Bota
Rusia do të ndalojë eksportin e benzinës për 6 muaj duke filluar nga ky muaj
Rusia vendosi sot të ndalojë eksportet e benzinës për gjashtë muaj, duke filluar nga 1 marsi. Arsyeja është për të mbajtur çmimet të qëndrueshme mes kërkesës në rritje dhe për të lejuar mirëmbajtjen e rafinerive në eksportuesin e dytë më të madh të naftës në botë. Lajmi për ndalimin, i cili u raportua për herë të parë nga grupi rus i lajmeve RBC, u konfirmua nga zëdhënësi i zëvendëskryeministrit rus Alexander Novak.
RBC duke cituar një burim të paidentifikuar, shkroi se kryeministri Mikhail Mishustin miratoi ndalimine eskportit të benzinës pas një propozimi të bërë nga Novak në një letër të datës 21 shkurt. Një burim i dytë i tha Reuters se vendimi ishte marrë, por dekreti nuk ishte lëshuar.
“Për të kompensuar kërkesën e tepërt për derivatet e naftës, është e nevojshme të merren masa që do të kontribuojnë në stabilizimin e çmimeve në tregun vendas”, thotë Novak në propozimin e raportuar nga RBC.
Çmimi i benzinës është një shqetësim për shoferët dhe fermerët në Rusi. Ndërsa disa rafineri ruse janë goditur nga sulmet me dronë ukrainas në muajt e fundit. Forcat e armatosura të Rusisë dhe Ukrainës po synojnë infrastrukturën energjetike në një përpjekje për të prishur zinxhirin e furnizimit dhe për të dëmtuar moralin e armikut, ndërsa ata kërkojnë të fitojnë dorën e sipërme në këtë luftë, në të cilën dy vjet pas fillimit të saj nuk i duket fundi në asnjë kohë.
Eksportet e naftës, produkteve të naftës dhe gazit natyror janë deri tani produkti më i madh eksportues i Rusisë, një burim kryesor i të ardhurave për ekonominë e saj prej 1.9 trilion dollarësh dhe t’i sigurojë Moskës një pozicion udhëheqës në skenën globale të energjisë.
Kremlini po punon me Arabinë Saudite, eksportuesin më të madh të naftës në botë, për të mbajtur çmimet të larta në grupimin më të gjerë të OPEC+ që përfshin Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët kryesorë. Rusia tashmë ka ulur vullnetarisht eksportet e naftës dhe karburantit me 500 mijë fuçi në ditë në tremujorin e parë, si pjesë e përpjekjeve të OPEC+ për të mbështetur çmimet.
Rusia në vitin 2023 prodhoi 43.9 milionë tonë benzinë dhe eksportoi rreth 5.76 milionë tonë, që është rreth 13% e prodhimit të saj. Importuesit më të mëdhenj të benzinës ruse janë kryesisht vendet afrikane, si Nigeria, Libia, Tunizia dhe gjithashtu Emiratet e Bashkuara Arabe.
Vitin e kaluar Rusia ndaloi eksportet e benzinës midis shtatorit dhe nëntorit për t’u marrë me çmimet e larta të brendshme dhe mungesat. Aktualisht ndalimi nuk do të zbatohet për vendet anëtare të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, Mongolinë, Uzbekistanin dhe dy rajone separatiste të mbështetur nga Rusia, Gjeorgji, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë.