Bota
Jordania mund Korenë e Jugut dhe shkon në finale e Kupës e Azisë
Ky edicion i Kupës së Azisë do të ketë në finale një skuadër që askush nuk e parashikonte se do të arrinte aty. Jordania ka bërë çudinë duke eliminuar në gjysmëfinale Korenë e Jugut dhe duke siguruar praninë në duelin për trofeun.
Koreja e Jugut shihej nga të gjithë si favoritja kryesore për fitoren e trofeut, pasi kishte parë të eliminohej Japonia dhe kishte nxjerrë vetë nga gara Australinë. Por sot, përballë jordanezëve të cilët renditen në vendin e 80 në klasifikimin e FIFA-s, Son & Co. nuk mund të bënin dot asgjë.
Jordanezët dominuan në rastet e krijuara gjatë ndeshjes dhe me kundërsulmet e shpejta të tyre gjetën golin e avantazhit me anë të Al Naimat në minutën e 54-t. Një aksion spektakolar i Al Tamari në minutën e 66-të solli dyfishimin e shifrave dhe ia bëri më të thjeshtë administrimin e ndeshjes deri në fund për të siguruar këtë finale historike, pasi Jordania nuk kishte kaluar asnjëherë më parë çerekfinalet e turneut. Tani ajo pret të mësojë se kush mes Iranit dhe Katarit do të jetë përballë në ndeshjen e fundit.