Aktualitet
Artan Hoxha zbardh skemën se si janë zhdukur 16 persona
Gazetari i njohur Artan Hoxha ka folur lidhur me ekzekutimin me snajper të të riut Gëzim Sinomati.
Ai ka zbuluar të shkuarën e ndërlikuar të fisit Sinomati, veçanërisht të babait dhe xhaxhait të tij të ndjerë.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoxha shkruan se kundërshtarët e të atit të Gëzimit, Sokol Sinomatit, i dërguan një mesazh kërcënues duke i vendosur një sasi të madhe eksplozivi në automjetin e familjes në 3 janar të vitit 2022.
Sipas tij, qëllimi i tyre ishte të jepnin një mesazh për familjarët e Sokol Sinomataj pasi Sinomati i njohur me nofën “Buzderri”, ndodhej i arrestuar në burgun e Brukselit në Belgjikë.
“Ngjarja e fundit para se të ndodhte vrasja e mbrëmshme me snajper ndaj Gëzim Sinomatit, ka ndodhur më 3 janar 2022.
Mjetin që u hodh në erë mbrëmjen e 3 janarit 2022, të afërmit e Sokol Sinomatit, e përdornin kryesisht për të lëvizur nënën e tij në moshë të madhe.
Në momentin e shpërthimit mjeti ndodhej i parkuar jashtë garazhit të banesës pasi aty po bëheshin punime.
Për këtë shkak nuk ka pasur as njerëz në banesë.
Ndërkohë Sokol Sinomati ndodhej i arrestuar në burgun e Brukselit në Belgjike.
Automjeti i përkiste me letra, shtetasit Benard Sinomataj, vëllai i Sokol Sinomataj, një personazh që prej vitesh është jashtë shtetit por ndaj tij dhe grupit të tij ka pasur një seri ngjarjesh. Deri në ngjarjen e mbrëmshme ka pasur tre të vrarë, ndërkohë nuk përfshihen në këtë bilanc një pjesë e 16 personave të zhdukur në vitin 2016.
Vetë pjesëtarët e familjes kishin marrë masa kundrejt ngjarjeve të ndodhura në Vlorë. Meqë janë duke u bërë punime familjarët nuk kanë qenë aty dhe makina për këtë arsye është parkuar në pjesën e jashtme deri në përfundim të punimeve. Objektivi i shpërthimit nuk ka qenë ndonjë person konkret, por dhënia e një mesazhi për familjarët e Sokol Sinomataj.
Autorët e këtij sulmi me eksploziv nuk u zbuluan kurrë dhe tashmë pas dy vitesh kemi viktimën e radhës, vrasjen e djalit të Sokol Sinomatit, Gëzimit, i cili mbante emrin e xhaxhait të vrarë më 1997-ën”, shkruan Hoxha.