Connect with us

Kosova

Kurti dredharak, bën të paditurin/ Ku shkoj dinari si sukses i qeverisë

E paraqiti me pompozitet para anëtarëve të partisë së tij, por edhe para qytetarëve, mirëpo befasisht Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një intervistë për radion “Monocle”, se nuk qenë në dijeni të vendimit të Bankës Qendrore, për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e vendit.

“Nuk kisha asnjë ide se Banka Qëndrore do sillte nje vendim të tillë apo se do hartonte rregullore për ndalimin e dinarit”, deklaroi kryeministri, duke harruar se më 4 shkurt, ishte ai që gjatë një mbledhje me Qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për “sukseset” që kjo parti ka arritur në qeverisjen e vendit,  kishte përmendur edhe ndalimin e dinarit serb. Me pak fjalë, duke i marrë për vete meritat e kesaj lëvizje.

Kjo tërheqje e Kurtit, duke ia lënë përgjegjësinë vetëm BQK-së, vjen në një kohë kur vendet perëndimore – si kurrë më parë – posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë artikuluar kritika të ashpra ndaj tij për shkak të moskoordinimit me ta për këtë çështje.

Madje, zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Ndihmës-Sekretarin e Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, kanë bërë të ditur se ky vendim ka cenuar raportet mes të dy shteteve.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar që kjo çështje të zgjidhet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, gjë që është refuzuar kategorikisht nga Kosova

Madje, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, njëherazi kryengociator i Kosovës, ka bërë të ditur se ka refuzuar një ftesë që i është bërë nga Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, për të diskutuar mbi këtë tematikë.

Refuzimin për të marrë pjesë në takim, Bislimi e ka arsyetuar duke thënë se çështja e dinarit “nuk është pjesë e dialogut”.

Përveç refuzimit, Bislimi ka akuzuar edhe ndërmjetësin Lajçak, për caktimin e një takimit, sipas tij, në mënyrë të njëanshme, pasi që ka theksuar se nuk është koordinuar si zakonisht për agjendën e takimit.

Advertisement