Connect with us

Kosova

S’ka BE për Kosovën dhe Serbinë/ Peter Stano del me kërkesa

Në njëvjetorin e arritjes së dakordimit në mes Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se as Kosova e as Serbia nuk mund të përparojnë në rrugën e tyre drejtë Unionit, nëse nuk bëjnë përparime në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“BE shpreh keqardhje për progresin e kufizuar deri më tani në zbatimin e Marrëveshjes, e cila mund t’i atribuohet plotësisht dy palëve” – ka thënë Stano

Më 27 shkurt 2023, Kosova dhe Serbia pranuan Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve bazuar në propozimin fillestar të BE-së e cila njihej ndryshe si plani franko-gjerman. Më pas, më 18 mars 2023, të dy palët ranë dakord për planin e zbatimin. Por ndërkohë, dialogu është i paralizuar.

Serbia pretendon që nuk ka asnjë obligim për ta zbatuar marrëveshjen bazike në tërësi, ndërkaq Kosova pretendon që pa nënshkrim formal realisht nuk ka marrëveshje mes palësh, rrjedhimisht Kosova nuk obligohet prej saj.

Ballafaquar me këto obstruksione thelbësore, bazuar në konkluzionet e Këshillit Evropian nga marsi 2023, në dhjetor 2023, BE ka nisur procesin që zbatimin e Marrëveshjes Bazike ta integrojë si kusht formal në procesin e integrimit evropian për të dyja palët. Konkretisht, zbatimi i marrëveshjes të bëhet pjesë e kapitullit 35 për Serbinë, dhe si proces i veçantë i Kosovës në rrugën drejt BE-së. Ky proces tani është në fazat e fundit të formalizimit dhe nga dita në ditë pritet njoftimi zyrtar.

Në momentin kur BE zyrtarizon zbatimin e marrëveshjes bazike si kusht formal për integrimin evropian të Serbisë dhe të Kosovës, situata ndryshon si në thelb ashtu edhe në formë.

Pas zyrtarizimit të këtij hapi, BE do të dalë me një udhërrëfyes disa pikësh mbi zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit. Esencialisht, me këtë udhërrëfyes, Bashkimi Evropian do qartësojë në terma konkret se çfarë BE konsideron zbatim të kënaqshëm të Marrëveshjes Bazike dhe të Aneksit të Implementimit.

Më tutje, Unioni do të qartësojë se pa përmbushjen e këtij udhërrëfyesi nuk mund të ketë përparim në rrugën e mëtejme evropiane dhe as akses në fondet e zhvillimit për Ballkanin Perëndimor.

Për ta sqaruar më thellë, BE nuk do të negociojë më me palët rreth zbatimit të asaj që është dakorduar, dhe as nuk do të ndikohet nga retorika e imponuar që zbatimi nga njëra palë varet nga zbatimi që bën pala tjetër, apo nga çfarëdo deklarimi që mund të bëjnë palët. BE do të prezantojë listën e asaj që duhet të bëhet dhe do të mbyllë çfarëdo mundësi diskutimi.

Kosova dhe Serbia do të vlerësohen veçantë nga njëra tjetra për zbatimin e udhërrëfyesit. Rrjedhimisht, nëse Kosova zbaton pjesën e saj, mund të shpërblehet, ndërkaq Serbia do penalizohet dhe anasjelltas.

Advertisement