Kosova
Zyrtari i lartë amerikan: Kosova do përballet me rrezik real, shkaku Ukraina
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, David Phillips, ka thënë se Kosova po përballet me rrezik real për sulme nga Serbia.
Ish-zyrtari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, ka ndërlidhur zhvillimet në luftën në Ukrainë, me ato në Kosovë dhe Serbi.
“Nëse lufta në Ukrainë shkon keq, Rusia dhe Serbia mund të mendojnë të veprojnë paraprakisht për të dërguar një paralajmërim. Nëse lufta shkon mirë, Rusia dhe Serbia mund të trimërohen. Në secilin skenar, Kosova do përballet me rrezik real” – ka deklaruar Phillips, reagimi I te cilit vjen pas një sërë paralajmërimesh nga krerët shtetërorë të Kosovës, për sulme të mundshme nga Serbia, pas atij të 24 shtatorit.
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë së fundmi se alarmet për sulme të reja nga Serbia, duhet të merren seriozisht.
“Të gjitha informatat që kemi, tregojnë se Serbia po planifikon sulme të reja. Unë do informoj të gjithë liderët evropianë për informatat që institucionet tona të sigurisë së bashku me partnerët kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne së bashku duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin tonë” – ka thënë Osmani.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka treguar se grupi i Milan Radojiçiçit po vazhdon të riorganizohet në Serbi dhe se i njëjti po planifikon sulme të reja në Kosovë. Kurse, sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tri brigada serbe janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën.
Edhe Ivana Stradner, këshilltare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë dhe bashkëpunëtore kërkimore në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve, në Uashington, së fundmi ka folur për situatën në Kosovë, duke paralajmëruar se situata aktuale është shumë e keqe dhe mund të priten përshkallëzime të mëtejshme.