Connect with us

Shendeti

Nuk di ç’të bëj më shumë/ Kurti me surpriza për serbët e veriut

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për gazetën holandeze “Trouw”, ka thënë se Bashkimi Evropian për Kosovën është projekti më i rëndësishëm politik dhe procesi historik i lirisë dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe theksoi se ndoshta brezi tjetër, mund të dalë me një model më të mirë.

“BE-ja duhet të mbrohet dhe ne duam të kontribuojmë për këtë”, ka thënë Kurti në këtë intervistë.

Duke u ndalur te Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ai tha se ndonëse serbët përbëjnë vetëm katër për qind të popullsisë së Kosovës, gjuha e tyre është gjuhë zyrtare në mbarë Kosovën dhe në çdo nivel të qeverisjes. Ai kujtoi edhe se serbët kanë edhe dhjetë vende të rezervuara në parlament, teksa theksoi se ata nuk po i shfrytëzojnë mundësitë që kanë.

“Në vend të këtyre benefiteve, ata duan Asociacion të komunave me pushtet ekzekutiv. Ky pushtet më pas duhet t’u hiqet bashkive ose qeverisë kombëtare. Kjo nuk është e mundur sipas Kushtetutës. Dhe ata gjithashtu duan që asociacioni sipas tyre të ketë një kryetar. Unë dua ti ndihmoj komunat, por jo duke formuar një Republika Sërpska të re” – potencoi Kurti duke shtuar se ai është kryeministri që ka folur serbisht “më shumë se të gjithë paraardhësit e tij së bashku”.

“Komunat me shumicë serbe marrin 62 për qind më shumë buxhet për banorë se të tjerat. Nuk di çfarë të bëj tjetër. Nuk ka kryeministër që flet dhe konsultohet me serbët sa unë. Por pjesa dërrmuese e këtyre takimeve zhvillohen në fshehtësi, me kërkesë të tyre. Sepse përndryshe Beogradi do t’i sulmonte menjëherë. Më vjen keq dhe kërkoj falje që ende nuk jam në gjendje t’i mbroj të gjithë serbët e Kosovës nga ngacmimet nga Beogradi” I deklaroi Kurti

I pyetur nga gazeta holandeze, nëse Serbia do të hynte në luftë për pushtimin e Kosovës, kryeministri Kurti tha që nëse forcat e NATO-s nuk do të ishin të dislokuara në Kosovë, “jam i sigurt se Serbia ndoshta edhe do të do të përpiqej të pushtonte vendin”.

“Duke ushqyer lidhjet e saj të forta me Rusinë, Serbia beson se mund të shpëtojë nga dënimi për plagosjen e ushtarëve të KFOR-it dhe policisë së Kosovës. Ashtu si Rusia, edhe Serbia e urren NATO-n. Në sytë e Kremlinit, Kosova nuk është gjë tjetër veçse një projekt i NATO-s, ndërsa unë e shoh si sukses të luftës së një populli për liri”.

“Kremlini nuk sheh njerëz, ai sheh vetëm liderë dhe territor. Nëse NATO nuk do të ishte këtu, jam i sigurt se Serbia do të përpiqej të pushtonte përsëri. Policia ushtarake serbe ka 48 baza ushtarake rreth kufirit me Kosovën, prej të cilave 28 përfshijnë ushtarë” – tregoi Kurti

“Ajo që më bën optimist për të ardhmen është se në rajonin tonë nuk ekziston më ai lloj nacionalizmi mes njerëzve që nxit makineritë e luftës së diktatorëve. Ata tashmë preferojnë të vetmen gjë që u ka mbetur, që janë bandat kriminale. Tridhjetë vjet më parë, figura si Radoiçiçi do t’u kishin shpërndarë kallashnikovët qytetarëve të thjeshtë. Ata nuk janë më të interesuar për këtë, dhe kjo zvogëlon fuqinë e këtyre lloj kriminelësh”, deklaroi kreu i ekzekutivit kosovar në intervistë.

Sipas Kurtit, zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë është modeli i dy Gjermanive i vitit 1972.

“Ne arritëm një marrëveshje nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian në shkurt, por problemi është zbatimi. Serbia refuzon të nënshkruajë dhe ka shkelur të paktën tetë nga njëmbëdhjetë nenet. Pa nënshkrim, tregohet se dikush ka rezerva. Mendoj se duhet t’i përmbahemi modelit të vitit 1972 për Gjermaninë Perëndimore dhe Lindore: jeto dhe lër të jetojnë, me njohje de facto reciproke”.

“Ajo që nevojitet në Serbi, është një lider i guximshëm demokrat, i cili distancohet nga Milloshevici dhe Putini. Deri atëherë, kam frikë se nuk mund të ketë normalizim mes dy vendeve”, potencoi kryeministri i Kosoves.

Kurti tha se, për dallim nga Serbia, Kosova nuk bën propagandë. Sipas tij, “shpesh e më shpesh, nuk mund ta dëgjosh më të vërtetën e Kosovës përmes gënjeshtrave të Serbisë”.

Ai deklaroi se në Bashkimin Europian ka dy lloje diplomatësh që janë dominues në përcaktimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“I pari është i ndrojtur, i frikësuar se Serbia mund ta tërheqë Rusinë në një raund tjetër të luftërave ballkanike. Dhe kjo është arsyeja pse ai preferon kënaqësinë ndaj përballjes. Kurse lloji i dytë mendon në mënyrë utopike. Ai beson se Serbia mund të futet në kampin perëndimor me presidentin Vuçic, por pa demokratizim ky është një mision i pamundur” – deklaroi kryeministri.

Advertisement