoftuan në datën 4 janar, se ai ishte shtruar në date 1.

Pasi u njoftua, Nënsekretarja nisi përgatitjet mbi komunikimet me Kongresin dhe planifikoi kthimin në Uashington. Ato ditë, ajo ndodhej në Porto Riko, por i kishte të gjitha komunikimet e nevojshme për të kryer disa nga detyrat e Sekretarit, të martën.

Pentagoni nuk tha nëse zonjës Hicks iu dha një shpjegim të martën përse ajo po merrte disa nga detyrat e Sekretarit Austin, por transferimet e përkohshme të autoritetit nuk janë të pazakonta dhe shpesh bëhen pa shpjegime të hollësishme. Zonja Hicks vendosi të mos kthehej pasi u informua se Sekretari Austin do të rimerte plotësisht përgjegjësitë e detyrës të premten.

Presidenti Biden u njoftua mbi shtrimin në spital të Sekretarit Austin, të enjten, nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, thanë tre burime që ishin në dijeni të çështjes dhe folën në kushte anonomiteti me agjencinë e lajmeve Associated Press.

Në një deklaratë të lëshuar të shtunën, Sekretari Austin mori përgjegjësinë për vonesën e njoftimit të publikut mbi gjendjen e tij shëndetësore.

“E kuptoj që unë mund të kisha bërë një punë më të mirë lidhur me informimin e publikut. Zotohem se do të bëj një punë më të mirë në këtë drejtim”, tha ai përmes deklaratës, duke pranuar shqetësimet për mungesë transparence. “Por është me rëndësi të thuhet se kjo ishte një ndërhyrje mjekësore e imja dhe unë marr përgjegjësi të plotë për vendimet mbi njoftimin e publikut për këtë çështje”, shtoi ai.

Zoti Austin, 70 vjeç, vazhdon të jetë shtruar në spital dhe zyrtarët nuk kanë qenë në gjendje të thonë se kur do të mundë të dalë. Në deklaratën e tij, zoti Austin tha se po përmirësohet dhe mezi pret të kthehet së shpejti në Pentagon, por nuk dha detaje të tjera rreth sëmundjes së tij.

Senatori republikan Roger Wicker tha se ky episod gërryen besimin tek administrata e Presidentit Biden dhe i bëri thirrje departamentit të Mbrojtjes që t’u sigurojë ligjvënësve një “pasqyrë të plotë të fakteve “.

“Jam i lumtur të dëgjoj se Sekretari Austin është në gjendje më të mirë dhe i uroj shërim të shpejtë,” tha zoti Wicker përmes një deklarate. “Megjithatë, fakti mbetet, Departamenti i Mbrojtjes mbajti sekret gjendjen e tij shëndetësore. Kjo është e papranueshme”, tha ai.

Nuk janë vetëm republikanët ata që po ngrenë alarmin. Në një deklaratë të përbashkët, ligjvënësi republikani Mike Rogers dhe ai demokrati Adam Smith, thanë se “ishin të shqetësuar mbi mënyrën se si u menaxhua mbajtja sekret e gjendjes shëndetësore të Sekretarit”.

“Transparenca është jashtëzakonisht e rëndësishme,” thanë dy ligjvënësit. “Zoti Austin duhet të japë detaje shtesë mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe procesin e vendimmarrjes”.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken shprehu mbështetje për zotin Austin gjatë një konferencë për shtypin, në Katar, të dielën.

“Ai është një udhëheqës i jashtëzakonshëm për vendin. Mezi pres ta shoh plotësisht të rikuperuar dhe të bashkëpunojmë krah për krah gjatë këtij viti,” tha ai.

Ish-presidenti Donald Trump, tha të dielën mbrëma se Sekretari Austin duhet të shkarkohet për “sjelljen e tij të pahijshme profesionale dhe për mospërfillje të detyrës”. “Ai u zhduk për një javë dhe askush, duke përfshirë shefin e tij, Joe Biden, nuk kishte asnjë të dhënë se ku ishte, apo ku mund të ishte ai”, shkroi ish-presidenti Trump në rrjetin Truth Social.

Zëdhënësi Ryder tha se Sekretari Austin është në gjendje të përmbushë të gjitha detyrat e tij, të ketë komunikime të sigurta nga spitali Walter Reed dhe se është në komunikim të vazhdueshem me stafin e ngushtë, për t’u njohur me zhvillimet e fundit dhe për të dhënë udhëzimet e nevojshme.

