Connect with us

Aktualitet

Dhuna mes të rinjve: Përtej kërkesave materiale, prindërit duhet të fokusohen në vlera

“Të gjithë, e sidomos adoleshentët, kanë nevojë për një sistem funksional të edukimit, i cili, në njërën anë, i mëson ata se dhuna nuk është zgjidhje e problemeve dhe, në anën tjetër, i mban qytetarë të përgjegjshëm dhe reagues ndaj dhunës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Artan Krasniqi, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, në këtë qëllim duhet të angazhohen si prindërit, ashtu edhe shkollat.

Mendim të ngjashëm ndan edhe psikologia Teuta Danuza.

“Prindërit, sot, duhet të kalojnë shumë e më shumë kohë me fëmijët e tyre”, thotë ajo.

Fundjavën që shkoi, në Kosovë u raportua për vdekjen e Lulzim Fejzullahut, 18 vjeç, i cili paraprakisht u rrah nga dy persona. Ngjarja ndodhi në komunën e Podujevës – pjesa verilindore e vendit – më 14 janar.

Policia konfirmoi gjashtë ditë më vonë se viktima ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa autorët e dyshuar për rrahjen – të dy të mitur – janë ndaluar.

Nga raportimet e disa mediave në Prishtinë, zënka mes të rinjve nisi në një floktari, ndërsa motivet që çuan në rrahjen me mjete të forta, nuk dihen.

Gati 2.000 raste me të mitur si kryes të veprave penale
Të dhënat që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës tregojnë se në vitin 2023 janë evidentuar gjithsej 1.992 raste, ku të dyshuar për vepra të ndryshme penale kanë qenë të mitur të moshës 14 deri në 18 vjeç.

Në mesin e tyre dominojnë 438 raste me lëndime trupore dhe 193 raste për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas policisë.

Si përkufizohet dhuna mes të rinjve?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhuna mes të rinjve i referohet dhunës që ndodh mes individëve të moshës 10-29 vjeç, të cilët nuk kanë lidhje mes vete dhe mund edhe të mos njihen.

Kjo dhunë, zakonisht, ndodh jashtë shtëpisë.

Ajo përfshin një sërë aktesh, nisur nga ngacmimi dhe grindja fizike e deri te sulmet më të rënda seksuale dhe fizike ose vrasja.

Dhuna mes të rinjve rezulton në vdekje, lëndime, paaftësi dhe pasoja afatgjate shëndetësore, përfshirë probleme të shëndetit mendor.

Sipas disa të dhënave të publikuara nga OBSH-ja në tetor të vitit 2023, mbi 176.000 vrasje ndodhin çdo vit mes të rinjve 15-29 vjeç, që nënkupton 37% të numrit total të vrasjeve në të gjithë botën.

“Vrasja është shkaku i tretë kryesor i vdekjes së njerëzve të moshës 15-29 vjeç dhe shumica dërrmuese e vrasjeve përfshijnë viktima meshkuj”, vlerëson OBSH-ja.

Çka çon në dhunë mes të rinjve?
Dhuna që përjetojnë në shtëpi, bën fëmijë të dhunshëm, thonë nga organizata “Terre des hommes Kosovo”, e cila merret me mbrojtjen e fëmijëve.

Pajtim Zeqiri nga kjo organizatë thotë se, në bazë të hulumtimeve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë dhunë fizike ose psikologjike në familje.

“Tendenca që fëmija, pastaj, ta përdorë dhunën si mjet të zgjidhjes së konfliktit me të tjerët, në këtë rast me bashkëmoshatarët, është shumë e lartë”, thotë Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se neglizhenca e prindërve, në kuptimin e përkujdesjes, është “një nga problematikat më të mëdha në kuptimin e trajtimit dhe menaxhimit të rasteve të fëmijëve që kanë tendenca të shfaqjes së agresivitetit dhe dhunës”.

Gjatë vitit 2023, Policia e Kosovës evidentoi mbi 2.000 raste të dhunës në familje dhe, krahasuar me dy vjetët paraprakë, shifrat ishin në rritje.

