Connect with us

Kronike

Policia zbardh atentatin e ndodhur dy ditë më parë në Shkodër/ Arrestohet autori, kishte udhëtuar drejt Berlinit

Është zbardhur ngjarja e ndodhur dy ditë më oarë në Shkodër, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i plagosur Selami Brahimi.

Policia e Shkodrës thotë se autori i ngjarjes dyshohet Sulejman Kapllani, i cili është arrestuar në Gjermani dhe pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.

“Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të plagosjes së shtetasit S. B., të kryer më datë 08.02.2024, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat dhe në informacionet e siguruara, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin S. K. Si rezultat i një hetimi intensiv dhe profesional të kryer nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, dhe falë inteligjencës policore, u sigurua informacion se autori i dyshuar kishte udhëtuar drejt Berlinit. Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar shtetasi S. K., 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër. Shtetasi S. K. dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin S. B., banues në lagjen “Guerile”, Shkodër”-njofton policia.

Po ashtu, është sekuestruar arma me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit.

Selami Brahimi arriti t’i shpëtonte atentatit në Shkodër natën e 8 shkurtit.  Në dëshminë e dhënë për policinë ai tha se nuk ka marrë kërcënim nga asnjë person dhe se nuk ka arritur ta shikojë autorin apo autorët.

Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë. Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askënd dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye”, tha Brahimi gjatë dëshmisë.

Në drejtim të 60 vjeçarit është qëlluar me kallashnikov 10 herë, por vetëm një plumb e ka prekur në pjesën e fytyrës.

Top Channel

Kronike

U arrestua në Itali me urdhër të SPAK, kush është Arian Tuku, dhëndri i Arben Ndokës

Në kuadër të operacionit që po kryhet nga SPAK për goditjen e grupeve kriminale, në bashkëpunim me Interpol është arrestuar në Itali, Arian Tuku.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Arian Tuku, 36 vjeç nga Lezha, ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën (Aleksandër Deda) i njohur si “Leksi i Druve”. Atentati ndaj Alkes Ndrekës, ndodhi pasditen e 1 dhjetorit 2020 në autostradën Lezhë-Laç. Ndreka mbeti i plagosur me një plumb në gjoks.

Arian Tuku është dhëndri i Arben Ndokës, ish-deputetit të PS-së, i cili po ashtu është në kërkim pasi ndaj tij SPAK ka lëshuar urdhër-arrest. ‘Leksi i Druve’ ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin Ndoka.

Gjithashtu 36-vjeçari Tuku ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Durim Bamit. Atentati ndaj Durim Bamit u bë më nëntor të 2020, ku ndaj tij u qëllua me 5 plumba dhe mbeti i plagosur kushëriri i tij Ervin Kodra. Durim Bamit i kishin zënë pritë në urën e Tapizës. Pas atentatit, autorët dogjën makinën në Valias dhe brenda saj u gjet edhe një kallashnikov.

Po sipas SPAK, në 2020, Arian Tuku ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze.

‘Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se shtetasi Arian TUKU, djali i Zef dhe Veranikës, i datëlindjes 02.02.1988 në Lezhë, më datë 01.12.2020 ka tentuar të vrasë shtetasin Aleks NDREKA. Gjithashtu ky shtetas ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Durim BAMI. Më datë 03.11.2020, ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze. Veprat e mësipërme janë kryer prej tij në një formë të veçantë bashkëpunimi, atë të një grupi të strukturuar kriminal.’-njofton SPAK.

Hetimet e SPAK nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve ‘Sky’ që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.

Continue Reading

Kronike

Si nëpër filma/ Operacioni i SPAK, RENEA ‘zbarkon’ në vilat e bosëve të krimit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka publikuar pamje nga operacioni i SPAK, ku janë lëshuar dhjetëra urdhër arreste për personazhe të botës së krimit.

Sikurse duket në video, forcat e RENEA-s zbarkojnë në vilat e personave të shpallur në kërkim, duke u ngjitur me shkallë.