Shoqata e Shtypit në Pentagon, e cila përfaqëson mediat që ndjekin zhvillimet atje, i dërgoi një letër proteste të premten zëdhënësit të Pentagonit Pat Ryder dhe ndihmës sekretarit për marrëdhëniet me publikun, Chris Meagher, mbi mungesën e transparencës .

Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë qenë më transparentë rreth shtrimit të tyre në spital. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrrick Garland, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje mjekësore në vitin 2022, informoi zyrën e tij dhe publikun një javë para ndërhyrjes mjekësore mbi ditën se kur do të dilte nga spitali dhe kur do të kthehej në punë.

Bota

Lufta në Ukrainë/ 125 ushtarë të vrarë në Donbass në 24 orë

UKRAINA- Ushtarët e grupit taktik Lindor të Forcave të Armatosura Ruse kanë eliminuar 125 luftëtarë ukrainas në 24 orët e fundit në Donbass. Tass raporton këtë informacion, duke cituar deklaratat e zëdhënësit të grupit Alexander Gordeyev.

“Gjatë veprimeve aktive, ushtria përmirësoi pozicionet e tyre përgjatë vijës së frontit. Sulmet ajrore, zjarri artilerie, sisteme të rënda flakëhedhëse goditën pozicionet dhe pajisjet e Brigadës 128 të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës. Në afërsi të Makarovkës u shkatërruan 125 personel ushtarak të armikut, automjete luftarake të këmbësorisë, një raketë, pesë dronë me krahë fikse dhe dy depo municionesh.”, u tha në deklaratë.

Ndërkohë presidenti Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se sulmi në Kharkiv mund të jetë vala e parë e nisjes së një ofensive më të madhe nga Rusia.

Continue Reading

Bota

Rusia hap front të ri ndërsa Ukraina pret armët perëndimore

Forcat ruse po zgjerojnë sulmet e tyre në vendbanimet kufitare të Ukrainës afër qytetit verilindor të Kharkivit, duke hapur një front të ri në lufte. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, pyetja që shqetëson mbështetësit e Kievit është nëse armët amerikane dhe evropiane, që pritet të arrijnë në Ukrainë në javët e ardhshme, do të ndihmojnë forcat e Kievit të zmbrapsin sulmet ruse?

Trupat ruse po përpiqen të marrin nën kontroll fshatrat e Ukrainës rreth 30 kilometra në veri të qytetit Kharkiv. Forcat e Kievit publikuan këto pamje që tregojnë luftime të ashpra të filmuara së fundmi pranë qytetit kufitar, Vovchansk.

Ukraina ka lëshuar raketa nga rajoni kufitar drejt Rusisë. Moska pretendoi se nga ky sulm javën e kaluar në një ndërtesë apartamentesh në Belgorod, u vranë shtatë persona.

“Ka shumë arsye pse Rusia filloi sulme të reja. Ata duan të krijojnë një zonë sigurie në kufi me Ukrainën, por edhe të testojnë mbrojtjen ukrainase. Megjithatë, mënyra se si po e bëjnë këtë dhe numri i trupave që kanë, duke sulmuar në grupe të vogla këmbësorie, nuk sugjeron se ata po përpiqen të rrethojnë Kharkivin ose diçka të ngjashme”, thotë Patrick Bury, analist i mbrojtjes në Universitetin e Bathit në Britani.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbërriti në Kharkiv të enjten pasi anuloi udhëtimet jashtë vendit. Kievi tha se forcat ukrainase kishin ngadalësuar përparimin e forcave ruse.

“Për momentin Rusia është në avantazh të thellë përsa u përket municioneve”, thotë analisti Bury.

Forcat ukrainase ende po presin për pjesën më të madhe të armëve, që janë pjesë e ndihmave amerikane me vlerë 60 miliardë dollarë, që u miratuan muajin e kaluar, pas një vonese gjashtëmujore.

“Ndihma amerikane është thelbësore, prandaj vonesa në dërgimin e armëve pati ndikim në front dhe kjo është ajo që po shohim tani”, thotë Serhii Rakhmanin, anëtar i Komisionit Parlamentar ukrainas për Sigurinë Kombëtare.

