Kosova
Në një botë të frikshme/ Eksperti zviceran hedh dyshime mbi dialogun Kosovë-Serbi
Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë një çështje delikate dhe mjaftë e diskutuar. Gjatë vitit 2024 priten zhvillime të shumta në negociata, ndërsa bashkësia ndërkombëtare po tenton që mes dy palëve të arrihet një marrëveshje finale.
Për këtë temë, në një bashkëbisedim me mediat në Prishtinë, ka folur eksperti Toby Vogel, nga Këshilli për Politikë dhe Demokraci.
“Asociacioni I komunave me shumicë serbe u ra dakord mes dy palëve në një kohë kur qëllimi i dialogut u kuptua qartë se ishte një marrëveshje juridikisht e detyrueshme, gjithëpërfshirëse e normalizimit – që nënkupton njohjen de facto ose de jure të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Por tani ky nuk është më rasti. Dialogu u lejua të zvarritet për shumë vite, pa një qëllim të qartë përfundimtar në horizont, dhe kjo u kodifikua në iniciativën franko-gjermane me “qëllimin e përkohshëm” të saj që nuk kishte njohje” – u shpreh eksperti zviceran.
Gjithashtu ai përmendi edhe këmbënguljen e Aleksander Vuçic për të mos e njohur Kosovën, e që sipas tij presidenti serb po pret një tjetër kohë dhe një tjetër ngjarje, fitoren ne zgjedhjet amerikane të Donald Trump.
Vogel nuk pret përparime të mëdha këtë vit në negociatat Kosovë-Serbi dhe deklaroi se në rast të fitores së Trump, do hyjmë në një botë të frikshme.
“Tani Berlini e ka kuptuar se mospërfshirja e njohjes në marrëveshje ishte një gabim dhe po përdor tani, por Vuçiç ka mësuar se nuk përballet me pasoja kur pengon procesin e dialogut. Ai ndihet aq i sigurt, saqë e dërgoi kryeministren e tij Brnabiç në Bruksel të dorëzonte me shkrim refuzimin e Serbisë për çdo njohje de facto. Në këto rrethana është shumë e vështirë të shihet se si mund të bëhet përparim në dialog këtë vit. Për më tepër, unë dyshoj se Vuçiç po pret një fitore të Trump në muajin nëntor, dhe nëse Tump zgjidhet president, ne do të hyjmë në një botë krejtësisht të re dhe të frikshme”- potencoi Toby Vogel.