Connect with us

Aktualitet

“Agjenti” bjellorus në Durrës: La vendlindjen për Shqipërinë, sot ka ngritur biznes

“Dua pasaportën shqiptare dhe djali im të jetë shqiptar”. Ky është Aliaksandr Kavaleuskiy nga Bjellorusia, që prej gati 3 vitesh jeton në Durrës.

“Këtu kam ardhur për herë të parë si turist në vitin 2021 dhe brenda gjashtë muajsh vendosa të zhvendosesha përfundimisht bashkë me familjen time, gruan dhe djalin e vogël. Siç mund ta dini, në atë kohë situata politike në vendin tim nuk ishte shumë e mirë dhe prandaj vendosa të iki prej diktaturës së Lukashenkos. Më pas kur erdha këtu, pashë detin, klimën e mrekullueshme, ushqimin, restorantet, baret dhe pashë që gjithçka që më rrethonte ishte perfekte. Kështu e vendosa se ky ishte vendi që duhej të jetoja”, thotë Aliaksandr Kavaleuskiy, agjent imobiliar.

Tashmë Aleksi dhe familja e tij janë përshtatur më së miri me jetën në Shqipëri.

“Zemra ime është në Shqipëri tani. Djali im ndjek klasën e dytë dhe është i pari i klasës. Ai është djalë shqiptar tani. Ne kemi hapur dhe një agjenci imobilare këtu, për ta bërë Shqipërinë të njohur edhe në Bjellorusi, që duhet ta pranoj nuk njihet aq në masë dhe për të investuar kështu në ekonominë shqiptare”, shprehet ai.

Në Shqipërinë që ka vend për të gjithë atij gjithçka po i shkon mirë, por ka vetëm dy probleme.

“Kam pasur qindra blerës këtu. Unë punoj më shumë me klientë nga Ukraina, Bjellorusia, Rusia etj. Më pak me polakët apo çekët dhe shumë më pak me italianë. Vetëm se çmimet janë të larta. Kur nisa punën çmimi ishte shumë i leverdishëm, ndërsa tani jo më, tani Shqipëria i ka çmimet njësoj me Italinë e Spanjën. Nga ana tjetër vuaj edhe për një punëtor. Më pëlqejnë njerëzit këtu, janë të përgjegjshëm, të sjellshëm dhe gjithmonë të gatshëm për të të ndihmuar, por ndonjëherë jo shumë të gatshëm për të punuar. U bë kohë që kërkoj një menaxher dhe nuk po e gjej. Të dijë vetëm shqip dhe anglisht, asgjë më tepër, punën tjetër e bëj vetë”, thotë ai.

Rasti i Aleksit nuk është një rast i izoluar. Vitet e fundit kanë qenë të shumtë shtetasit ukrainas dhe bjellorus, që janë shpërngulur në vendin tonë për shkak të situatës së trazuar politike në atdheun e tyre.
Advertisement