Connect with us

Kosova

Shuplaka dhe shkulje veshi për Vuçiçin dhe Dodikun, Stradner për mediat boshnjake

“Mundësia e miratimit të Rezolutës për Srebrenicën ka zemëruar veçanërisht liderët serbë Milorad Dodik dhe Aleksandçr Vuçiç, të cilët kanë filluar lobimin për të ndaluar miratimin e rezolutës së lartpërmendur” – Kështu tha Ivana Stradner, studiuese amerikane e luftërave hibride ruse dhe këshilltare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë nga Uashingtoni, e cila në periudhën paraprake paralajmëroi për mundësinë e konfliktit në Ballkan, teksa dhe u shpreh se rezoluta për Srebrenicën, është një shuplakë e madhe për Dodikun dhe Vuçicin, për politikat e tyre, si dhe për Rusinë dhe Kinën.

“Rezoluta e Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën, e cila shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocideve, është një hap në drejtimin e duhur. Edhe pse ka kufizime për detyrimin ligjor të rezolutës, ajo është gjeopolitikisht shumë e rëndësishme sepse është një shuplakë e madhe për Dodikun dhe Vuçiqin për politikat e tyre, si dhe për Rusinë dhe Kinën, sepse nuk mund t’i ndihmojnë aleatët e tyre në Ballkan, kështu që tregon pafuqinë e tyre” – shpjegoi Stradner për “Slobodna Bosnia“.

Stradner kujtoi se Dodik edhe një herë kërcënoi se Republika Srpska do të niste procedurat e pavarësisë në përgjigje të rezolutës për Srebrenicën.

“Ai ka kërcënuar me shkëputje për një kohë të gjatë, kështu që kjo nuk duhet të habisë askënd, por Dodik ende po peshon dhe po kërkon një moment të favorshëm për të lidhur ambiciet e tij rajonale me Beogradin dhe Moskën” – komentoi Stradner duke shtuar se ndryshe nga viti i kaluar, më në fund Perëndimi dhe veçanërisht Amerika po e kuptojnë kërcënimin në Ballkan.

“Në raportin e fundit, shërbimi amerikan i inteligjencës paralajmëroi për tensione etnike në Bosnje dhe Hercegovinë si dhe në Kosovë. Kur njerëzit mendojnë për konfliktin në Ballkan, ata shpesh mendojnë për luftën në vitet ’90, por stili i Putinit i mësuar nga ai dhe aleatët në Ballkan, është i tipit hybrid, pa një plumb të vetëm, përmes operacioneve informative, si dhe formacioneve paraushtarake” – theksoi Stradner e cila gjithashtu shtoi se kjo nuk do të thotë se llogaritja e Dodikut dhe Vuçiqit nuk po shkon drejt destabilizimit sepse, siç beson ajo, ata presin një moment të favorshëm.

“Kushdo që mendon se Dodik dhe Vuçic janë të interesuar vetëm për para, gabohet rëndë. Për ta, kjo është edhe ideologjikisht e rëndësishme sepse ata të dy besojnë në ‘botën serbe’ ashtu si Putini që beson në ‘botën ruse’. Ashtu si ambiciet e Millosheviçit nuk u ndalën nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe mundësia e përparimit ekonomik të Jugosllavisë përmes tregut të hapur dhe investimeve, as Vuçiç nuk do të ndalet nga bashkëpunimi ekonomik siç është Ballkani i Hapur. Historia, ideologjia, feja, politika e identitetit luajnë një rol të rëndësishëm në Ballkan” – theksoi analistja

Stradner sheh se si Vuçic shfrytëzon çdo mundësi për votuesit e tij, kështu që Rezoluta në Srebrenicë është një shkas që ai të paraqitet si viktimë, duke forcuar kështu edhe më shumë nacionalizmin në propagandën e tij.

Advertisement