“Thjesht, nuk po i promovojmë aq sa duhet vlerat e një shoqërie, siç janë: toleranca, diversiteti dhe empatia”, thotë Danuza, profesoreshë e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

“Nuk po japim model se si duhet të zgjidhen problemet në mënyrë paqësore, e jo përmes shpërfaqjes së dhunës ose agresivitetit”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, nuk mjafton që prindërit t’i përmbushin vetëm kërkesat materiale të fëmijëve dhe të jenë pranë tyre vetëm fizikisht.
Ata duhet të kalojnë “shumë e më shumë kohë” me ta dhe “t’i mësojnë për vlerat e rëndësishme në shoqëri”.

“… sepse, vërej që gati në të gjitha mediat digjitale dhe të shkruara shpërfaqen role të ndryshme të individëve – mund të jenë edhe fiktivë – por qasja e të fortit prezantohet si vlerë. Dhe kjo është një gjë shumë e gabuar”, thotë Danuza.

Si të parandalohet kjo dukuri?
“Prindërit, definitivisht, duhet të kenë më shumë kontroll mbi fëmijët e tyre”, thotë sociologu Artan Krasniqi.

“Kontroll mbi atë se çfarë bartin me vete, ku rrinë dhe çfarë shikojnë në telefonat e tyre”, shton ai.

Në kohën e bumit digjital dhe të rrjeteve sociale, Krasniqi thotë se duhet gjetur mënyra për të mposhtur “konkurrencën aspak të drejtë” me mediat sociale, ku fëmijët mund të marrin shembuj të këqij se si të sillen.

Në këtë aspekt, sipas tij, edhe shkolla duhet ta ketë rolin prijës në edukimin e një qytetari të përgjegjshëm dhe jo të dhunshëm.

Krasniqi thotë, po ashtu, se sistemi i drejtësisë në vend duhet të punojë më shumë që “të ngjizë te qytetarët bindjen se secili që kryen një vepër të dhunës, do të ndëshkohet në mënyrë meritore”.

“Përtej vënies së drejtësisë, kjo do të mund të shërbente edhe në parandalimin e dhunës”, thotë ai.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, thotë se Kosova e ka të ndërtuar një sistem që e bazon drejtësinë penale në interesin më të mirë të të miturve.

Ehat Miftaraj nga ky institut thotë për Radion Evropa e Lirë se kryerësve të mitur të veprave penale, u shqiptohen kryesisht masa edukative.

“Privimi nga liria shqiptohet vetëm si mjet i fundit dhe kufizohet në afatin më të shkurtër të mundshëm”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Miftaraj thotë se nuk mund të ofrojë më shumë detaje, sepse seancat gjyqësore për të mitur nuk janë publike dhe në dosjet e tyre nuk ka qasje askush.

Rasti Aulon Zeka
Një prej rasteve të tjera të dhunës mes të rinjve që rezultoi me vrasje, ndodhi në vitin 2017 në Prishtinë.

Aulon Zeka, atëkohë 16 vjeç, u qëllua për vdekje në afërsi të një shkolle.

Gati shtatë muaj pas vrasjes, tre të miturve që u gjykuan për këtë vepër, iu shqiptuan dënimet.

I mituri i parë u dënua me 9 vjet e 6 muaj burgim për të mitur; e dyta mori masë edukative-korrektuese prej 3 vjetësh, ndërsa të tretit iu shqiptua mbikëqyrje nga organi i kujdestarisë në kohëzgjatje prej një viti e gjysmë.

Miftaraj thotë se në rastet kur fëmijët kryejnë vepra penale, përgjegjësia nuk mund dhe nuk duhet të kërkohet vetëm tek institucionet e drejtësisë, por edhe te faktorë të tjerë, që përfshijnë familjen dhe shkollat.

Nga Këshilli i Prindërve të Kosovës shprehin shqetësim për rastet e dhunës mes të rinjve, por një pjesë të përgjegjësisë ua hedhin, po ashtu, shkollave.

Sipas kryetarit Besnik Dragusha, ka raste kur fëmijëve në shkolla u gjenden thika e armë të tjera të ftohta.

“Shkollat duhet të kenë masa të shtuara të sigurisë, kamera e kontrolle”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Ministrisë së Arsimit, edhe asaj të Drejtësisë, por asnjëri prej institucioneve nuk u përgjigj.

