Politike
Deklarata e fortë e Kryemadhit: Kam raport të ngrirë bashkëshortor me Ilir Metën
Në përfundim të intervistës në Tv Klan gjatë së cilës Monika Kryemadhi foli për ngjarjet brenda Partisë së Lirisë, sulmet e Ilir Metës ndaj SPAK dhe hetimet e këtij të fundit ndaj saj, deputetja e PL iu përgjigj edhe një pyetjeje personale.
Një nga pikëpyetjet më të mëdha është çfarë po ndodh brenda raportit bashkëshortor të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, përtej ndarjes politike. Përgjigjja e Kryemadhit ishte tronditëse pasi tha se ky raport është i ngrirë.
Pyetja e fundit, është personale megjithëse zgjidhni ju të përgjigjeni apo jo. Si është raporti juaj bashkëshortor me Ilir Metën?
Raporti im bashkëshortor me Metën është një raport për momentin i ngrirë për shkak të konfliktit në parti se sigurisht që brenda familjes tonë, familjes së vogël, ka ndërhyrë njerëz të cilët mendojnë që duke shkatërruar pozicionimet apo lidhjet familjare do të kenë karrierë politike. Mendoj që nuk është hera e parë që unë dhe Ilir Meta kemi këto konflikte. Ne nuk kemi këto konflikte parimore, morale midis njëri-tjetrit. Konfliktet tona janë vetëm konflikte politike.
Të cilat reflektohen edhe në jetën private.
Patjetër që reflektohen sepse në qoftë se ne jemi dy njerëz të cilët punojmë nga mëngjesi deri në darkë në politikë, sigurisht që marrëdhënia është e përditshme edhe në familje. Ajo që mua më bën përshtypje dhe që e them gjithmonë, është që njeriu sa të rrojë do të mësojë. Mendjelehtësia më e madhe si te burrat, edhe te gratë qëndron kur mendojnë që lumturinë e tyre dhe pushtetin e tyre mund ta ndërtojnë duke rrënuar lumturinë dhe familjen e dikujt tjetër, por kjo nuk ndodh. Pse nuk ndodh? Nuk ndodh sepse marrëdhënia morale është shumë më e rëndësishme se marrëdhënia financiare.