Ministri Taulant Balla thotë se lufta kundër krimit të organizuar është e pandalshme dhe po jep rezultat.

“Lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj”, shkruan Balla.

Continue Reading

Kronike

Në kërkim nga SPAK, arrestohen dy persona në Spanjë dhe Itali (EMRAT)

Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme janë arrestuar në dy shtete europiane.  Raportohet se Denis Meta është vënë në pranga në Spanjë, ndërsa Arjan Tuku është kapur në Itali.

Sipas hetimeve të SPAK, dyshja rezultojnë të implikuar në episode të ndryshme kriminale. Arrestimet e tyre u kryen në bashkëpunim mes Interpol Tirana dhe autoriteteve italiane dhe spanjolle.

Rreth 50 urdhër arreste raportohet se janë lëshuar nga SPAK, ndërsa nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme. Urdhër arrestet janë lëshuar për personat që akuzohen si të implikuar në ngjarje të rënda që përfshijnë vrasje, apo organizata kriminale. Raportohet se i gjithë operacioni është vazhdimësi e hetimeve për të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, fati i të cilit vijon të jetë mister.

Continue Reading

Kronike

Tentoi të vrasë me thikë bashkëshorten, dënohet me burg shqiptari në Britani (EMRI)

Një 44 vjeçar shqiptar në Britaninë e Madhe është dënuar me 15 vite burg pasi u kap në tentativë për të vrarë bashkëshorten e tij.

Për ngjarjen e ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, mediat angleze shkruajnë se Petrit Zefi ishte tepër xheloz ndaj gruas së tij dhe kishte shfaqur edhe më parë shenja agresiviteti.

Zefi i cili hyri në Britaninë e Madhe ilegalisht në vitin 2000 me anë të një kamioni, ishte një njeri aq kontrollues saqë Nataslisë, nënës së katër ffëmijëve u ndaloi të ketë telefonin e saj apo të shkonte ku të donte

Me një thikë në dorë Zefi tentoi të godiste bashkëshorten e tij por ngjarja e rëndë u parandalua me ndërhyrjen e vajzës së çiftit.

Continue Reading

Kronike

U kap me 113 mijë euro në Audi/ Kush është ish-efektivi i RENEA-s i shpallur në kërkim nga SPAK?

SPAK ka firmosur urdhër arresti edhe për Altin Morinën, ish-efektivi i RENEA-s i cili u arrestua në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro.

43-vjeçari, me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me këtë automjet luksoz.

Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plastmasi.

Por një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal.

Altin Morina, dyshohet se ka lidhje me gurpin e Ervis Martinajt. Pak ditë para se të arrestohej ai u pa në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.

Kush është Altin Morina?

39-vjeçari është prej vitesh pjesë e strukturës policore. Karriera e tij ka nisur në strukturën e sotme të AMP, (Agjencia e Mbikqyrjes Policore), ish-SHÇBA e dikurshme. Altin Morina punoi në vitin 2012 në SHÇBA dhe më pas kaloi në radhët e Policisë, ku qëndroi si oficer në Komisariatin nr.3 në Tiranë. Nga atje, karriera e tij njohu vetëm rritje, pasi më pas drejtoi komisariatin e Policisë në Ballsh. Nga Ballshi, Morina kaloi në RENEA ku ishte në detyrë deri në momentin e arrestimit. Ka dyshime se përveç lidhjes me eksponentë të caktuar të krimit në Shqipëri, ish-efektivi mund të ketë qenë i përfshirë në dhënien e parave me fajde.

Deri më tani nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar nga SPAK mbi urdhër arrestet e ekzekutuara për personat që akuzohen si të implikuar në ngjarje të rënda që përfshijnë vrasje, apo organizata kriminale. Ndërkohë raportohet se i gjithë operacioni është vazhdimësi e hetimeve për të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, fati i të cilit vijon të jetë mister.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING