Kronike
SPAK zbardh 5 vrasje të bujshme, ekzekutimi i ‘Kumbarit’ …
TIRANE- Nga mega-operacioni i SPAK me mbi 43 urdhër arrestet në botën e krimit, duket se është hedhur dritë mbi disa atentate e vrasje mes grupeve rivale. Një ndër to, është ekzekutimi ditën e Pashkëve i Bardhok Pllanës, 3 vite më parë, i njohur ndryshe edhe si “Kumbari”. Përveçse shumave të mëdha të parave dhe flori, gjetur sot gjatë kontrolleve në banesat e bosëve të krimit, disa nga ngjarjet mbi të cilat SPAK ka hedhur dritë, kanë të bëjë me vrasjen e njerëzve të Ervis Martinajt, bosit të lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej gushtit 2022. Dhe pikërisht ishin përplasjet për këtë biznes që sollën eliminimin e rrethit të ngushtë të miqve të Martinaj.
Burime për Report Tv tregojnë se është zbardhur ekzekutimi i biznesmenit Bardhok Pllanaj, të dielën e Pashkëve, më 4 Prill 2021 në Shkodër. I njohur me nofkën “Kumbari”, ndërtues i pallateve, por i skeduar dhe për trafik droge ishte nisur drejt Malësisë së Madhe, kur një skuadër qitësish profesionistë ju vunë në ndjekje dhe e vranë 50 metra larg shtëpisë, në fshatin Dobraç i Ri.
Po ashtu, dritë është hedhur edhe mbi atentatin e dështuar ndaj 33-vjeçarit Taulant Pepaj më 21 shkurt 2021. Interesante duket se SPAK ka zbardhur edhe përplasjet mes Durim Bamit dhe grupit Avdylaj, që nga miq u kthyen në rivalë.
Është zbardhur vrasja në 2021-in në zonën e Astirit e Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit. Një tjetër rast, është atentati ndaj Can Karriqit, një prej njerëzve më të besuar të Martinajt, atentati ndaj Ylli Brahimit, apo ekzekutimi i Brilant Martinajt. Më tej burimet thonë, se janë zbuluar disa atentate dhe në Durrës, ngjarje ku përfshihen Plaurent Dervishaj dhe Endrit Dokle, dy personazhe të njohur të bandës së Durrësit.