Vulin komentoi vizitën e Ramës me shqiptarët që jetojnë në Athinë dhe tha se ky ishte promovim i Shqipërisë së Madhe.
“Shqipëria e madhe mund te ndalet vetëm nga serbet dhe bota serbe, por gjithashtu edhe nga greket; te dashurit greke mendoni për këtë”, tha Aleksandër Vulin zv/kryeministëri i Serbisë.
Ditën e sotme, kreu i qeverisë, Edi Rama lidhur me këtë deklaratë tha: Një njeri i mençur ka thënë se pas të 40 çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka, nëse e shikoni fytyrën e personit të cilit i referoheni, mendoj se s’ka nevojë për asnjë koment tjetër.
Ditën e djeshme, ministria e Jashtme thirr ambasadorin serb në Tiranë Slobodan Vukčević për t’i kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat e zëvendëskryeministrit Aleksandër Vulin rreth takimit të kryeministrit Edi Rama me shqiptarët që jetojnë në Greqi.
Ministria i përcolli diplomatit serb qëndrimin se Tirana zyrtare pret reflektim të menjëhershëm nga Beogradi zyrtar për këto deklarata të dëmshme dhe të përsëritura.
“Deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë”, sqaroi në një njoftim për mediat ministria e jashtme.