Connect with us

Kosova

E zbulon Toby Vogel, ky është skenari më i mundshëm për votimin në KiE

Bashkëpunëtori i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, Toby Vogel, ka thënë se është shumë vonë që në procesin për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, të shfaqen kushte të reja ndaj Kosovës.

Ai gjithashtu ka parashikuar që votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE, do të vonohet, për shkak të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, formimin e të cilit e shohin si kusht disa nga qeveritë kryesore anëtare të organizatës.

Sipas ekspertit, kryeministri Albin Kurti, do të duhej të kishte hartuar një statut për Asociacionin që do të bllokonte financimin e drejtpërdrejtë nga Beogradi dhe që do t’i rezervonte edhe funksionet ekzekutive qeverisë në Prishtinë.

Vogel gjithashtu nuk mendon se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, do të hiqen së shpejti, për shkak se sipas tij, “BE-ja ka mbajtur qartë anën e Serbisë për këtë”.

Ai edhe ka pohuar se shumica dërrmuese e evropianëve mbështesin sovranitetin, pavarësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Disa nga qeveritë kryesore anëtare të Këshillit të Evropës e kanë bërë të qartë se duqn të shohin përparim të prekshëm në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ose përndryshe nuk do të mund ta mbështesin kërkesën e Kosovës, ndërsa kryeministri Kurti e ka bërë të qartë se nuk mund të dërgojë non-paper në Gjykatën Kushtetuese. Është e qartë se nuk më takon mua të them se çfarë duhet të bëjë qeveria e Kosovës – kjo varet nga qeveria. Megjithatë, në retrospektivë më duket si një gabim që kryeministri e zvarriti procesin me Asociacionin, në vend që të hartonte një statut që plotëson si atë që ishte rënë dakord në vitin 2013 ashtu edhe shqetësimet legjitime të Kosovës.

Duhet të kishte hartuar një statut që do të bllokonte financimin e drejtpërdrejtë nga Beogradi dhe që do të rezervonte edhe funksionet ekzekutive qeverisë në Prishtinë” – ka deklaruar Vogel.

I pyetur se si ai e komenton propagandën dhe fushatat e egra të Serbisë, dhe pse ajo i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Vogel tha se Vuçiç po përdor çdo gjë që mundet për të minuar Kosovën, dhe në përgjithësi ata që i rezistojnë projektit të Serbisë së Madhe.

“Ne mund ta shohim këtë me diplomacinë e furishme serbe që kërkon të bllokojë rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Srebrenicën. Vuçiç ndoshta mendon se çdo fitore e Kosovës do të zvogëlonte kredibilitetin e tij, por ai gjithashtu dëshiron të demonstrojë se mund të veprojë pa u ndëshkuar, pa asnjë pasojë, sepse ka mbështetjen e Uashingtonit, Brukselit, Parisit dhe Berlinit” – ka theksuar Bashkëpunëtori i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel.

Duke komentuar kërkesën e qeverise për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ai deklaroi se qartasi Bashkimi Europian ka mbajtur anën e Serbisë për këtë temë.

“Masat u miratuan pa një votim zyrtar në Këshillin e BE-së, kurse tani Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka vendosur që heqja e tyre do ta kërkonte një votim të tillë dhe gjithmonë mund të gjesh dikë, për shembull, Hungarinë ose Sllovakinë, që do ta bllokonte iniciativën për heqjen e masave” – theksoi Toby Vogel.

Advertisement