Connect with us

Bota

“Plas” edhe në Francë/ Protestuesit: Do “e vdesim” Parisin për bukë

Fermerët francezë kanë rrethuar të hënën Parisin duke i vendosur traktorët si barrikadë dhe duke vozitur ngadalë, në përpjekje për ta shtuar trysnin ndaj Qeverisë franceze për të ardhmen e industrisë së tyre, e cila ka marrë goditje të rëndë nga pasojat e luftës në Ukrainë. Fermerët përdorën automjetet e tyre për të bllokuar autostradat që çojnë drejt kryeqytetit francez. Protesta në Paris, mikpritës i Lojërave Olimpike Verore pas gjashtë muajve, si dhe protestat në qytetet e tjera franceze, bëjnë që kryeministri i ri, Gabriel Attal, të përballet me një javë të vështirë një muaj pasi e mori postin. Attali nuk ia doli t’i ndalë protestat e bujqve, megjithëse mori masa në favor të bujqësisë javë e kaluar, pasi bujqit i cilësuan ato si të pamjaftueshme për kërkesat e tyre që prodhimi i ushqimit duhet të jetë më fitimprurës, më i lehtë dhe më i drejtë.

Protestuesit u përgjigjën me zhvendosjen e qindra traktorëve, rimorkiove dhe madje kombajnave për ta bllokuar dhe ngadalësuar komunikacionin, duke e përshkruar këtë si “rrethim” për ta shtyrë Qeverinë e Attalit të lëshojë pe. Disa protestues mbërritën me rezerva ushqimi dhe uji, si dhe tenda për të qëndruar pranë barrikadave, nëse Qeveria nuk i plotëson kërkesat e tyre. Protestuesit thanë se ndihen të shpërfillur nga ministrat qeveritarë, të cilët i akuzuan se rrallëherë guxojnë t’i vizitojnë bujqit dhe t’i baltosin këpucët e tyre. Qeveria njoftoi se i ka zhvendosur 15.000 zyrtarë policorë, kryesisht në rajonin e Parisit, për të mos lejuar futjen e protestuesve në kryeqytet. Në disa prej autostradave që i bllokuan, protestuesit vendosën në traktorët e tyre afishe me mbishkrimin: “Pa bujq, nuk ka ushqim”, dhe “Fundi ynë nënkupton krizë urie për ju”.

“Synimi ynë nuk është ta shqetësojmë apo rrënojmë jetën e popullit francez”, tha Arnaud Rousseau, president i shoqatës bujqësore me ndikim, FNSEA.

“Synimi ynë është t’i bëjmë trysni Qeverisë që sa më shpejt ta gjejë një zgjidhje për krizën tonë”, shtoi ai për radion RTL.

Protestat në Francë janë dëshmi shtesë për krizën ushqimore në gjithë botën, e cila është përkeqësuar nga lufta mbi 2-vjeçare e Rusisë në Ukrainë, vendin i cili është prodhues i madh i ushqimit. Bujqit francezë ngulin këmbë se rritja e çmimeve të plehut, rrymës dhe gjërave të tjera të nevojshme për rritjen e të mbjellave dhe ushqyerjen e bagëtive, ua kanë harxhuar të hyrat, duke e bërë të pamundshme marrjen me bujqësie për shumë prej tyre./ REL

Advertisement