Politike
Basha: Mundësia që Rama të pranojë qeveri teknike, zero
Kryetari i PD, Lulzim Basha është pyetur sot gjatë një konference për mediat nëse ai dhe deputetët e grupimit të tij do të votojnë amnistinë penale, por edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në tetor të këtij viti.
Basha u shpreh se nuk ka ndryshuar qëndrim për amnistinë penale, të cilën u shpreh se do ta votojë nëse përmbushen kushtet e mospërjashtimit të subjekteve të SPAK dhe amnistisë për çdo protestues të arrestuar.
Sa i përket mundësisë për zgjedhje të parakohshme dhe krijimit të një qeverie teknike, Basha tha se mundësia që kryeministri Rama të pranojë qeverinë teknike për momentin është zero.
Sipas tij opozita nuk është në gjendje të imponojë një qeveri teknike.
A do ta votoni amnistinë penale nesër?
Basha: E para, në rendin e ditës amnistia nuk është. Nëse vendoset në rend, asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimi ynë. Mos përjashtimi i subjekteve të SPAK, siç ishte propozimi para se të futeshin duart, dhe propozimi i dytë për të gjithë protestuesit pa përjashtim, këto kanë qenë qëndrimet tona. I di edhe Ulsiu, edhe shefi i Ulsiut, edhe ai që i shkon nga mbrapa Ulsiut, nëse këto kushte plotësohen, sigurisht që ata persona mund të përfitojnë nga amnistia. Nuk kemi asnjë kusht të fshehtë, nuk bëjmë kompromis me asnjë nga këto dy qëndrime.
Në korridoret politike flitet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, ndoshta në tetor, a është PD e gatshme për këtë skenar?
Basha: Shqiptarët nuk duhet t’i mbajmë me gënjeshtra. Mundësia që Rama të pranojë një qeveri teknike është zero. Nuk jemi në gjendje të imponojmë një qeveri teknike, fatkeqësisht ky është një iluzion dhe bëhet për të hequr mendjen nga një gjë më e madhe.