Connect with us

Kosova

Kurti stoik ndaj Perëndimit, zbulohet çfarë po ndërton ai

Pas vizitës së fundit të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Kosovë, përfundimisht u betonua fakti se raportet ndërmjet Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtarë, janë në pikën më të ulët të tyre.

Perëndimi në veçanti, SHBA-të, po kërkojnë pezullimin e vendimit për dinarin, derisa Bashkim Evropian, SHBA-të e Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Por me këtë nuk po pajtohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, meqë në vlerësimin e tij “vendimi është i një institucioni të pavarur”, pra e BQK-së, në të cilin ai nuk dëshiron të përfshihet.

Marrë për bazë këtë premisë, Qeveria e Kosovës në dukje jep përshtypjen se është i fokusuar në ndërtimin e një tregimi se po lufton presionin perëndimor për të mbrojtur sovranitetin, narracion ky i cili do t’i shërbente kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen.

“Nuk ka dyshim se gjatë gjithë kohës Kryeministri Kurti ka operuar me këtë skemë. Dhe kjo nuk është hera e parë” – potencoi ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli duke shtuar se Kurti po ndërton figurën se është një person që nuk nënshtrohet dhe nuk e di se çfarë është trysnia ndërkombëtare duke u tërhequr më pas, papritmas, me një dëm të madh për pozicionin politik dhe diplomatik të Kosovës.

Përveç premisës elektorale, qëndrimi “stoik” i Kurtit në raport me presionin ndërkombëtar, për ish deputetin, ka motive edhe diku tjetër, te shfaqja para ndjekësve të tij, si një hero i vetmuar që po lufton vazhdimisht në mbrojtje të interesave kombëtare.

“Por, që në fund kur bënë kompromise dëshiron të mos gjykohet për këto veprime, por të mëshirohet si viktimë e asaj që ai ka trashëguar, që ka luftuar deri në fund, por nuk mundi t’i korrigjojë gabimet e liderëve paraprak të Kosovës”.

Njëjtë si Kasolli, edhe Visar Ymeri, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, beson se kryeministri Kurti është më shumë i fokusuar në ndërtimin publik të një profilit të politikanit që nuk dorëzohet, ndërsa në tavolinë pranon të gjitha koncesionet që po i kërkohen.

“Deklarimet e komunitetit ndërkombëtar po ngjallin reagim, natyrshëm, kritik ndaj qeverisë me kërkesën për ta ndryshuar qasjen, e që pastaj Kurti e përdorë për te minimizuar kritikën ndaj koncesioneve”.

Ky pozicion i Kurtit dhe fokusimi i tij vetëm në imazhin publik, për Ymerin, me siguri që shkakton dëme të mëdha.

“Kredibiliteti i pozicionit të Kosovës në dialog po dëmtohet. Një prej avantazheve që Kosova ka pasur vazhdimisht në dialog ka qenë fakti që vendet perëndimore e posaçërisht ShBA kanë pasur qëndrim të përafërt me Kosovën meqë e kanë konsideruar veten pjesëmarrës në themelimin e Kosovës shtet”. – Sjellja e Kurti, beson Ymeri, po e minon këtë pozicionim.

Advertisement