Kosova
Fatkeqësi e pakualifikuar, eurodeputeti gjerman për emisarin Lajçak
Deputeti nga radhët e “Të Gjelbërve” në Parlamentin Evropian, Reinhard Butikofer, ndërsa ka komentuar zërat e largimit të Miroslav Lajçak nga pozita e të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, ka potencuar se diplomati sllovak është një “fatkeqësi e pakualifikuar” si i deleguari i BE-së për dialogun.
“Shpresoj që ai të mos prishë edhe marrëdhëniet mes Zvicrës dhe BE-së”, ka shkruar Butikofer në një postim në platformën sociale, X.
Për largimin e Lajçak nga kjo pozitë dhe emërimin e tij si ambasador i BE-së në Zvicër ka kushtuar një artikull edhe gazeta zvicerane “NZZ” ku vlerësohej se kalimi në Bernë paraqet rënie drastike në karrierë për diplomatin sllovak.
Në artikullin e gazetës zvicerane potencohej se diplomati sllovak arriti t’ia patentojë vetes një “post të sigurt” para ciklit të ri elektoral për ulëset e Parlamentit Evropian në qershor nga i cili varet përbërja e Komisionit Evropian.
Gjithashtu, një aspekt negativ që veçohej nga gazeta zvicerane, posaçërisht sa i përket trashëgimisë kontraverse të Lajçakut në diplomaci, konsiderohej të jetë edhe afërsia e diplomatit sllovak me kryeministrin e majtë nacionalist të Sllovakisë, Robert Fico, i cili mbetet një ndër aleatët e paktë të presidentit rus, Vladimir Putin, pavarësisht agresionit të Rusisë në Ukrainë.