Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar me akuzat ndaj Edi dhe Olsi Ramës, në lidhje me laboratorin e kokainës në Xibrakë. Berisha i bëri akuzat pas publikimit të dokumenteve se Olsi Rama kishte udhëtuar të paktën 18 herë me një nga makinat e trafikut të kokainës, të hetuar dhe arrestuar me urdhër nga drejtësia gjermane.
Kryedemokrati, Sali Berisha u shpreh se, mbrëmë për herë të parë, Edi Rama dhe Olsi Rama pranuan autorësinë e krimit të madh të Xibrakës sepse Gazment Bardhi iu nxori dosjen.
Berisha tha se, ata deklaruan në studio me një fletërrufe se Olsi vërtet është shoqëruar me ndonjë prej tyre, vërtet ka udhëtuar me makinën e tyre, por nuk ka lidhje me ta, paçka se Olsi bënte mbledhje në apartamentet e fshehta të grupit.
Berisha në tubimin që zhvillohet kundër arrestimit të tij politik të dirigjuar nga qeveria është shprehur se, nuk ka kund kryeministër në Europë që të jetë dokumentuar se vëllai i tij ka bërë 18 udhëtime me makinën kryesore të grupit të trafikantëve.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu drejtua me një apel gazetarëve që të mos bëhen instrumente të mashtrimit, ndërsa theksoi se mediat e mëdha censuruan dosjen Rama të Xibrakës. Berisha tha se, kryehajdutit të Bashkisë nuk i hyri ferrë në këmbë, sepse kryehajdutit të qeverisë nuk i ndodh asgjë.
Berisha, gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, theksoi faktin se mediat në Shqipëri po censurojnë opozitën dhe denoncimet e saj. Berisha e vuri theksin tek fakti se, dje mediat e mëdha nuk e publikuan denoncimin e Gazment Bardhi. Berisha tha se, iu drejtua qytetarëve se po përballemi me një censurë kriminale, dhe bëri thirrje se duhet t’i kallim datën në botën digjitale këtyre hajdutëve dhe kriminelëve.
Berisha: Vite më parë, me dhjetëra dhe qindra herë denoncuam instalimin e narkoshtetit në Shqipëri. Instalimin e narkoshtetit nga Edi Rama, i cili nënkupton zëvendësimin e ligjeve me kodin e mafies.
Në janar të vitit 2015, u zbulua në Xibrakë mbi 1 ton kokainë me laboratorin më të fuqishëm në Ballkan. Llogaritej rreth 300 milionë euro ngarkesa. Sasi të tilla nuk lëvizin kurrë pa garancinë madhore politike. Garancia madhore e kësaj sasie ishte Edi Rama me vëllain e tij të angazhuar direkt në bandën e Xibrakës.
Faktet e dosjes gjyqësore të paraqitura të tëra me dokumente zyrtare, të cilat provonin se në përmbushje të detyrës, policët kishin survejuar grupin kriminal. Dhe njëri prej katër anëtarëve më kryesorë ishte një person, 45-vjeçar, me flokë të shkurtra, që e kishin parë, fotografuar dhe e dinin kush ishte, por që urdhri epror i kishte detyruar ta shënonin si të panjohur.
Ky person i panjohur, ndonëse ata që e ndiqnin në rrugë, që e ndiqnin me veturën e tij të trafikut, e ndiqnin në apartamentet e fshehta ku bënin takimet, të gjithë e dinin se kush ishte. Megjithatë, ata vazhdonin të zbatonin urdhrat, i panjohuri.
Mirëpo në rast se polici i përbërë prej mishi dhe kocke, zbatonte verbërisht urdhrat e eprorit, kompjuteri i TIMS në pikat e kalimit kufitar nuk i zbatonte ato dhe ai nxori se i panjohuri 45-vjeçar me flokë të shkurtra, që udhëtonte me makinën me targën e banditëve, ishte Olsi Rama, me figurë, me pasaportë, me numër pasaporte, me automjet, me të gjitha.
Mbrëmë për herë të parë, Edi Rama dhe Olsi Rama pranuan autorësinë e krimit të madh të Xibrakës.