Connect with us

Shkrime

I çliruan nga survejimi i babait tiran, por po i flakin në arenën e bullizmit

Nga Çapajev Gjokutaj

Tjetër thonë e tjetër bëjnë. Kjo shprehje të kujtohet këto ditë ndërkohë që ekranet e portalet, thuajse njëzëri përcjellin detaje nga seriali më i ri i kronikës së zezë: historia e ekonomistit 35-vjeçar në Tiranë që kishte ngujuar në apartamentin e familjes gruan, nënën dhe dy fëmijë 5 e 9 vjeç dhe i monitoronte me kamera të vendosura kudo.

Gazetarët e kronikës, qysh në tituj njoftojnë se oo sjellin detaje të reja nga apartamenti i supermbykqyrur. Është kjo një teknikë e njohur dhe e stërpërsëritur për t’i dhënë lajmit trajtë seriali dhe për të tërhequr sa më shumë shikues e lexues. Të gjithë sulmojnë babain tiran dhe marrin në mbrojtje familjen e ngujuar e të dhunuar. Empatia më e madhe shprehet për fëmijët që flinin në burg e jetonin në klimë terrori.

Parë më hollë e në thelb, sulmi mediatik drejtohet kundër tiranit po vete e godet fëmijët për t’ua bërë jetën edhe më tē vështirë sesa gjatë burgimit nga babai. Përfytyrohet se ç’i pret dy fëmijët e gjorë në kopshtin dhe në shkollën ku shkojnë. Jetojmë në hapsira të ngushta e pak të populluara, ndaj thuajse seicili njeh seicilin. Veç kësaj bullizmin dhe stigmatizimin i kemi të fortë e të egër sidomos në ambjente fëmijësh dhe adoleshentësh. Me një familje të bërë telef nëpēr ekrane, me një baba të përmendur me emër e mbiemër, të dy fëmijtë do përjetojnë gjatë turpërimin në publik, por edhe sulme të llojllojshme nga bashkëmoshatarët me prirje bullizuese.

Në raste të tilla, sidomos kur rrezikohet mirërritja e fëjëve, mediat do bënin mirë të respektonin anonimatin dhe të tregoheshin të kursyera në detaje e shtim publiciteti. Më të kursyera e më të kujdesëshme do të duhej të tregoheshin organet e policisë dhe të drejtësisë. Vras mendjen dhe s’e gjej dot pse të gjitha detajet e hetimit u përcillen mediave? Është bërë si punë zakoni apo veprojnë motive të tjera?

Natyrisht ngjarje të tilla ngjallin interes publik dhe janë rast i mirë për të ndërgjegjsuar shoqërinë. Por kjo nuk arrihet duke publikuar detaje gjithfarëllojesh për marrdhënie familjare e intime, por duke zgjedhur çfarë është e dobishme të bëhet objekt raportimi e temë diskutimi.

Në rastin e babit tiran, që pas të gjitha gjasave ka patur shqetësime të shëndetit mendor, vemendja duhej përqendruar mbase tek një plagë e shoqërisë sonë: prirja për të mbajtur të fshehura këto çrregullimet e sëmundje. Ngjarje të tilla zgjojnë interes të gjerë dhe janë rast i mirë për të diskutuar më me efikasitet pse kemi stigmë kaq të rëndë ndaj problemeve mendore, ç’duhet të bëjmë që edhe këto të shihen e të konsiderohen si gjithë sëmundjet dhe shqetësimet e tjera të shëndetit?
Advertisement