Ukraina thotë se forcat ruse kryejnë sulme ajrore përpara sulmeve të këmbësorisë. Kievi ka kërkuar vazhdimisht sisteme të mbrojtjes ajrore.

Muajin e kaluar, Ukraina miratoi një projekt-ligj për mobilizim ushtarak për shkak të numrit të pamjaftueshëm të trupave.

“Mendoj se tre muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për Ukrainën pasi rusët po shfrytëzojnë mundësitë e krijuara. Fuqia e forcave ukrainase është zvogëluar dhe rusët e ndjejnë këtë. Ata kanë grumbulluar sasi armësh, municionesh, personel dhe tani po përdorin maksimumin e rezervave të tyre. Ata po përpiqen të shpërndajnë forcat tona në të gjithë vijën e frontit”, thotë zoti Rakhmanin.

Pyetja kryesore tani është nëse Ukraina dhe aleatët perëndimorë mund ta ndryshojnë situatën?

“Mundësitë që ata të çlirojnë territore në një afat të mesëm duket se po ikin. Nëse nuk ka një rritje të mbështetjes perëndimore dhe një strategji afatgjatë për të arritur sukses, gjëra që momentalisht nuk po ndodhin, atëherë mendoj se Ukraina do të vazhdojë vetëm të mbrojë atë që ka nën kontroll”, thotë analisti Patrick Bury.

Analistët thonë se Rusia ka qenë në gjendje të rindërtojë fuqinë e saj ushtarake gjatë gjashtë muajve të fundit me ndihmën e Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut. Kjo e bën çdo ofensivë të ardhshme ukrainase më të vështirë.

Continue Reading

Bota

Video shokuese e ushtarëve izraelitë që tymosin ‘shisha’ para shpërthimeve masive në Gaza

Video të disa shpërthimeve të kontrolluara të pallateve rezidenciale në Rripin e Gazës janë publikuar në rrjetet sociale nga ushtarë izraelitë, duke shkaktuar reagime shokuese në publik si për manyrën ashtu dhe për motivet e tyre.

Pamjet ishin postuar nga batalioni xhenier 8219 Commando teksa zhvendoseshin në territorin palestinez, sipas analistëve të rrjetit Bellingcat, shkruan e përditshmja britanike Metro.

Në një prej klipeve shihen shkatërrimet e pallateve të banimit pranë spitalit të Al-Quds në zonën Tel al-Hawa, të qytetit të Gazës.

Në një tjetër video ushtarët izraelitë qëndrojnë në një ballkon teksa prapa tyre ngrihet retë gjigante të tymit të shpërthimeve te komanduara.

Por komandot e relaksuar shihet që tymosin shisha dhe ngrejnë gotat e pijes teksa një tjetër shpërthim masiv ndodh në sfond.

Ushtria izraelite thotë se po rrafshon lagje të tëra të bombarduara më parë në Gaza që ‘të mos kthehen në komplekse për terroristët’.

Por rrjeti Bellingcat i përshkruan shpërthimet si ‘shkatërrimi gjerë e sistematik’ i infrastrukturës civile, i quajtur nga përfaqësues të OKB si ‘domicid’, për të mohuar kthimin e palestinezëve në territor.

Studiuesi sigurisë Dr Andreas Krieg, tha për rrjetin Metro.co.uk: ‘Investigimi i Bellingcat është shumë i besueshëm.

“Të dhënat tregojnë se ushtria po përdor forcë destruktive ndaj ndërtesave që janë spastruar më parë nga forca të Hamas dhe që nuk janë më një objektiv i vlefshëm ushtarak”.

“Këto ndërtesa nuk përbëjnë kërcënim dhe janë të një natyre civile, prandaj këto veprime përbëjnë shkelje të regullave të konfliktit të armatosur”.

“Pasojë e kësaj është që Rripi i Gazës është tashmë i pabanueshëm”, shtonte studiuesi.

Aktiviteti batalionit izraelit në Gaza u gjurmua nga rrjeti Bellingcat dhe partnerët e tyre Scripps News me mjete të ndryshme, përfshi dhe postimet e ushtarëve në rrjetin Facebook.

Continue Reading

Bota

Putin thotë se kapja e Kharkiv nuk është pjesë e planit aktual, por ushtria ruse rrethon qytetet përreth

Guvernatori i provincës Kharkiv, ku Rusia nisi një operacion një javë më parë, tha sot se forcat ruse po shkatërrojnë qytetin e Bovchansk dhe po avancojnë drejt qytetit të Lukyanchi.

