Bota
Rritet numri i të vdekurve nga rrëshqitjet e dheut në Filipine
Numri i të vdekurve nga rrëshqitjet e dheut në Filipine është rritur në 54, tha të dielën qeveria rajonale, ndërsa shpëtimtarët nxorrën trupa të tjerë nga balta. Rrëshqitja e dheut ndodhi mbrëmjen e së martës pranë një miniere ari në Maco City, provincën Davao de Oro.
Numri i personave të zhdukur shkon në 63, ndërsa qeveria rajonale thekson se numri është i pakonfirmuar. Nga rrëshqitja e dheut janë lënduar gjithsej 32 persona.Edward Makapili, një zyrtar në distriktin Davao de Oro, tha se më shumë se 300 njerëz u përfshinë në operacionin e shpëtimit, por përpjekjet u penguan nga shiu i madh, vëllimi i baltës dhe kërcënimi i rrëshqitjeve të reja të dheut.
I pyetur nëse ka të mbijetuar, Makapili tha se nuk ka gjasa, por kërkimet do të vazhdojnë. “Ekipet e shpëtimit po bëjnë maksimumin, por është shumë e vështirë”, tha Makapili përmes telefonit.Shirat e rrëmbyeshëm kanë goditur Davao de Oro gjatë javëve të fundit, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu.