Bota
“Bombat u përdorën për të vrarë civilë”, Biden paralajmëron Izraelin: Do ndalojmë furnizimin me armë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, paralajmëroi Izraelin se SHBA-ja do t’i ndalojë furnizimet me disa armë, nëse ai nis operacion të madh tokësor në qytetin Rafah të Gazës.
“Nëse ata hyjnë në Rafah, unë nuk do t’i furnizoj me armët që janë përdorur historikisht për t’u marrë me Rafahun”, tha Biden gjatë një interviste për rrjetin televiziv, CNN.
Ai shtoi se “do të vazhdojë të angazhohet që Izraeli të jetë i sigurt”. Por, pavarësisht kundërshtimit të fortë të SHBA-së, Izraeli duket se është gati për ta pushtuar në shkallë të plotë Rafahun.
Ai beson se në këtë qytet strehohen mijëra luftëtarë të grupit islamik palestinez, Hamas, i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera.
Në ofensivën hakmarrëse të Izraelit në Gazë, e cila vazhdon ende, janë vrarë afro 35.000 njerëz, sipas autoriteteve në enklavë.
“Ne nuk do ta furnizojmë [Izraelin] me armë dhe predha artilerie nëse sulmon Rafahun”, tha Biden në intervistën që u transmetua të mërkurën.
Ai tha se SHBA-ja nuk e përkufizon situatën aktuale në Rafah si operacion tokësor.
“Ata nuk kanë shkuar në qendrat e popullsisë. Janë pikërisht në kufi”, tha ai.
“Por, unë ia kam bërë të qartë [kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu] dhe kabinetit të luftës, se ata nuk do ta kenë mbështetjen tonë, nëse futen në këto qendra të popullsisë”, tha presidenti amerikan.
Biden pranoi se armët amerikane janë përdorur nga Izraeli për të vrarë civilë në Gazë.
I pyetur nëse Izraeli ka kaluar “vijën e kuqe”, ai u përgjigj: “Jo, ende”.