Connect with us

Politike

Ministrat e 7 vendeve të BE-së: Të vendosen afate për anëtarësimin e Ballkanit

Pas miratimit të planit 6 miliardë Euro për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor në samitin e Tiranës me Bashkimin Europian, Brukselit i kërkohet tani përcaktimi i afateve të qarta për anëtarësimin e vendeve të rajonit.

Ministrat e Jashtëm të 7 vendeve europiane ia dërguan këtë kërkesë krerëve të institucioneve drejtuese të Bashkimit Europian përmes një letre.

Mes nënshkrimeve kryediplomatëve të Italisë, Austrisë, Kroacisë, Çekisë, Sllovakisë e Sllovenisë , bie në sy edhe ai i shefit të diplomacisë greke Jorgos Gjerapetritis, vendi i të cilit mban peng negociatat për Shqipërinë, nga pakënaqësitë për çështjen “Beleri”.

“Ka ardhur koha për përparim vendimtar në procesin e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Një afat i qartë dhe i arsyeshëm për pranimin e tyre është më urgjente se kurrë. Koha është thelbësore. Çdo vonesë dëmton besueshmërinë e BE-së dhe do të ketë ndikim negativ në procesin e integrimit të rajonit”.

Ministrat i bëjnë thirrje Charles Michel, Ursula von der Leyen dhe Roberta Metsolës të angazhohen personalisht për të lehtësuar procedurat e proceseve integruese për rajonin, mes institucioneve që drejtojnë, veçanërisht tani në prag të zgjedhjeve europarlamentare.

“Mirëpresim dhe mbështesim Planin e ri të Rritjes të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Ky plan ofron një mundësi konkrete për ta afruar rajonin me tregun e përbashkët të BE-së, për të thelluar integrimin ekonomik rajonal dhe për të përshpejtuar reformat themelore. Nëse zbatohet me sukses, ai do të kontribuojë në nxitjen e konvergjencës socio-ekonomike, duke trajtuar ikjen e trurit nga rajoni, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij dhe duke mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE”.

Në zgjedhjet e 6-9 Qershorit priten të mësohen emrat e eurodeputetëve të rinj dhe krerëve të rinj të institucioneve evropiane në kryeqytetin belg.

Advertisement