Connect with us

Aktualitet

Princ Leka sulmohet fizikisht nga ish-gruaja, analisti paraqet një anë tjetër të historinë

Nga Indrit Vokshi 

Princ Lekën II e njoh personalisht!

Kemi ndejtur në evente formale por edhe në restorante dhe kafe. Mund të them se ka sjellje të denjë, ka kulturë të lartë e të veçantë plotësisht në përputhje me emrin dhe statusin e tij. Ky nivel sjelljeje e bën të respektuar si individ. Nëse mbretëria dhe historia lejojnë diskutim, niveli vetjak i princit në fjalë është i padisktueshëm.

Sot del lajmi se princi është sulmuar fizikisht e verbalisht nga babai i ish-gruas dhe ish-gruaja. Pa dyshim një lajm i tillë do të shkaktojë ironi, shaka, sarkazëm dhe cinizëm në mesin e komentuesve në rrjete sociale. Ndoshta është normale.

Në vende si Shqipëria, princi përfytyrohet si diçka e fortë, quasi-tiranike, me truproja e që të bën gjëmën. Unë kam dëgjuar një burrë diku i cili kishte humbur respektin për Sulejmanin e Madhërishëm tek filmi, thoshte çfarë sulltani është ai, e komandojnë gratë. Pra deri në ketë pikë ka ndikuar përfytyrimi popullor.

Princi i Shqipërisë i njohur me ligjin e vitit 2003 nga shteti shqiptar, ska dyshim se i ka mundësitë për të paguar edhe badigardë, edhe eskortë makinash. Mirëpo mesa duket ka zgjedhur të jetojë si të gjithë princat europianë në jetën e një republike të cilët jetojnë “civilë”, pa salltanete, pa truproja, pa eskorta.

E është e pritshme që një princ i tillë të mos magjepse popullin i cili princin e përfytyron si princ arab apo princ i ndonjë mbretërie afrikane, me salltanete dhe përulje.

Incidente të tilla nuk tregojnë dobësi të princit, pasi një princ i cili ka zgjedhur të jetojë sipas rregullave europiane “të princërimit” në vendet jo-monarki, nuk mundet të ushtrojë dhunë vetjake, dhunë në nivel privat dhe dhunë me badigardë. Kjo nuk përputhet me lartësinë kulturore.

Ndaj princi Leka II qenka drejtuar tek organet e “dhunës legjitime”, pra organet e shtetit. Nëse do të kishte vepruar ndryshe atë çast do të rrënonte reputacionin e tij.

Më ka treguar dikush një histori ku profetit Muhamed gruaja ia ka përmbysur tabakanë në prani të burrave. Dhe ai ka reaguar me qetësi, duke thënë ska problem, kjo është natyra e njerëzve dhe veçanërisht e grave.

Sigurisht profeti ska kërkuar urdhër mbrojtjeje por, përtej batutës, nëse profeti i Zotit sillet në atë mënyrë, kush jemi ne të tjerët që të sillemi me gratë dhe burrat ndryshe nga si është sjellë ai?

Prandaj them se ketë incident duhet ta shikojmë pak më ndryshe, jo krejt sipas kritereve disi vulgare të cilat janë imponuar dhe legalizuar në jetë publike shqiptare.

Advertisement