Aktualitet
‘Kemi përpiluar shkakun…/ Vdekja e 3-vjeçarit në klinikën private, reagon Mjekësia Ligjore
REAGIMI:
Duke marrë shkas nga publikimi në disa media, lidhur me aktin e ekspertimit të vdekjes së fëmijës, Brian Spahiu, se sipas Prokurorisë së Tiranës: “Akti i parë i ekspertizës ishte i paplotë dhe konkluzioni i pasaktë, ndërkohë që mungojnë ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet”, Instituti i Mjekësisë Ligjore ju informon si më poshtë:
Mjekët ligjorë pas autopsisë kanë kryer procedurat standarde për përcaktimin e shkakut dhe mekanizmit të vdekjes së fëmijës, i cili është trajtuar për mjekimin e dhëmbëve në klinikën private të mjekut Roland Xhaxho.
Duke qenë se rasti i vdekjes së fëmijës ishte specifik, në përcaktimin e shkakut dhe mekanizmit të vdekjes krahas dy mjekëve që kryen autopsinë, morën pjesë edhe dy mjekë të tjerë të IML-së, të cilët janë specialistë të anatomisë patologjike. Në përfundim të shqyrtimit të të dhënave të përftuara, mjekët ligjorë kanë përpiluar shkakun dhe mekanizmin shkencor të vdekjes.
Vlen të sqarojmë se, IML-ja në vite gjithmonë ka dhënë kontributin e saj në funksion të të gjitha kërkesave të Prokurorisë dhe Gjykatës.
Çdo vit IML i përgjigjet Prokurorisë me rreth 16.000 akte ekspertimi mjeko-ligjore, toksikologjike-ligjore dhe psikiatriko-ligjore, në funksion të kërkesave të Prokurorisë dhe Gjykatave në të gjithë vendin.
Mjekët ligjorë janë të specializuar dhe të asistuar nga partnerët ndërkombëtarë. Çdo aludim për paaftësi është jo vetëm një përpjekje për të zhbërë punën e këtij institucioni, por dhe një fyerje e rëndë për shkencën e mjekësisë dhe armatën e madhe të mjekëve tanë, që me punën dhe mendimin e tyre shkencor gëzojnë respektin e kolegëve të tyre evropianë dhe më gjerë.
Mjekët ligjorë i përgjigjen kritereve të Kodit të Procedurës Penale për caktimin dhe kryerjen e detyrës dhe bëjnë betimin sipas ligjit procedurial për çdo akt ekspertimi. Në çdo rast aludimi për konflikt interesi, ligji Procedurial Penal parashikon heqjen dorë nga ekspertimi dhe zëvendësimin e ekspertit. Duke shpresuar që vendimmarrja konkrete të mos jetë mjet për të zhbërë përfundimin ligjor dhe shkencor të arritur në aktin e ekspertimit, ne do të vazhdojmë punën tonë në funksion të dhënies së drejtësisë.
Nga ana tjetër, kundërshtojmë çdo akt dhe vendimmarrje që mund të çojë në presionin e mjekëve ligjorë për të mos kryer detyrën!