Ushtria ruse shpesh shkatërron qytetet ukrainase për t’i pushtuar ato, siç bëri në Bakhmut vitin e kaluar ose Avdiivka në shkurt, duke përdorur bombardimet masive për të dëbuar përkrahësit e qytetit.

“Ushtria filloi të shkatërrojë Bovchansk, duke përdorur tanke dhe artileri. Nuk është vetëm e rrezikshme të jesh atje, është pothuajse e pamundur ”, tha Guvernatori Oleh Sinekhubov .

Rreth 200 civilë mbeten në terren, sipas të njëjtit burim, ndërsa qyteti, i vendosur rreth 50 km nga Kharkiv, kishte rreth 18,000 banorë para luftës.

Shefi i shtabit të ushtrisë së Ukrainës, Oleksandr Shirsky, tha në Telegram se “në provincën Kharkiv forcat ruse “e zgjeruan zonën aktive luftarake me 70 km”.

“Ne duhet të ndalojmë çdo avancim të mëtejshëm të trupave të armikut ,” këmbënguli ai, duke u zotuar se do të përdorë “sulme ajrore, sulme me raketa, sulme artilerie, sulme tankesh për të shkaktuar viktima sa më të mëdha.”

Rusia nisi një ofensivë të papritur në Ukrainën veriore më 10 maj, duke zgjeruar frontin.

Megjithatë Presidenti Vladimir Putin tha sot se kapja e Kharkiv nuk është pjesë e planit aktual të Rusisë dhe se forcat ruse që veprojnë atje po krijojnë një “zonë neutrale” për sigurinë e Rusisë.

Putin, i cili tha se të gjitha operacionet ushtarake po ecin sipas planit, i bëri komentet në një konferencë shtypi nga qyteti i Harbinit në Kinë, ku ai është për një vizitë.

Continue Reading

Bota

Iu bë atentat, kryeministri i Sllovakisë Robert Fico mbetet nën kujdesin intensiv të mjekëve

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë nën kujdes intensiv dhe do të mbetet në spitalin e qytetit Banksa Bistrica së paku deri më 20 maj, thanë të premten zyrtarët qeveritarë dhe mediat lokale. Ai mund të zhvendoset në spitalin e kryeqytetit sllovak Bratislavë pas kësaj date, sipas tyre.

Fico, i cili u qëllua katër herë me armë zjarri më 15 maj, është në gjendje të flasë paksa dhe gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar prej se u sulmua, pasi plagët ia vunë jetën në rrezik

Mediat lokale raportuan të premten se mjekët do ta vlerësojë gjendjen e Ficos më 20 maj për të vendosur nëse ai mund të zhvendoset në spitalin e kryeqytetit.

Fico, një politikan veteran në Sllovaki që u rikthye për t’u bërë kryeministër për herë të katërt pasi partia e tij Smer i fitoi zgjedhjet shtatorin e kaluar, kishte dalë nga një takim i Qeverisë së tij në qytetin Handlova, gati 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak, kur një burrë i armatosur iu afrua dhe e qëlloi.

 

 

Sulmuesi ishte i “motivuar politikisht”, tha të enjten zëvendëskryeministri Robert Kalinak, i cili është edhe ministër i Mbrojtjes dhe aleat i ngushtë i Ficos në partinë e tij Smer.

Mediat lokale raportuan të enjten se i dyshuari për atentatin ndaj Ficos, i cili u arrestua në vendin e ngjarjes pak çaste pasi shtiu me armë zjarri, akuzohet për tentim-vrasje.

Emri i të dyshuarit nuk është bërë i ditur, por mediat raportojnë se ai është një burrë 71-vjeçar.

Presidentja sllovake, Zuzana Caputova, bëri thirrje të enjten që të ndalet “urrejtja e dhunshme” që e ka kapluar Sllovakinë.

“Ne duhet të dalim nga ky cikël i urrejtjes së dhunshme dhe nga akuzat e ndërsjella. Ajo që ndodhi dje, ishte akt individual, por atmosfera e tensionuar e urrejtjes është vepër e jona e përbashkët”, tha ajo./Rel/

Continue Reading
Advertisement

TRENDING