Kosova
Dështimi i Kosovës në KiE: Reuten: Gjermania, Franca dhe Italia iu përulen Serbisë
Deputeti nga radhët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), Thijs Reuten, ka fajësuar Gjermaninë, Francën dhe Italinë për mos anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës edhe pse sipas tij, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.
“Shtetet anëtare, fatkeqësisht një rol të spikatur Gjermania, Franca dhe Italia dogjën përsëri besueshmërinë e tyre dhe iu përulën Serbisë. Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret, ka fituar mbështetjen e shumicës së madhe të deputetëve të shteteve anëtare dhe bën pjesë në Këshillin e Evropës, fundi i qetësimit të Vuçiçit tani”, shkroi ai në platformën X.
Ndryshe, arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.
Ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.
Por, Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kushtëzimi i bërë nga Franca dhe Gjermania ishte “absurd”.
Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.
Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.