Në një deklarim të mëhershëm për REL-in, Ministria e Arsimit tha se dhuna në shkolla, si fizike ashtu edhe verbale, luftohet “sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për mbrojtje të fëmijës, dhe sipas detyrimeve që dalin nga Protokolli për parandalim dhe referim të dhunës në shkolla”.

Kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se përse shkollat nuk kanë psikologë dhe nëse ka plane për përfshirjen e tyre – gjë që, sipas psikologes Danuza, është e domosdoshme.

Praktikat e vendeve të tjera
Shkollat në 23 shtete të SHBA-së, prej vitesh, kanë aktivizuar një sistem online, përmes të cilit nxënësit, në mënyrë anonime, mund të raportojnë sjellje të pazakonshme të nxënësve të tjerë.

Ky sistem u shërben më shumë se 5 milionë nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të 12-tën.

Një studim, që u publikua javën e kaluar në revistën Pediatrics, analizoi se sa i suksesshëm ishte ai në identifikimin e kërcënimeve të lidhura me armë zjarri.

Hulumtuesit zbuluan se në periudhën 2019-2023 u bënë mbi 18.000 raportime në sistemin e njohur si SS-ARS.

“Ajo që gjetëm është se 10% e raportimeve përmbanin referenca për armë zjarri”, tha për mediat amerikane Elyse Thulin, profesoreshë në Institutin për Parandalimin e Lëndimeve nga Armët e Zjarrit në Universitetin e Miçiganit dhe autore kryesore e studimit.

“Të rinjtë po i drejtohen SS-ARS-it për të dhënë informacione për ato që mund të jenë situata shumë të rrezikshme”, tha ajo.

Në SHBA, dhuna me armë është shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve dhe adoleshentëve që nga viti 2020, kur i tejkaloi aksidentet automobilistike.

Faktorët kryesorë që përmendin Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmunjdve në SHBA për parandalimin e dhunës mes të rinjve, përfshijnë: promovimin e një mjedisi familjar që mbështet zhvillimin e shëndetshëm, ofrimin e shkollimit cilësor, si dhe forcimin e kapaciteteve të të rinjve.

Aktualitet

Protestuesi i ‘paparë’: Do bëhem personazh VIP dhe sipërmarrës kur të vijë PD në pushtet

Në të fundit protestë të llojit Berisha-Meta te Bashkia, kundër Veliajt, në ra sy, kapur dhe nga fotoreporterët, një djali ri me një zell të paparë anti-qeveri, duke gjuajtur me vezë kah godina nga ku qeveriset kryeqyteti.

Në pamje nuk ta jep përshtypjen e një të marri, përkundrazi.

Por dëgjojeni vetë, këtë protestues simbol të njerëzve që ndjekin nga pas Berishën.

Continue Reading

Aktualitet

Miliona litra vaj gjembaçi indian hyjnë në Shqipëri, dyshime se shitet në supermarkete si vaj luledielli me çmim më të lirë

Emisioni investigativ Vetting në News24

Çdo vit në Shqipëri importohen miliona litra vaji vegjetal. Kërkesat e vazhdueshme që ka konsumatori shqiptar për vaj gatimi, e kanë kthyer këtë sektor në një ndër bizneset më fitimprurëse, duke sjellë edhe abuzime. Nga kërkimet e “Vetting” zbulohen afera me vajin që përdoret për gatim, ku në vitin 2020 janë importuar sasi të mëdha vaj gjembaçi me vlerë 37 milionë euro, për të cilat Autoriteti Kombëtar të Ushqimit mohon ekzistencën.
Por nëse në supermarketet shqiptare nuk ka asnjë lloj vaji që tregohet si vaj gjembaçi, atëherë pyetja që lind këtu është: Ku ka shkuar ajo sasi e importuar? A iu është ndryshuar etiketa dhe shitet si një vaj tjetër?

Sipas ekspertëve ushqimorë, është përgjegjësia e institucioneve që të monitorojnë këto situata.

“Ka shumë situata që institucionet përkatëse të kenë kontroll në survejim produktet në sasi të mëdha, vaji, sheqeri, pra këto që janë produktet bazë, këto duhet të kontrollohen sepse konsumi i tyre është i lartë dhe rreziku për t’u ekspozuar popullata është e lartë në krahasim me të tjera produkte të cilat janë konsum, por në sasi më të vogla”, tha për “Vetting”, Prof. Dritan Topi.

