Kosova
Ndërkombëtarët kërkojnë Zajedincën e Albin Kurtit, Mustafa ‘armatoset’ me akuza
Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, që në Gjykatën Kushtetuese ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili derivon nga Marrëveshja Bazë (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023), dhe jo atë që ai e ka nënshkruar në vitn 2015, apo ish-kryeministri tjetër Hashim Thaçi, në vitin 2013.
“Ndërkombëtarët tani po e kërkojnë Asociacionin sipas marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit të Kurtit të vitit 2023 që në fakt emërtohet si Asociacion, por është autonomi politike territoriale në komunat ku serbët janë shumicë. Prandaj, s’ka asgjë të përbashkët me atë të vitit 2013 dhe dokumentin e vitit 2015” – theksoi ish kryeministri.
Persa i përket propozimit të qeverisë për ta shkruar dhe për ta dërguar një draft-statut të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj, ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), vlerësoi se dërgimi i një drafti të tillë në Kushtetuese që nuk është i dakorduar në procesin e dialogut, përveç që “paradoksal” është, sipas tij, edhe “joserioz”.
Mustafa, ndër të tjera, argumenton se në Kushtetuese mund të përcillen vetëm dokumente të aprovuara paraprakisht nga Qeveria, e cila fillimisht duhet të jetë e derivuar “nga një pajtim i palëve në proces të dialogut”.
Ndërsa, persa i përket transformimit të kryeministrit Kurti, nga kundërshtuesi më i madh, te i pari që propozon të dërgojë draft-statut për Asociacion në Kushtetuese, sipas tij, flet “qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë” ndërsa “LVV iu është shitur qytetarëve si qeveri e shpresës” – potencoi Isa Mustafa.