Kosova
Në kërkim nga Interpol-i për sulmin e Banjskës, Radoiçiç feston ditëlindjen me fishekzjarre
Udhëheqësi i grupit të armatosur serb, që kreu sulmin ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator në veri të Kosovës, Milan Radoiçiç është shfaqur duke festuar ditëlindjen në Kopaonik të Serbisë.
Politikani serb Nemanja Sharoviç ka publikuar në rrjetin social “X” një video që sipas tij paraqet festën e kremtimit të ditëlindjes së 46-të Milan Radoiçiqit në Kopaonik.
Siç shihet në videon e transmetuar nga media serbe “Danas“, disa persona kanë shpalosur një pankartë ku shkruhej “Gëzuar ditëlindjen komandant” përpara se të fillonin fishekzjarrët.
Para pankartës shihet një burrë, i cili ishte filmuar nga pas dhe që ngjan në Milan Radoiçiç.
Autoritetet e Kosovës janë në kërkim të tij për shkak të kryerjes së sulmit të armatosur në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbetën të vrarë një polic i autoriteteve të Kosovës dhe tre serbë.
Autoritetet serbe e akuzojnë atë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, akuzë për të cilën u ndalua në Beograd dhe u lirua pas një seance në Gjykatën e Lartë në Beograd.