 

 

Nga kërkimet e “Vetting” evidentohet se në Shqipëri janë importuar rreth 34 milionë litra vaj me kod doganor 15121199. Sipas nomenklaturës së mallrave doganore për vitin 2020, ky vaj rezulton të jetë vaj gjembaçi indian, i njohur me emrin latinisht “Sunflower Carthamus tinctorius”.

Cilësia e vajit dhe ekzistenca e tij kanë vendosur përballë njëra-tjetrës Doganat dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Ky i fundit është munduar të mbulojë ekzistencën e këtij vaji, i cili më së shumti zbulohet nga anomalia e çmimeve që zbulohen nga Doganat.

“Nga pikëpamja sasiore nuk mund ta zëvendësojë, nga pikëpamja nutricionale nuk bën sens që ky produkt me cilësi më të mira, me çmim më të ulët të mund të zëvendësojë produktin me cilësi nutricionale më të ulëta dhe të gjejë vlerë në treg”, u shpreh eksperti ushqimor Topi.

Por informacionet zyrtare nga Doganat konfirmohen nga Organizatat Jofitimprurëse dhe ekspertët ushqimorë.

“Në fakt është e njëjta histori me ata çfarë unë kam investiguar para dy vjetësh, me një informacion që kisha dhe sigurisht shifrat janë alarmante. Kjo që thoni ju, përfshirë atë që unë kisha në atë kohë, është alarmante krahasuar me shifrat e vajit të lulediellit që hyjnë në Shqipëri, i rafinuar apo i parafinuar që përpunohet e shpërndahet në tregun tonë”, tha Drejtori Ekzekutiv nga Qendra Alert, Granit Sokolaj.

Sipas Sokolajt, ka një tendencë ose mashtrim të konsumatorëve për shkak të kostos së tij më të lirë se vaji i lulediellit, sidomos që nga koha e pandemisë dhe konflikti në Ukrainë.

Continue Reading

Aktualitet

Sekuestrohen 2 ton drogë në Spanjë, u soll në Evropë nga karteli famëkeq i Meksikës

Policia spanjolle njoftoi këtë të enjte se ka sekuestruar mbi 1.8 ton metamfetaminë.

Mediat vendasë bëjnë me dije se sasinë e metamfetaminës ka tentuar ta kontrabandojë në Evropë një nga kartelet më të rrezikshme të Meksikës, karteli Sinaloa.

Në saj të këtij opercioni nga policia sapnjolle, autoritetet arrestuan pesë persona, përfshirë kreun meksikan të bandës, një grua rumune dhe tre shtetas spanjollë.

Droga u zbulua në rajonin Alicante të Spanjës lindore. Ky është “konfiskimi më i madh” i kësaj substance “në Spanjë dhe i dyti më i rëndësishëm në Europë”, njoftoi policia spanjolle.

Mes personave të arrestuar është një shtetas meksikan, për të cilin autoritetet meksikane thonë se është i lidhur me kartelin Sinaloa. Meksikani, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte përgjegjës për marrjen e drogës në Spanjë dhe më pas shpërndarjen e saj në Evropë.

Karteli Sinaloa është një nga organizatat kriminale më të vjetra, më të mëdha dhe më të dhunshme të Meksikës, ndikimi i së cilës mbetet i fortë pavarësisht nga arrestimi i themeluesit të tij Joaquin Guzman, “El Chapo” dhe të Ovido në janar të 2023.

Të dyja u ekstraduan dhe u burgosën në SHBA. Policia sekuestroi gjithashtu kartëmonedha, pesë makina, dokumente dhe një armë zjarri, ndërsa mësohet se droga e sekuestruar vinte nga Meksika dhe kishte si destinacion Evropën Qendrore.

Continue Reading

Aktualitet

Kina partnere, por jo strategjike: Si i preu Shqipëria “fijet” e Pekinit në sektorët e ndjeshëm

Kina ngel një partner kyç për Shqipërinë në termat ekonomikë, kryesisht për sasinë e mallrave të saj që shiten në tregun tonë. Megjithëkëtë, politika shqiptare është treguar e kujdesshme të mbajë larg kompanitë kineze nga investimet në sektorë strategjikë. Pasi u larguan nga aeroporti i Rinasit, kinezët janë ende të pranishëm në sektorë si hidrokarburet dhe mineralet. Tirana zyrtare ju ka mbyllur disa herë derën tentativave kineze për të depërtuar në sektorë të ndjeshëm, dhe në anën tjetër Shqipëria ka ulur përfaqësimin në iniciativa politike të udhëhequra nga Pekini.  

Nga Esiona Konomi 

Kina është një partner i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë, duke ruajtur ndër vitet vendin e dytë ose të tretë për shkëmbimet tregëtare.

Të fundit!

INSTAT dëshmon përmes shifrave, se pavarësisht kësaj rëndësie, flukset tregëtare bazohen mbi produktet kineze që vijnë e shiten në Shqipëri, me një diferencë 10 herë më të ulët të prodhimeve shqiptare që mund të shiten në Kinë.

Pra, ne importojmë 10 herë më shumë, se sa eskportojmë në Kinë, një raport ky që konfirmohet në shifrat zyrtare gjatë 5 viteve të fundit.

Shkëmbimet tregtare me Kinën zënë 8.5 % të të gjithë vëllimit të tregtisë së jashtme të Shqipërisë.

Importet dominohen nga pajisjet elektrike, hidrosanitarë, makineri. Për tu pasuar nga  artikujt të gizës dhe çelikut. Veshjet janë kategoria e 3-të më e rëndësishme e mallrave që vijnë nga Kina, për të vazhduar me plastikën dhe mobiljet kineze, si: krevatët, dyshekët, llampat dhe pajisjet e ndriçimit etj. Eksportet Shqiptare në Kinë dominohen nga kromi, por nuk përjashtohen edhe frutat dhe perimet.

Tabela: Shkëmbimet tregëtare me Kinën (milionë lekë)

Burimi: Instat

Viti 2019 2020 2021 2022 2023
Eksporte 6,211 5,003 9,058 9,813 10,074
Importe 59,727 54,038 65,202 77,476 93,750

 

Çfarë eksportojmë në Kinë?

Krom

Fruta-perime

Çfarë importojmë nga Kina?                                 

Pajisje elektrike, hidrosanitarë, makineri

Gizë dhe çelik

Veshje

Plastikë

Mobilje

INVESTIMET KINEZE

Pavarësisht se Kina ngel një partner strategjik për ekonominë dhe tregjet tona janë të mbushura me produkte të saj, qeveria shqiptare nuk e ka Pekinin një aleat të preferuar, aq më pak në sektorë strategjikë.

AEROPORTI

E orientuar nga balancat politike, Shqipëria është distancuar nga aleancat e diplomacisë ekonomike kineze, duke dhënë shenjën e parë në vitin 2020 kur largoi nga pika më strategjike, aeroporti i vetëm i vendit, investitorin kinez.

Në vitin 2016, REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED një kompani kineze – bleu 100 për qind të aksioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”. Marrëveshja u prish në 2020 kur kinezët ja transferuan aksionet grupit shqiptar Kastrati që ende menaxhon Aeroportin e Rinasit. Aksionet kishin vlerë 71 milionë euro.

Problemet nisën pas grabitjes spektakolare të 10 milionë eurove në Rinas në prill 2019, gjë që për kryeministrit ishte provë se kinezët kishin dështuar me sigurinë.

“Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi njësoj si në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s’do pranojë asnjë justifikim nga kompania dhe do marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme.Respekt për policinë që sulmohet veshëgjatësisht”,-tha Edi Rama, prill 2019.

Por a ishte vërtetë kjo arsye apo pretekst?

‘Vjedhja në Rinas ishte një ngjarje mjaftueshmërisht e fortë për të tu përdorur për një qëllim që nuk lidhej me atë që ndodhi në vetvete. Po ngjarja ishte e madhe dhe krijoi të gjitha premisat që qeveria ta largonte koncesionarin kinez. Por nuk ishte kjo arsyeja e vërtetë. E vërteta është se kinezët, duke pasur aeroportin, kishin në dorë një aset strategjik jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të NATO-s. Pra vjedhja ka qenë justifikim. Partnerët patën një udhëzim, presion, që ky aerport i NATO-s tashmë, të menaxhohet nga një kompani lokale ose kompani e një vendi partner, por jo nga një kompani kineze’,-vlerëson Pano Soko, ekspert ekonomie.

