Rajon
Serbinë e shpëton vetëm rebelimi/ Shkrimtari serb skanon Vuçiçin dhe politikën
Shkrimtari serb, Milojko Pantiç ka shkruar se Serbinë e shpëton vetëm rebelimi dhe se zhgënjimi ka filluar që në vitin 2000, kur qytetarët serb përmbysën regjimin nacionalsocialist të Sllobodan Millosheviçit.
“Atë kohë të gjithë menduam se më në fund do të shndriste dielli i demokracisë në Serbi. Vetëm disa njerëz me përvojë, kur dëgjuan deklaratën e Vojisllav Koshtunicës, presidentit të atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, se nuk do të kishte revanshizëm ndaj regjimit të Millosheviçit, e kuptuan se në atë flakë lirie, kishte një kokërr errësirë nacionaliste. Me atë deklaratë, Koshtunica i liroi të gjithë kriminelët serbë nga përgjegjësia për atë që ndodhi në emër të Serbisë në bombardimet katërvjeçare të Sarajevës, në rrënimin e plotë të Vukovarit, në vrasjen gjenocidale të civilëve në Srebrenicë dhe dëbimin e qindra mijërave shqiptarëve, gra dhe fëmijë nga Kosova” – ka theksuar Pantiç, teksa dhe ka përmendur një rregull të vjetër, i cili thotë: : E keqja e pandëshkuar kthehet dhe kryen edhe më shumë krime.
Kjo ndodhi edhe me Serbinë. Krijuesit e luftës dhe politikës së dhunshme që shkatërruan ish shtetin e madh, pas një pushimi të shkurtër, morën sërish pushtetin dhe me ndihmën e bashkëluftëtarëve të Kishës Ortodokse Serbe filluan rrënimin e plotë të Serbisë.
“Shteti është kthyer në një kamp ku qytetarët janë të burgosur dhe pushtetarët janë rojet e kampit të përqëndrimit. Situata në shoqërinë serbe është aq absurde sa nuk mund të shpjegohet me arsye të shëndoshë” – ka shkruar Pantiç duke potencuar: – Nga Rusia e dashur dhe e urryer marrim një mesazh nga poeti dhe dramaturgu gjenial Vladimir Mayakovsky, duke perifrazuar: Revolucioni fillon kur nuk ka ligj moral dhe ligjet e shkruara zbatohen vetëm për të varfërit.