Connect with us

Kronike

Dhuna ndaj avokatit, gazetarja zbardh skemën: Dritan Nano organizoi…

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja në lidhje me dhunimin e avokatit, Sokol Mëngjesi. Lala e ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm ku është sulmuar fizikisht avokati Sokol Mëngjesi. Avokati ka marrë goditje me mjete të fortë, doreza hekuri, në kokë dhe trup, nga të paktën 3 persona të përfshirë në sulmin ndaj tij, ndërsa ndodhet në intubim në spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia e Tiranës përmes një deklarate zyrtare bëri të ditur se ka identifikuar të gjithë autorët, përfshi edhe atë të cilin Drejtori Tonin Vocaj, e konsideroi si porositësin e dhunës ndaj avokatit. Lala tha se situata shëndetësore e avokatit është e rënduar, ka pasur një hematomë të madhe në kokë.

“Pasi u godit nga Dorian Aliaj me një dorezë hekuri, avokati Mëngjesi ka rënë në tokë dhe ka marrë një tjetër goditje si pasojë e rrëzimit, më pas dhunuesit e kanë goditur sërisht. Gjendja e tij është rënduar, por sipas mjekëve do e kalojë rrezikun për jetën”, tha Lala.

Duke iu referuar ngjarjen së ndodhur, Lala tha se Dorian Aliaj është i vetmi që është dorëzuar në Policinë e Tiranës, ndërsa Dorian Nano u arrestua me inisiativën e Policisë. Gazetarja u shpreh se avokati Sokol Mëngjesi ishte avokat i një prej familjeve që pretendonin një truall.

“Brari dhe Sheqeri ishin familjet në një konflikt për çështje pronash. Prona ishte te diga e Liqenit aty ku sot është ndërtuar. Familja Sheqeri ka kontaktuar avokatin Mëngjesi dhe ka fituar të drejtën e pronës. Kemi  8 trashëgimtarë nga familja Sheqeri, pjesa më e madhe e të cilëve, ishin dakord që kontrata që ata kishin me avokatin të respektohej, pasi ai kishte dhënë ndihmesën e tij, konsulencën juridike, që ata të fitonin çështjen që po gjykohej.

Dritan Nano, njëri nga trashëgimtarët nuk e ka pranuar kontratën, dhe ka pasur një debat verbal mes tij dhe avokatit. Në momentin që është bërë gjithë ky debat, Dritan Nano ka organizuar gjithë personat dhe kemi ngjarjen e sotme. Avokati kishte paralajmëruar se nëse nuk respektohej kontrata do të ndiqte rrugën gjyqësore”, tha Lala.

Ajo shtoi se sulmi ndaj avokatit nuk ka lidhje me politikën, kjo është arsyeja pse gjatë orëve të pasdites janë ulur tonet politike.

“Dhunuesit janë lidhje shoqërore dhe familjare mes tyre. Është e papranueshme që jeta e çdo qytetari të jetë e rrezikuar në çdo moment. Askush nuk ka të drejtë të ngrejë dorë mbi një tjetër dhe jam e trishtuar që politika fut hundët në histori të tilla”, tha Lala.

Gazetarja tha se roli i avokatit është zhbërë, e zhbëri reforma në drejtësi, sot shihet si një sekser dhe kjo nuk duhet të ndodhë.

 

Advertisement