RRJETI 5G

Në fund të vitit 2019, Shqipëria hoqi dorë edhe nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me Kinën për rrjetin e internetit 5G. SHBA-të u shfaqën të shqetësuara mbi rrezikun e mbikqyrjes nga Kina në jetën digjitale të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje, më pas, u firmos me Amerikën, moment kyç ky për të dëshmuar zgjedhjet e Shqipërisë.

“Zgjedhja politike e Shqipërisë ndaj Kinës, ka sjellë edhe kosto për shoqërinë shqiptare, dhe rrjeti 5G ka qenë një prej sakrificave. Sot ne nuk e marrim dot këtë teknologji, sepse e vetmja që e ofron është Kina. Tendenca jonë për të ruajtur devizën politike, ka qenë më e fortë se sa përfitimet që mund të merrnim. Këtu përfshihen edhe investimet potenciale kineze që mund të kishim pasur në hekurudha, rrugë, etj. Shqipëria ka qëndruar besnike e linjës për të mos qenë në varësi, sepse varësia ekonomike, sjell varësi politike. Ka një konsensus popullor për këtë zgjedhje dhe nuk shoh ndonjë reaksion të brendshëm, e as ndonjë tendencë nga vetë Kina së jashtmi për tu imponuar. Palët janë të qarta e nuk ka vend për avancim të mëtejshëm”,-argumenton Pano Soko.

BANKERS DHE BERALB

Megjithëkëtë, në Shqipëri vijojnë të jenë prezente dy investime të huaja kineze të përqëndruara në nxjerrjen e lëndëve të çmuara nga nëntoka.

Bankers Petroleum është investimi më i rëndësishëm kinez në Shqipëri. Kompania kineze Geo-Jade Petroleum bleu 100% të aksioneve të kompanisë Bankers në 2016. Dhe prej 7 vitesh shfrytëzon fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës.

Zyrtarisht, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore tregon se numri i punonjësve të Bankers gjatë 2023 ishte 463 vendas dhe 32 të huaj. Prodhimi i naftës dhe nënprodukteve të saj gjate vitit 2023 u llogarit përafërisht 527,000 tonë. Renta minerare për 2023 u vlerësua rreth 22 milion USD.

Marrëveshja e shfrytëzimit të nëntokës sonë në Patoz Marinzë nga kompania kineze përfundon në vitin 2029.

Në 2014, gjiganti kinez i bakrit “Jiangxi Koper” nisi operimin në të gjitha vendburimet e bakrit në Shqipëri, pasi bleu 50% aksionet nga kompania turke “Beralb”.  Deri në 2043, kinezët do operojnë bashkë me turqit koncensionin e bakrit në minierat e Munellës, Lakrosh, Karma si dhe Fush-Arrëz.

E pyetur për performancën e kësaj kompanie, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore thotë se, sipas vetdeklarimeve të subjektit, numri i të punësuarve në lejet minerare që zotëron shoqëria është 196 persona.

Sasia e mineralit të bakrit e prodhuar për vitin 2023 është 275 190 ton.

Por pavarësisht kësaj, siç thuhet zyrtarisht nga AKBN, renta minerare që ajo paguan, është zero.

Por çfarë rëndësie specifike kanë këto dy kompani në sferën ekonomike të vendit?

“Sot që flasim, volumi ekonomik i gjeneruar nga kompanitë kineze është i rëndësishëm, 0.4-0.7 %  e PPB. Kryesori është Bankersi, i zotëruar nga një kompani shtetërore kineze. Edhe pse sektori i naftës është strategjik, risku ngel i ulët, pasi pjesa tjetër e zinxhirit kontrollohet nga shteti shqiptar dhe ligjet e tij. Kompanitë në fjalë kanë fare pak autonomi. Kjo autonomi e kushtëzuare na mbron nga sabotimet që mund të vijnë nga një partner jo partner politik. Varësia e ekonomisë shqiptare nga investimet kineze është shumë e ulët. Ndoshta jemi vendi me impaktin më të vogël në rajon. Ne si shtet jemi kujdesur që të kemi politikë konservatore. Nuk e shoh me risk edhe nuk shoh as interes nga Kina për tu zgjeruar në Shqipëri. E ka kuptuar devizën tonë politike. Cdo qeveri do të vijojë ta ruajë këtë qasje,”-sqaron eksperti Pano Soko.

