Politike
E solli Argita në PD? Basha: Rrugëtimi im ka nisur njëkohësisht me Partinë Demokratike
Lulzim Basha ka folur për herë të parë për marrëdhënien e tij me Argita Berishën. Në një material që zyra e shtypit të PD-së ka shpërndarë, Basha flet për relacionin me vajzën e Sali Berishës, për të cilën thotë se e ka takuar në Kosovë në vitin 2000, por në fillim ka takuar Sali Berishën në vitin 1992.
Deklarata
Rrugëtimi im ka nisur njëkohësisht me Partinë Demokratike. Unë kam qenë i pranishëm në ditët e para, para themelimit dhe pas themelimit të Partisë Demokratike, sigurisht me qindar qytetarë të tjerë të Tiranës, me të afërm të mi, me shokë të mi në mitingjet apo takimet që organizoheshin tek qyteti student. Dhe s’jam ndarë në asnjë moment, edhe kur kam qenë jashtë domethënë, edhe fal faktit që vija në mënyrë të rregullt, i mbaja kontaktet me Partinë Demokratike, me drejtuesit e Partisë Demokratike. E kanë thënë edhe ata që ndoshta sot ndodhen në pozita antagoniste për arsyet e tyre personale, e kanë pohuar edhe publikishtm edhe në media që rrugëtimi im është i vjetër sa Partia Demokratike. Sigurisht kam qenë 16 vjeç, nuk kam qenë as në zgjedhjet e 91-shit, as në zgjedhjet e 92-shit, nuk kam votuar dot. Po në zgjedhjet e 92-shit kam qenë i vetmi vëzhgues zyrtar i liçencuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i pranishëm në KQZ nga ku merrja në orët e fundit në darkë vonë të dhënat që vinin nga zëvendëskryetari i KQZ-së që ishte nëndrejtori i shkollës “Sami Frashëri” dhe ishte përfaqësuesi i PD-së në komision. Çertifikimin e kisha nga një institute hollandez i mbrojtjes të të drejtave të njeriut, Johanes Vir Foundations of Human Rights. Dhe e shikonin atë, kisha veshur një xhaketë që ia kisha marrë tim eti, kisha vënë një kravatë për herë të parë 17 vjeç, s’kisha të drejtë të votoja më 22 mars, se mbushja 18 në 12 qershor, kështu që nuk votoja dot. Dhe futesha aty, serioz, me këtë bexhin këtu dhe nuk më fliste njeri. Dhe merja të dhënat, se ishte system mazhoritar. Ata i përcjellnin rezultatet me telefonata dhe nga aty i telefonoja në Partinë Demokratike, në zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike ku ishin të mbledhur të gjithë. Ishte Berisha, ishin të gjithë aty domethënë, doli filani, doli fisteku, fitoi filani, fitoi fisteku. Kjo pra sa i takon angazhimit tim politik, ka qenë i pandarë interesi për angazhim. Pastaj kur vjen fjala për angazhimin aktiv, është diçka tjetër.
Futja ime në PD nga Argita Malltezi, siç thonë, është një nga ato stigma të investuara fillimisht nga kundërshtari politik. Jo, nuk është e vërtetë. Gjithçka që kam thënë besoj demonstron të kundërtën. Në fakt, Argitën për herë të parë e kam takuar në Kosovë në verën e vitit 2000. Ndërkohë që Sali Berishën e njoh që nga 91-shi. Jo thjesht e njoh, por kemi pasur me dhjetëra raste, takime, kontakte, e njoh personalisht, pra nuk është e vërtetë. Por meqë e the, unë e di kur ka dalë dhe pse ka dalë. Kjo ka dalë në momentin kur unë jam futur në politikën aktive në Shqipëri dhe këta thonin nga erdhi ky, çfarë është ky. Sepse atëherë si tani, kur futej një aktor i ri duhej të gjenin patjetër t’i vinin bishta, ta godisnin e kështu dhe pjesë e kësaj ishte dhe kjo, “e ka sjell vajza e Berishës”. Pra ka qenë diçka e lindur me një motiv politik. Dhe siç e kam unë që nuk merrem me këto gjëra, mund të jetë ndërtuar dhe të jetë përforcuar ideja që erdhi për këtë arsye. Mori një dimension tjetër në 2011-ën ku fushata e vetme që bëri Edi Rama pa sukses në përballjen për bashkinë e Tiranës ishte që të më evidentonte muadhe fizikisht me Sali Berishën. Pra, është pjesë e luftës politike.
Pati një përpjekje që të përfshihesha që në 2003-in, ishte gara për Bashkinë e Tiranës, por doli Spartak Ngjela kandidat dhe në fakt dhe unë nuk kam pasur në atë moment, nuk e kam parë veten time të gatshëm për t’u përfshirë. Isha në një farë mase me angazhimet e mia të plota dhe kulmuese në kuadër të punës që bëja në UNMIK. Sapo kisha marrë detyrën për të krijuar strukturën e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës. E mora këshilltar special për tranzicionin, pra po bëheshim gati të mbartnim kompetencat që kishte deri atëherë OKB-ja tek organet e institucioneve vendore të Kosovës, autoritetet e Kosovës. Dhe ishte një punë që po e bëja me shumë pasion sepse e kuptoja dhe e ndjeja që ishte fillimi i procesit të pavarësimit institucional dhe të pavarësimit të Kosovës. Dhe nuk ishte diçka që mund ta lija në mes, pavarësisht që politikën në Tiranë e ndiqja. Dhe momenti i dytë ka qenë një vit më pas 2004, ku zoti Berisha dhe miq të tjerë Besnik Mustafaj, e të tjerë më thanë që po përgatisnin Komitetin e Orientimit të Politikave, një model i suksesshëm edhe në vende të tjera, për një infusion rinie dhe ekspertize kryesisht perëndimore në PD. Njëfarë qarkullim i stimuluar i elitës, apo më mirë të themi një injeksion elite në PD.