Connect with us

Aktualitet

Skandali i mikrokredive/ SPAK po e heton, Sejko tek “Ekonomia”: S’kam asnjë informacion

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko po dëshmon këtë të martë në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në lidhje me skandalin e Mikro Kredit Albania për mbledhjen e kredive të këqija nga institucionet financiare jo banka.

Sejko deklaroi se nuk ka asnjë informacion nga Prokuroria, nëse kemi të bëjmë me mashtrim financiar, teksa sipas tij, atij nuk duhet t’i komunikohet që është nën hetim për “shpërdorim detyre”, por shkeljet që ka bërë.

Gent Sejko shmangu përgjegjësit, ku deklaroi se Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë në marrëdhëniet që MCA ka me kontraktorët e tjerë. Sipas tij, po cilësohet “kriminel” kur nuk ka patur asnjë faj.

“Subjektet financiare që japin mikrokredi iu janë nënshtruar të gjitha kontrolleve. Revokimi i licensës është masa e fundit që mund të marrë Banka e Shqipërisë. Kjo mund të sjellë pasoja edhe për klientët. Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë as në marrëdhëniet që ka MCA me kontraktorët e tjerë. Problemi me MCA është se të gjitha palët tashmë iu drejtohen gjykatave. Qytetarët duhet të paguajnë detyrimet që kanë.

Problemi në lidhje me normën e interesit ka të bëjë me mikro-kreditë. Kemi bërë inspektime dhe normat e interesit janë ulur me tre herë. Kemi qenë në nivelet e mbi 200 përqind e jemi tek 50-60 përqind, në qershor do kemi shifrën e re të përditësuar. Kemi marrë edhe masa, që detyrimi për klientët mos të jetë më tepër se 30 përqind e shumës së marrë si kredi.

Nëse qytetarët shikojnë shkelje, jo mashtrim financiar. Duhet të na thotë prokuroria nëse ka mashtrim financiar, unë s’kam asnjë informacion nga prokuroria, jo të më thotë mua prokuroria mua ‘ti je i hetuar për shpërdorim detyre’, por të më thotë ‘ja ku janë shkeljet ligjore, ja ku janë problemet dhe vepro’. Dhe atëherë unë si Guvernator po të mos kisha vepruar do të isha fajtor, por unë nuk kam asnjë informacion nga prokuroria. Dyshohem, hidhet gjithë ky tym, mblidheni ju këtu dhe më thoni mua ‘çfarë ka ndodhur, ç’është kjo gjë e tmerrshme që ka ndodhur dhe ti je kriminel’, ndërkohë që unë nuk kam informacion. Informacionin që kemi ne si Banka e Shqipërisë do të duhet ta shikojmë dhe gjykojmë me qetësi dhe ta zbërthejmë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndihmojmë qytetarët.” – deklaroi Gent Sejko

Skandali me kreditë e këqija që mbledh Mikro Kredit Albania përllogaritet se prek 100 mijë familje ndërsa dëmi konsiderohet mbi 100 milion euro. Qytetarët kanë humbur edhe banesat e tyre për mosshlyerjen e kësteve, edhe pse kanë marrë shuma të vogla kredi.

Prokuroria e Tiranës vlerësoi se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.

Advertisement