ANALIZA GJEO-POLITIKE

Në përfundim, edhe pse Kina na intereson për produktet e saj, politika shqiptare ka zbehur shkëmbimet dhe ka ulur përfaqësimin në aleanca të inicuara nga Pekini, duke zgjedhur qartazi aksin amerikan, në duelin ekonomik botëror: Kine-SHBA.

“Nuk është se kemi pasur marrëdhënie të forta ekonomike. Dinamika ka qenë me antitudë të ulët. Sidomos nga koha kur ne instaluam marrëdhënien me NATO-n. Kemi pasur cikle të shkurtra, por pa ndonjë impakt domethënës. Nuk pres që kjo të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Investimet kineze do të ishin të rrezikshme, nëse do të ishin aq shumë të mëdha sa për të krijuar presion për të ndikuar në politikën, sidomos të jashtme. Misioni i Kinës është të blejë politikën e jashtme të vendeve duke u krijuar varësi ekonomike. Në Shqipëri investimet kineze nuk janë aq të mëdha sa të na kushtëzojnë në politikën ndërkombëtare, apo në të brendshmen, pse jo”,-përfundon vlerësimin e tij eksperti Pano Soko.

 

Continue Reading

Aktualitet

Peshkaqenët e kredive – Nga Ola Xama

Nuk ka asnjë vlerë sqarimi se sa ishin kreditë me probleme në vitin 2014 dhe sa u ulën. Nuk ka asnjë vlerë të sqarohen masat që u morrën dhe nuk ka asnjë vlerë të shitet për sukses ulja e përqindjes të kredive me probleme.
Pyetja kryesore që shtrohet në këtë mes është se kush fitoi dhe kush humbi nga Plani Kombëtar për Reduktimin e Kredive me Probleme? Nga të dhënat e disponueshme deri në vitin 2020, dimë që bankat e nivelit të dytë i shitën Micro Credit Albania 85 milion euro detyrime, dhe për këtë shumë u paguan 5.2 milion euro. Pra bankat rikuperuan vetëm 6.1% të detyrimeve, shumë që krahasuar me nivelin e fitimeve të tyre ( e pjesëtuar me 16 që ishte numri i bankave në atë vit) është e papërfillshme.

Bankat gjithashtu mbajnë normë më të lartë interesi për kreditë pa kolateral, pikërisht për shkak të riskut që llogaritin te këto produkte. Efekti i humbjes nga kreditë që nuk kthehen, shpërndahet te ato që performojnë mirë dhe për sa kohë sistemi ka patur fiteme, niveli i kredive të këqija nuk ka qënë problem.
Kreditë mund të fshiheshin nga bilanci dhe pa licensuar kompanitë e mbledhjes së borxhit, sepse bankat në vetvete nuk rikuperuan shumë pak. Disa rritën kapitalin dhe s’ folën, pasi askush nuk dëshironte të hapte temën e korrupsionit të kredive.

Prandaj pyetja që duhet të ngrihet është se kush fitoi nga Plani i Masave? Pa dyshim që fituesit do dilnin kompanitë e mbledhjes së borxhit. Deri në vitin 2020, rezulton se vetëm subjekti MCA ka patur një fitim operativ 10.7 milion euro për portofole kredish të blera me çmimin 5.2 milion euro.

Pra rrezikun e ka marrë tjetër kush, humbjet i ka paguar banka dhe klientët e rregullt te amortizimi që i është bërë riskut te norma e interesit, dhe fitimet i merr një subjekt tjetër. A e shpjegon dot kush këtu logjikën financiare? Nëse jo, skema është ndërtuar për përfitime të një grupi njerzish, të cilët duke shfrytëzuar padijen dhe pafuqinë e qytetarëve kanë zhytur mijëra familje në varfëri!

Continue Reading
Advertisement

TRENDING