Bota
Gjendet i vdekur bashkëpunëtori i Jeffrey Epstein/ Emri i tij lidhej edhe me Kosovën
Daniel Siad, ndihmësi i të dënuarit për krime seksuale, Jeffrey Epstein, i cili thoshte se i kishte siguruar titullin konsullor një princeshe tajlandeze përmes lidhjeve me një figurë të quajtur “Mr. Kosova” është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Paris.
69-vjeçari është gjetur të hënën pa shenja jete në shtëpinë e tij në Colombes, në veriperëndim të Parisit, ka konfirmuar Zyra e Prokurorit në Nanterre për BBC-në.
Emri i Siadit ishte shfaqur mijëra herë në dosjet e Epsteinit të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, përfshirë në disa e-maile ku ai diskutonte me një person të quajtur Mom Luand Rajadarsri Jayankura rreth planeve për t’u takuar me presidentin/en e Kosovës në Nju Jork, në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Siad i përshkruante Epsteinit edhe ndjesinë e udhëtimeve me “vetura të zeza me simbole shtetërore” nëpër rrugët e Bangokut, duke sugjeruar se për vizitën e tij të zhvilluar në dhjetor 2012 ishte përkujdesur “Konsullja e Nderit e Kosovës” në Tajlandë.
Ndryshe, një tjetër bashkëpunëtor i Epsteinit, agjenti francez, Jean-Luc Brunel, ishte gjetur i varur në qelinë e tij në Paris në vitin 2022. Vetë Epstein kishte vrarë veten në një burg në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin federal për skemën e tij të trafikut seksual të të miturve që përfshinte elitat botërore të politikës dhe biznesit.